Takim përkujtimor në shkollën "Met Hasa" në Durrës mbi veprën "Djemtë e luftës", me pjesëmarrjen e Edlira Dedjes
Takim përkujtimor në shkollën "Met Hasa" në Durrës me Edlira Dedja, e bija e shkrimtarit Bedri Dedja, mbi romanin e tij "Djemtë e luftës", me pjesëmarrjen e LANC. Në nder të 5 Majit u kujtua heroi Met Hasa dhe u përcoll mesazhi i paqes, historisë dhe edukimit të brezave të rinj.
Në shkollën “Met Hasa” në Durrës u zhvillua një takim përkujtimor dhe letrar me Edlira Dedja, në nder të veprës “Djemtë e luftës” të shkrimtarit të ndjerë Bedri Dedja, me pjesëmarrjen e LANC me degë në Durrës.
Veprimtaria u organizua në kuadër të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, duke i kushtuar një homazh të veçantë heroit të popullit Met Hasa, emrin e të cilit mban edhe shkolla, si simbol i sakrificës dhe qëndresës.
Në një atmosferë mikpritëse dhe reflektuese, vjaza e Bedri Dedjas, Edlira Dedja, u ndal te rëndësia e kësaj dite në kujtesën historike dhe edukimin e brezave të rinj. Ajo solli në vëmendje një mesazh universal për paqen, duke cituar: “Sot, në ditën e 5 majit, të kësaj dite të shenjtë të përkujtimit të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e atdheut, kam shkëputur një copëz për t’ua lexuar nga Kushtetuta e UNESCO-s, shkruar që në vitin 1945. Meqenëse luftërat fillojnë në mendjet e njerëzve, është në mendjet e njerëzve që mbrojtja e paqes duhet të ngrihet...”
Më tej, ajo u ndal te figura e Met Hasës dhe te vepra e Bedri Dedjes, duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike:
“Eshtë e drejtë që ju ta njihni historinë e tij dhe një gjë e tillë është bërë e mundur nga dëshmia që na lë trashëgim shkrimtari i njohur për fëmijë, Bedri Dedja, me romanin ‘Djemtë e luftës’.”
Duke sjellë në vëmendje aktin heroik të vogëlushit Met Hasa, ajo u shpreh:
“Historia e Met Hasës, vogëlushit që me gjoksin e tij të njomë mbuloi tytën e mitrolozit nazist, është një histori e rrallë, sa heroike, aq edhe e dhimbshme…”
Në vijim, Edlira Dedja foli edhe për vështirësinë e kuptimit të historisë nga brezat e rinj dhe rolin e letërsisë në këtë proces:
“Ju e keni të vështirë të imagjinoni realitetin e konflikteve të tilla… ju e keni të vështirë të imagjinoni se si lufta goditi civilët më shumë se ushtarakët…”
Ajo theksoi se romani “Djemtë e luftës” mbetet një dëshmi e gjallë e kohës:
“Romani ‘Djemtë e luftës’ është një rrëfim i rrallë biografik… një kronikë e gjallë e asaj kohe, ilustruar me ngjarje që zbulojnë momente të brishta të fëmijërisë.”
Në të njëjtën kohë, ajo nënvizoi edhe vlerën përkujtimore të veprës për qytetin e Durrësit:
“Ky roman është edhe një homazh për qytetin e Durrësit dhe për rezistencën që ky qytet i bëri pushtimit që nga dita e parë.”
Në përmbyllje, ajo u ndal te rëndësia e edukimit historik përmes shkollës dhe librit:
“Njohja me historinë na ndihmon të rritemi dhe të ballafaqohemi me realitetin, për të mos lejuar kurrë më që këto tragjedi të përsëriten.”
Takimi u mbyll me diskutime dhe interes të gjallë nga nxënësit dhe të pranishmit, duke u shndërruar në një dialog mbi historinë, letërsinë dhe kujtesën kolektive.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Flori Kasaj: Libri si mision personal dhe përgjegjësi publike
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur
Takim letrar frymëzues në shkollën 9-vjeçare të Golemit me autoren dhe redaktoren Sevi Lami Agolli