Takim letrar frymëzues në shkollën 9-vjeçare të Golemit me autoren dhe redaktoren Sevi Lami Agolli

Në shkollën 9-vjeçare të Golemit u zhvillua një takim letrar, ku nxënësit dhe mësuesit krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe plot respekt për librin. Autorja Sevi Lami Agolli ndau përvoja dhe vepra, ndërsa nxënësit dëshmuan dashuri për leximin dhe kulturën. Një festë e bukur e dijes dhe gjuhës shqipe.

Në ambientet e ngrohta të shkollës 9-vjeçare në Golem u zhvillua një takim letrar mbresëlënës, i cili u shndërrua në një festë të bukur të librit, gjuhës shqipe dhe komunikimit me brezin e ri. Që në hyrje, mikpritja e përzemërt nga stafi i shkollës, së bashku me përkushtimin e mësueseve dhe të gjithë nxënësve, krijoi një atmosferë të veçantë respekti dhe dashamirësie.


Nxënësit, të edukuar dhe mjaft të përgatitur, surprizuan autoren e ftuar, Sevi Lami Agolli, me një fjalë të ngrohtë mirëseardhjeje, të shoqëruar me duartrokitje të sinqerta dhe me një buqetë lulesh si shenjë nderimi për autoren. Një organizim i kujdesshëm dhe tepër njerëzor, ku veçanërisht u ndie puna dhe përkushtimi i mësues Arsenit, drejtoreshës Saida Kazazi, si edhe i të gjithë stafit të shkollës.

Biblioteka e shkollës ishte mbushur plot me nxënës të grupmoshave të ndryshme, të cilët ndoqën me vëmendje bisedën mbi një temë sa delikate, aq edhe të domosdoshme për kohën tonë: përdorimi i drejtë i gjuhës shqipe nga fëmijët dhe nga të gjithë shqiptarët. Diskutimi u ndal edhe te rëndësia e leximit, si themel i formimit kulturor dhe intelektual të çdo individi.


Një nga momentet më inkurajuese të takimit ishte fakti se mes nxënësve kishte lexues të rregullt dhe të apasionuar pas letërsisë. U përmend me krenari se nxënës të klasave të nënta kishin lexuar autorë të njohur botërorë, si Franz Kafka, Xhejm Xhojs etj., çka dëshmon për një nivel të admirueshëm kulture dhe kërshërie intelektuale.


Në vijim, autorja prezantoi për nxënësit dy veprat e saj, “Gënjeshtra të bardha” dhe “Hajdutja e buzëqeshjeve”, duke ndarë me ta problematikat shoqërore dhe njerëzore që trajtohen në këta libra. Bashkëbisedimi me nxënësit ishte i gjallë, me pyetje të mençura dhe interes të dukshëm për letërsinë.

Ky takim tregoi edhe një herë se shkolla mbetet vatër e dijes, e edukimit dhe e dashurisë për librin. Kur mësuesit punojnë me përkushtim,e dhe nxënësit rriten me kulturë leximi, e ardhmja fiton më shumë dritë.

Faleminderit për këtë takim mbresëlënës shkolla nëntëvjeçare “Golem”!




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

103 Lexime
3 orë më parë