Sevi Lami Agolli: Libri dhe gjuha shqipe janë ura që lidhin fëmijët e diasporës me atdheun

Sevi Lami Agolli, autore e librave për fëmijë dhe redaktore në shtëpinë botuese Albas, rrëfen përvojën e saj në Nju-Jork, ku u takua me komunitetin shqiptar, vizitoi shkollën shqipe “Gjergj Fishta”, Federatën “Vatra” dhe Noli TV, duke sjellë reflektime mbi gjuhën, librin dhe identitetin në diasporë.


Ka udhëtime që të njohin me qytete të reja dhe ka të tjera që të njohin me njerëzit. Për autoren dhe redaktoren e librave për fëmijë, Sevi Lami Agolli, vizita në Nju-Jork nuk mbeti në kujtesë për madhështinë e rrokaqiejve, ritmin marramendës të metropolit apo shkëlqimin e një prej qyteteve më të famshme në botë. Ajo që mori me vete nga përtej Atlantikut ishin fytyrat, zërat dhe emocionet e shqiptarëve që jetojnë larg atdheut, por që vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë pranë përmes gjuhës, librit dhe kujtesës.


Takimet në shkollën shqipe “Gjergj Fishta” në Long Island, në Federatën Pan-Shqiptare “Vatra” dhe në Noli TV, i dhanë mundësinë të shohë nga afër një realitet që shpesh mbetet larg syve tanë: përpjekjen e përditshme të prindërve, mësuesve dhe komuniteteve shqiptare për të ruajtur identitetin kombëtar te brezat që rriten në emigracion.


Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, Sevi Lami Agolli rrëfen emocionet e këtij udhëtimi, momentet që e prekën më shumë, rolin e librit dhe të gjuhës shqipe në formimin e identitetit të fëmijëve, si dhe mesazhin që diaspora shqiptare përcjell për të gjithë ne: se atdheu nuk është vetëm një vend në hartë, por edhe gjuha që flasim, kujtimet që ruajmë dhe dashuria që përcjellim te brezat që vijnë.



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 



Sevi, në rrëfimin tuaj për vizitën në Nju-Jork, nuk ndaleni shumë te rrokaqiejt apo ritmi i qytetit, por te njerëzit. Çfarë ju preku më shumë nga takimet tuaja atje?


Nga vizita ime në Nju-Jork, kryeqytetin kulturor, financiar dhe mediatik të botës, si dhe qytetin më të fuqishëm ekonomikisht në botë, ajo që më preku më shumë nuk ishin ndërtesat që ngriheshin deri në qiell, as zhvillimet marramendëse në infrastrukturë, por shqiptarët që mbajnë brenda vetes kujtimin e vendlindjes. 

Në takimet me shqiptarët atje pashë një lidhje të veçantë me rrënjët, një mall që nuk zbehet pavarësisht viteve dhe distancës. Më bëri përshtypje mënyra se si ata kishin arritur të ndërtonin jetë të suksesshme në një nga vendet më sfiduese të botës, pa humbur gjuhën, traditat dhe ndjenjën e përkatësisë. Në secilin prej tyre gjeta një copëz Shqipërie: te mikpritja, krenaria për origjinën dhe dëshira për të kontribuuar për vendin e tyre, edhe pse mijëra kilometra larg. Në fund, ajo që mora me vete nga Nju Jorku nuk ishte madhështia e qytetit, por madhështia e shpirtit njerëzor, që shqiptarët atje e ruajnë me aq dinjitet.



Jeni shprehur se në çdo takim atje ndiet dashurinë për atdheun dhe gjuhën shqipe. Si autore për fëmijë, çfarë ndjesie ju krijon fakti që gjuha jonë vazhdon të ruhet me kaq përkushtim mijëra kilometra larg Shqipërisë?


Në çdo takim me bashkatdhetarët tanë në Nju-Jork ndjeva një dashuri të jashtëzakonshme për atdheun tonë dhe gjuhën shqipe. Shqipja nuk ishte thjesht një mjet komunikimi, por një pjesë e identitetit të tyre, një urë që i lidhte me vendlindjen dhe me njëri-tjetrin. Si autore për fëmijë, kjo më emocionoi veçanërisht shumë. Të shohësh prindër që, pavarësisht ritmit të jetës dhe sfidave të emigrimit, përpiqen t'u mësojnë fëmijëve gjuhën e nënës, është një dëshmi e fuqisë së kulturës sonë. Gjuha nuk është vetëm fjalë; ajo mbartëse e kujtesës, e historisë, e ndjenjave dhe e mënyrës sonë të të parit të botës. Fakti që shqipja ruhet dhe kultivohet me kaq përkushtim mijëra kilometra larg Shqipërisë më jep shpresë dhe besim, se rrënjët tona janë të forta. Është një ndjenjë krenarie, por edhe përgjegjësie, sepse na kujton që çdo libër, çdo tregim dhe çdo fjalë e shkruar në shqip mund të bëhet një fije lidhëse mes brezave, kudo që ata jetojnë.



Në shkollën shqipe “Gjergj Fishta” në Long Island patët mundësi të takoni fëmijë që po rriten mes dy kulturave. Çfarë lexuat në sytë e tyre: kuriozitet, krenari apo ndoshta një përpjekje për të kuptuar rrënjët e tyre?


Në sytë e atyre fëmijëve lexova, mbi të gjitha, dashurinë për atdheun. Ishte prekëse të shihje se si ndiheshin të lidhur me Shqipërinë, edhe pse shumë prej tyre ndoshta nuk e kishin parë kurrë ose e njihnin vetëm përmes rrëfimeve të prindërve, librave dhe mësuesve të tyre.

Lexova kuriozitet për të zbuluar më shumë rreth rrënjëve të tyre, krenari për origjinën shqiptare dhe një dëshirë të sinqertë për të mos humbur lidhjen me gjuhën dhe kulturën e të parëve. M'u duk sikur Shqipëria jetonte brenda tyre si një kujtim i trashëguar, si një vend që e mbanin në zemër edhe pa e njohur plotësisht. Pikërisht kjo më emocionoi më shumë: të shihja se identiteti shqiptar nuk përcillet vetëm përmes gjakut, por përmes dashurisë, edukimit dhe përkushtimit të familjeve dhe mësuesve që mbajnë gjallë këtë lidhje me rrënjët.


Cilin do të veçonit si ndër momentet që ju emocionoi më shumë dhe që do ta mbani mend gjatë?


Po, pati disa momente që do t'i ruaj gjatë në kujtesë. Më emocionoi veçanërisht vizatimi i hartës së Shqipërisë nga nxënësit e klasës së parë, të cilët kishin shënuar me aq kujdes dhe dashuri qytetet shqiptare. Ishte prekëse të shihje se si ata fëmijë që rriten larg atdheut, pa kontakte të përditshme me të, e mbanin Shqipërinë kaq pranë zemrës së tyre. Po aq emocionuese ishin këngët dhe vjershat shqipe që ata interpretuan me përkushtim, si edhe përqafimet e sinqerta që më dhuruan në fund të takimit. Në ato çaste ndjeva se gjuha dhe kultura jonë vazhdojnë të jetojnë e të lulëzojnë përmes brezit të ri.

Megjithatë, në kujtesën time ka një moment të veçantë. Ishte një djalë vetëm shtatë vjeç, i lindur në Greqi dhe i ardhur në SHBA para dy vitesh, i rritur mes kulturash të ndryshme dhe me pak kontakt me gjuhën e kulturën shqiptare, që kishte arritur brenda një viti ta zotëronte shqipen me një rrjedhshmëri të admirueshme. Kur doli në skenë dhe këndoi "Jam një djalë prej Dukagjini", më emocionoi jo vetëm mua, por të gjithë të pranishmit në sallë. Në atë moment kuptova se dashuria për identitetin dhe rrënjët nuk matet me kilometrat që na ndajnë nga atdheu, por me përkushtimin dhe zemrën me të cilën e mbajmë atë gjallë.



Ju e quani librin dhe gjuhën “urën më të fortë” mes brezave dhe atdheut. Në kohën e teknologjisë dhe rrjeteve sociale, a mendoni se libri vazhdon të ketë të njëjtën forcë lidhëse?


Po, besoj se libri vazhdon ta ketë atë forcë, ndoshta edhe më shumë se më parë. Teknologjia dhe rrjetet sociale na japin mundësi të komunikojmë më shpejt, por libri na jep atë, që asnjë ekran nuk mund ta zëvendësojë plotësisht: thellësinë e përjetimit, reflektimin dhe lidhjen emocionale me gjuhën. Për fëmijët që rriten larg Shqipërisë, një libër në gjuhën shqipe nuk është thjesht një histori për t'u lexuar. Ai është një takim me fjalët e para të atdheut të tyre, me traditat, kujtimet, personazhet dhe vlerat që formësojnë identitetin shqiptar. Përmes librit, fëmija jo vetëm mëson gjuhën, por fillon ta ndiejë atë.


