
"Rrëfimi i fëmijës brenda vetes...", Agron Tufa për romanin "Lindur së prapthi"
Një recension nga shkrimtari dhe studiuesi Agron Tufa për romanin "Lindur së prapthi" të Rita Petros, ku ai vlerëson fuqinë rrëfimtare të fëmijërisë në diktaturë dhe thellësinë poetike të përjetimeve në këtë roman me nota autobiografike.
Agron Tufa
RRËFIMI I FËMIJËS BRENDA VETES...
(Shënim mbi romanin e Rita Petros “Lindur së prapthi”, Onufri, 2022)
“Sa më pëlqente kur shtriheshim mbi tapet dhe bënim ushtrime për elasticitetin e trupit. Momenti kur trajnerja na thoshte të pushonim, unë rrija shtrirë duke parë tavanin, i cili ishte në formën e një kubeje. Mbyllja sytë dhe më kujtohej ajo figurë si në ëndërr. Isha shumë e vogël kur më sillte gjyshja në kishë. Tërë kohën e mbaja kokën lart. Në kubenë e kishës ishte një burrë gjigand me krahë të hapur, me pëllëmbën e dorës së djathtë lart, sikur na përshëndeste. Veshja e tij ishte e kaltër dhe me rrudha. Flokët e gjatë. Sytë të butë dhe me vështrim ngultaz mbi ne, që e shihnim nga poshtë. Ai qëndronte madhështor mbi kokat tona dhe unë sa herë dëgjoja fjalën Zot mendoja se Zoti mbi qiell kishte pikërisht këtë pamje. Edhe kur mblidheshim në oborrin e pallatit, loja ime e preferuar ishte të qëndroja mbi shpinën e një shoku ose të shoqes me fytyrë nga qielli. Atëherë ua ngulja sytë reve, të cilat herë më dukeshin si dele, kur ishin të bardha dhe herë si ujq, kur nxiheshin. Dhe, papritmas, ja ku u shfaq Zoti me figurën e tij madhështore në kubenë e qiellit. Ai qëndronte me shpinë nga hapësira dhe me fytyrë nga toka. Zoti i ndante delet nga njëri krah dhe ujqit nga krahu tjetër. Por ujqit i kalonin prapa shpine dhe, fap, i rrëmbenin ndonjë dele. Skuqej qielli nga gjaku. Zoti nxehej dhe lëshonte bubullima dhe vetëtima. Pastaj derdhte lot, që ndonjëherë ishin si kokrra të mëdha rrushi të bardhë. Zoti lëshonte dhe erë të fortë që i zhdukte ujqit e zinj.Mbeteshin vetëm delet e bardha që kullotnin të qeta në qiellin e kaltër.
Por tani, pikërisht aty mbi kube, ishte figura e Udhëheqësit të Madh. nuk e kuptoja se si mbi fytyrën e tij më dilte përpara fytyra e Zotit. Sytë e tyre ngatërroheshin dhe shihja katër palë sy. Edhe krahët e hapur dyfishoheshin.
- Pse u hotove? – më pyeti trajnerja.
- Hë, më fal, hiç. Ja po shoh Udhëheqësin e Madh.
- Së shpejti vjen dita e madhe kur do të japim shfaqje para tij, - më tha ajo.
- Mezi po pres, mësuese, - i thashë dhe e largova fytyrën e Zotit nga fytyra e Udhëheqësit të Madh. Tani e shihja fare qartë. Sa i bukur ishte! Më i bukur se Zoti. Madje ishte dhe gjallë. Mund ta preknim. Mund t’i flisnim. Zoti ishte shumë lart atje në qiell.”