Teknologjia mund të jetë një aleate e rëndësishme në këtë proces, por libri mbetet themeli. Ai krijon një lidhje më të qëndrueshme mes brezave, sepse një histori e lexuar nga një prind, një mësues apo një gjysh mbart jo vetëm fjalë, por edhe dashuri, kujtime dhe përkatësi.


Prandaj vazhdoj ta quaj librin dhe gjuhën urën më të fortë mes brezave dhe atdheut. Urat e teknologjisë na lidhin shpejt, por ura e librit na lidh thellë.




Si e përjetuat takimin me mësueset që punojnë vullnetarisht për t’u mësuar shqipen fëmijëve në emigracion?


Takimi me mësueset e shkollës shqipe ishte një nga përvojat më frymëzuese të këtij udhëtimi. Tek ato pashë jo vetëm profesionalizëm, por edhe një mision të vërtetë kombëtar. Të japësh mësim në kushte emigracioni, shpesh mbi baza vullnetare, kërkon dashuri të madhe për gjuhën, kulturën dhe brezat që po rriten larg atdheut. Më emocionoi përkushtimi i tyre i palodhur për të mbajtur gjallë shqipen në zemrat e fëmijëve. Ato nuk u mësojnë vetëm shkronjat dhe rregullat e gjuhës; u përcjellin identitet, kujtesë dhe ndjenjën e përkatësisë. Në njëfarë mënyre, ato janë rojat e një thesari që duhet t'u kalojë brezave.


Si autore për fëmijë, ndjeva mirënjohje të thellë për punën e tyre, sepse çdo libër që shkruaj merr kuptim të plotë kur gjen mësues e mësuese që ua sjellin fëmijëve me kaq dashuri. Besoj se puna e tyre meriton jo vetëm vlerësim, por edhe respekt të veçantë, sepse falë tyre gjuha shqipe vazhdon të jetojë e të lulëzojë edhe larg kufijve të Shqipërisë.


Sinqerisht u habita dhe u emocionova nga puna e z. Paulin Marku, e mësueseve Fabiola dhe Dorina etj. 

Më la mbresë jo vetëm përkushtimi i tyre i jashtëzakonshëm ndaj mësimdhënies së gjuhës shqipe, por edhe energjia pozitive, dashuria dhe humanizmi që përcillnin në çdo veprim. Angazhimi i tyre nuk përfundonte me mbarimin e orës së mësimit. Shpesh, kur prindërit kishin detyrime apo angazhime të tjera dhe vonoheshin, ata kujdeseshin për fëmijët sikur të ishin të tyret: i ushqenin, i argëtonin, i mbështesnin dhe u krijonin një ambient të ngrohtë e të sigurt. Ishte një përkujdesje që shkonte përtej rolit të mësuesit dhe merrte dimensionin e një misioni njerëzor. Te ta pashë njerëz që punojnë me zemër dhe që e kanë shndërruar ruajtjen e gjuhës e kulturës shqiptare në një akt dashurie të përditshme. U largova me respekt të thellë dhe mirënjohje për ta, sepse puna e tyre nuk ndërton vetëm njohuri, por edhe karakter, përkatësi dhe dashuri për rrënjët shqiptare.



Shpesh flasim për sfidat e diasporës, por më rrallë për sakrificat që bëhen për ruajtjen e identitetit. Çfarë mësuat nga ky komunitet për mënyrën se si kultivohet shqiptaria larg vendit?


Ky komunitet më mësoi se shqiptaria nuk ruhet vetëm me fjalë apo me nostalgji për vendlindjen, por me punë të përditshme, përkushtim dhe sakrifica të heshtura. Pas çdo fëmije që flet shqip, reciton një poezi apo këndon një këngë shqiptare, qëndrojnë prindër që gjejnë kohë mes angazhimeve të shumta, mësues që japin nga vetja pa kursim dhe një komunitet që përpiqet për të mos lejuar humbjen e rrënjëve. Ajo që pashë në Nju-Jork më bëri të kuptoj se largësia nga atdheu, në vend që ta zbehë identitetin, shpesh e forcon atë. Shqiptaria kultivohet në familje, në shkollat shqipe të fundjavës, në festat kombëtare, në librat që u lexohen fëmijëve dhe në çdo përpjekje për të ruajtur gjuhën si trashëgiminë më të çmuar. Mbi të gjitha, mësova se identiteti nuk trashëgohet vetvetiu, por duhet ushqyer çdo ditë. Dhe komuniteti që takova më dha shembullin më të bukur të kësaj. Ata nuk po rrisin thjesht fëmijë të suksesshëm në një vend të huaj, por rrisin fëmijë që dinë se nga vijnë, që krenohen me origjinën e tyre dhe që do ta mbajnë gjallë shqiptarinë edhe në brezat që do të vijnë.



Gjatë vizitës suaj, a patët ndjesinë se shqiptarët në Amerikë e idealizojnë Shqipërinë më shumë se ne që jetojmë këtu?


Nuk do të thosha që e idealizojnë Shqipërinë. Më tepër, ata e shohin dhe e kujtojnë përmes filtrit të mallit dhe nostalgjisë. Në fund të fundit, edhe figurat tona më të mëdha kombëtare, si Naim Frashëri, Fan Noli, Camaj etj., një pjesë të dashurisë së tyre më të bukur për Shqipërinë e shprehën pikërisht nga larg. Nuk ishte idealizim, por një lidhje shpirtërore që forcohej nga mungesa.


Gjatë vizitës sime, kuptova se shqiptarët në Amerikë ruajnë me shumë dashuri kujtime që, për ne që jetojmë këtu mund të duken të zakonshme. Një bashkatdhetar më tregoi një ditë një fotografi të një mulliri të vjetër nga vendlindja e tij. Teksa fliste për të, në zërin e tij kishte aq admirim, ngrohtësi dhe mall, sa e kuptova se nuk po fliste thjesht për një mulli. Ai po fliste për fëmijërinë, për familjen, për rrënjët dhe për një pjesë të vetes që e mbante ende gjallë në zemër.


Mendoj se largësia ua bën më të dukshme gjërat e vogla që ndërtojnë identitetin tonë: një këngë, një fjalë shqip, një fotografi e vjetër, një rrugë e fshatit apo një mulli në fshat. Kjo nuk është idealizim: është dashuri për vendin prej nga vjen dhe për kujtimet që të kanë formësuar si njeri.



Takimi juaj në “Noli TV” ju njohu edhe me rolin që luajnë mediat shqiptare përtej kufijve. Sa e rëndësishme është, sipas jush, që komunitetet shqiptare të kenë hapësirat e tyre mediatike dhe kulturore?


Takimi në “Noli TV” më bëri të kuptoj edhe më qartë, se sa të rëndësishme janë mediat shqiptare në diasporë. Ato nuk janë vetëm burime informacioni; janë ura që lidhin komunitetin me gjuhën, kulturën, historinë dhe zhvillimet në atdhe. Për shqiptarët që jetojnë larg vendit, hapësira të tilla mediatike dhe kulturore kanë një rol të pazëvendësueshëm. Ato krijojnë një ndjenjë përkatësie, mbajnë gjallë gjuhën shqipe dhe u japin mundësi brezave të rinj të njohin më mirë rrënjët e tyre. Përmes tyre promovohen vlerat, arritjet dhe historitë e shqiptarëve, duke forcuar lidhjet brenda komunitetit dhe mes komunitetit dhe atdheut. 

Më la mbresë fakti, që njerëz të përkushtuar investojnë kohën, energjinë dhe talentin e tyre për të krijuar këto platforma, sepse ata e kuptojnë që identiteti kulturor nuk ruhet vetvetiu. Ai ka nevojë për zëra që e mbajnë gjallë, për histori që tregohen dhe për hapësira, ku shqiptarët mund të ndihen pjesë e një komuniteti, pavarësisht largësisë gjeografike. Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, media dhe kultura në gjuhën shqipe bëhen jo vetëm mjete komunikimi, por edhe instrumente të ruajtjes së identitetit kombëtar. Për këtë arsye, roli i tyre është i çmuar dhe i pazëvendësueshëm.



Gjithashtu vizituat Federatën Pan-Shqiptare "Vatra", një nga institucionet më të rëndësishme të historisë së diasporës shqiptare. Çfarë përfaqësoi për ju ky takim?


Vizita në Federatën Pan-Shqiptare "Vatra" ishte një nga momentet më domethënëse të qëndrimit tim në Nju-Jork. Të vizitoja “Vatrën” e Nolit dhe të Konicës, institucionin që për më shumë se një shekull ka qenë dhe është simbol i organizimit dhe ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve në Amerikë, ishte një emocion i veçantë dhe një nder i madh. Në mjediset e “Vatrës” dukej sikur jehona e veprës së Fan Nolit, Faik Konicës dhe e patriotëve të tjerë vazhdonte të jetonte ende. Ishte prekëse të mendoje se nga ato hapësira kanë jehuar zëra, që kanë mbrojtur çështjen shqiptare në periudha vendimtare të historisë sonë.

Kjo vizitë më kujtoi se diaspora shqiptare nuk ka qenë thjesht një komunitet emigrantësh, por një forcë e rëndësishme kombëtare. “Vatra” e Nolit dhe e Konicës është dëshmi e gjallë, se dashuria për atdheun nuk zbehet nga largësia, por shpesh bëhet edhe më e fortë. U largova prej andej me krenari dhe mirënjohje të thellë për trashëgiminë që këta kolosë të kombit na kanë lënë. Për mua, vizita te “Vatra” ishte një takim me historinë, me rrënjët dhe me idealet më të larta të shqiptarisë dhe se sot atë institucion e drejton një njeri patriot me plot dashuri dhe shpresë për atdheun.



Nëse do ta përmblidhni këtë përvojë në një faqe libri për fëmijë, cili do të ishte mesazhi kryesor?


Mesazhi do të ishte i thjeshtë, por i rëndësishëm: rrënjët tona na ndjekin kudo që shkojmë. Mund të jetosh mijëra kilometra larg Shqipërisë, mund të rritesh mes gjuhëve dhe kulturave të ndryshme, por nëse e mban në zemër gjuhën, historinë dhe vlerat e tua, atdheu jeton brenda teje. Në një faqe libri për fëmijë ndoshta do të mbyllja me këto fjalë: "Atdheu nuk është vetëm vendi ku lind. Atdheu është edhe gjuha që flet, kujtimet që ruan, këngët që këndon dhe dashuria që mban në zemër, kudo që të çojë jeta."



Pas kthimit në Shqipëri, çfarë mendoni se duhet të bëjmë më shumë për të mbështetur shkollat shqipe dhe nismat kulturore në diasporë?


Pas kësaj përvoje, u binda edhe më shumë se shkollat shqipe në diasporë nuk duhet të mbështeten vetëm nga vullneti dhe sakrifica e mësuesve e prindërve, por të kenë një mbështetje më të madhe institucionale dhe shoqërore. Ata po kryejnë një mision të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, ndaj meritojnë më shumë vëmendje dhe përkrahje. Mendoj se duhet të shtohen programet që u sigurojnë këtyre shkollave libra, materiale didaktike dhe aktivitete kulturore të përshtatura për fëmijët që rriten jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, duhet të krijohen bashkëpunimet mes autorëve, artistëve, institucioneve kulturore dhe shkollave të diasporës, në mënyrë që fëmijët të kenë kontakte të drejtpërdrejta me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Por, mbi të gjitha, duhet t'u japim këtyre mësuesve dhe komuniteteve atë që meritojnë më shumë: vlerësimin. Shpesh nuk e kuptojmë se sa punë, sa dashuri dhe sa sakrifica fshihen pas një klase të vogël shqipe që funksionon në një qytet të largët të botës. Vizita ime më tregoi se ata janë ambasadorë të heshtur të kulturës sonë dhe se investimi tek ata është investim tek e ardhmja e shqiptarisë. Ruajtja e gjuhës dhe identitetit në diasporë nuk është vetëm detyrë e atyre që jetojnë larg atdheut, por është përgjegjësi e të gjithë neve.



Dhe në fund, kur mendoni për Nju-Jorkun sot, cili është imazhi i parë që ju vjen në mendje: një qytet i madh amerikan apo një copëz Shqipërie e vendosur përtej Atlantikut?


Sigurisht që Nju-Jorku mbetet një nga qytetet më të mëdha dhe më mbresëlënëse të botës, por pas kësaj vizite, imazhi i parë që më vjen në mendje nuk janë rrokaqiejt, dritat apo ritmi i vrullshëm i metropolit. Janë fytyrat e njerëzve që takova, fëmijët që këndonin shqip, mësuesit e përkushtuar, prindërit që sakrifikojnë për t'u ruajtur fëmijëve gjuhën dhe rrënjët. Kur mendoj për Nju-Jorkun, më vjen ndër mend një copëz Shqipërie e vendosur përtej Atlantikut. Një Shqipëri që jeton në zemrat e njerëzve, në klasat e shkollës shqipe, te këngët, librat dhe kujtimet që ata ruajnë me aq dashuri. Ndoshta gjëja më e bukur që mora me vete nga ky udhëtim ishte pikërisht kjo: bindja se Shqipëria nuk mbaron te kufijtë e saj gjeografikë. Ajo vazhdon të jetojë kudo ku flitet shqip, kudo ku ruhet kujtesa e rrënjëve dhe kudo ku një zemër shqiptari rreh me mall e krenari për vendin e vet.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

81 Lexime
3 orë më parë