* * *
“Lindur së prapthi” është romani i parë, proza e parë e gjatë pas disa vëllimesh poetike të Rita Petros, e njohur dhe si botuese e “Albas” dhe si autore e teksteve dhe alterteksteve të gjuhës dhe letërsisë së shkollave dhe gjimnazeve, pas viteve 2000. Romani i saj, i shkruar në traditën e rrëfimeve me nota të thella autobiografike, ka vlerë të jashtëzakonshme sepse paraqet pa stisje e poza një autoportret kolektiv të brezit që jetoi realitetin e dy dekadave të fundit të diktaturës. Nuk është nga ato rrëfime që priren as për heroikë qëndrestare, as viktimizuese; mungon patosi i drejtpërdrejtë therës, kundërvënës e fshikullues bardhë e zi. Jo, Rita është besnike e përthyerjeve të këtij realiteti në vetëdijen dhe psikikën emocionale të fëmijërisë dhe adoleshencës, të habisë dhe trandjeve, të mistikës dhe misticizmit të botës përreth, për aq sa perceptimi i çiltër e infantil i prek dhe i rrok këto relitete. Ajo që e shtyn fëmijën të rritet e të ngutet të shijojë gjërat e ndaluara, janë tabutë me të cilat rrethohet bota e një fëmije në kryeqytetin e një diktature, çmitizimi i ngadaltë i kësaj “parajse” të propaganduar. Gjithmonë etja për jetë paraqitet si një rrjedhe instinktive, si një rrymë onirike e erotike që rrjedh nën lëkurë. Përditshmëria, thamë, nuk del bardhe e zi, por me plot nuanca e njolla që shpejt kalojnë nga e hirta në të murrëtyer. Kaleidoskopi fëmijnor drithërohet nga ngjyrat shpërndërruese, nga ambienti shtëpiak, apartamentet socialiste, rruga, shkolla, aktivitetet sportive e kulturore, ku përveç propagandës dhe slloganeve ka një etje të sëmurë lëngate për posedim, një epsh egresiv herë të fshehtë, herë shpërthyes e herë të kastruar. Nuk ka dallim, nëse është i burimit familjar, farefisnor, shkollor, apo shtetëror. Por gjithashtu, krahas, ecin e përthyhen në vetëdijen fëmijnore fate njerizish të zhdukur apo të internuar misteriozisht, mbërrin si e përlargët jehona e dhunshme dhe e luftës së klasave, sikundërse lufta e pandërprerë e ligësisë me stërkëmbsha, bërryle, spiunime, survejime.
Për këtë arsye, rrjedha introspektive e rrëfimit fiton jo notën e dëshmisë, por notën besnike të një shpirti fëmije dhe adoleshenti që përpiqet të shfaqë vullnetin, talentin dhe mbijetesën për gjërat që do e për gjërat që ëndërron të mbërrijë, brenda një kozmosi gjithnjë të pasigurtë, gjithë në trasformim, thuajse të pa vënë re. Dhe duke qenë në qendër të këtij kozmosi të rrudhur, shpesh të mbyllur në vetvete, pavarësisht karakterit rebelues, fëmija krijon perceptimet dhe përfytyrimet e veta mitologjike, sipas një metafizike krejt të personalizuar. Dhe Rita Petro ka arritur të na e japë magjinë e këtyre perceptimeve infantile, përplot sharm e poezi ta dëlirë, në shumë pjesë të romanit të saj.
Shkrimtarja i ka besuar fëmijës brenda vetes në këtë rrëfim autobiografik, duke zgjidhur kësisoj shumë detyra dhe dilema njëherësh: fëmijëria, adoleshenca dhe rinia e një brezi, është pjesë e fatit dhe martirizimit njëherësh, e treguar si një bisedë e gjatë monologuese përmes lenteve të po atij fëmije me rritjen e tij, por gjithsesi, pa ndërhyrjen e gjykimit të vetëdijes së pjekur të të rriturit, pa censurë...
Kam lexuar shumë romane, madje me pretendime të mëdha, që na paraqesin rrëfime të trupëzuara biografike me antagonizma të tejskajshëm, sikundërse të tjerë, madje të superlëvduar, që shkruhen vetëm sa për t’i bërë kornizë autoportretit të tyre me ambicie kombëtare e ndërkombëtare (siç, për shembull, “Të lirë” i Lea Ypit), por nuk i shpëtojnë dot notës false dhe qëllimësisë.
Prandaj realiteti socialist i diktaturës, që pasqyron Rita Petro në romanin e saj “Lindur së prapthi”, na ngjall shumë herë më tepër alergji e neveri, se sa i këtyre veprave të shkruara me qëllim të synuar haptazi, së paku për faktin se autorja as që e çan kokën për të tilla “kurime” e “tualete”. Është besnike me fëmijën brenda vetes dhe, çka është më e rëndësishmja, ka përparësinë e dhuntisë letrare, siç mund ta vëreni nga fragmenti ilustrues më sipër.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Zemra poetike e mësueses Drita Gjaci Topjana
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali