Reflektim

Telefonata e orës 04

Kërkoni të zbuloni sa më shumë për botën dhe zhvillimin tuaj intelektual, duke mos e kufizuar veten vetëm në kufijtë e “telefonit” e në veçanti duke përjetuar “stresin e kobshëm” se u duhet t’u ktheni përgjigje disa qindra mesazheve të ardhura në adresën tuaj.

Nga Evans Drishti

 

S’të zinte gjumi atë natë, e s’kishte si të të zinte natyrshëm…

Një ndjesi e thellë të mbërthente shpirtin e rraskapitur nga malli…

Mendja s’e linte syrin të shihte asgjë përreth, pasi preokupohej vetëm me momentin dhe drithërimat shpirtërore që do sillte ora 04’

As buka s’të shkonte atë natë, teksa mendoje se ç’bisedë do bëhej në atë minutazh të shkurtër telefonik…

Kishin kaluar kohë pa komunikuar me “gjakun” që rridhte atje tutje, shumë përtej, matanë oqeanit…

Shumë gjëra dëshironte zemra të fliste, por mendja “karikonte” minutazhin…

Si të formulohej ajo “e shkretë” fraze apo edhe fjalie, që mezi priste të përçonte një ndjesi malli diku përtej, drejt një zemre që s’kuptohej si rrihte për shkak të largësisë dhe mungesës së një pamjeje “misterioze”…

Ngriheshin me “rrëmbim”in që sillte stresi i momentit dhe merrnin udhën drejt “postës” ku priste “centrali” dhe ndërkohë që merrej “aksesori” i telefonit, dora seç pësonte një “drithërimë” emocionuese” që rënqethte tërë shpirtin e evakuar.

S’kuptohej “minuti” si kalonte, e ndërkohë mjaftohej gjithçka vetëm me një “dëgjim” të zërit që vinte nga “përtej”… Një mendje “e përgjumur” që vërtitej dhe qante si me dënesë për të kuptuar “zërin e ngrohtë” dhe “mallëngjyes” të njeriut të dashur që priste përtej “kufirit” …

I gëzoheshin frazës “Mirë jemi!”, e cila këtë herë mbarte një tjetër peshë “mbreslënëse”… Dhe ajo frazë përcillej e përcillej me ditë të tëra… muaj… pse jo dhe vite… Një “botë e mbyllur” kishte patur fatin të “kryente” një “bisedë telefonike” me një “botë të jashtme” sa për të dëgjuar “një zë”…

 

“30”, “50”, “100” impulse…

Të tilla ishin kartat e asokohe, që ofroheshin për kryerjen e një “telefonate” që s’zgjaste më shumë se “2 minuta”, por që në të vërtetë të dukeshin si “dy orë”…

S’ekzistonin celularët në atë kohë, e ndërkaq ishte një “luks” i madh të disponoje një “aksesor” brënda në shtëpi. Të paktë ishin familjet që kishin “numra fiks” në shtëpitë e tyre. E ndërkaq ishte edhe “fati i tyre” të prisnin e të përcillnin miqtë e afërt apo të largët që do të “kryenin” një telefonatë me të dashurin e tyre të zemrës.

Karta “30” apo “50” impulsesh merrej sa për të telefonuar “komshiun” apo “të afërmin” që dispononte telefonin, që ti njoftonte familjarët se të nesërmen në një “x orë” priteshin” për një telefonatë.

Ç’kënaqësi!…

Ç’mbresa të pashlyeshme!…

Të nesërmen familjarët vraponin me të shpejtë në “orarin e shumëpritur” drejt shtëpisë së “komshiut fatlumë”, trokisnin “të ndrojtur” për shqetësimin që po u sillnin, kërkonin “ndjesë” apo “hallallëk” si një “shlyerje” e “dëmit” të shkaktuar, madje në shumë raste s’mungonin as “dhuratat” simbolike” si në këmbim të “nderit” që u bëhej…

Me t’u dëgjuar “zilja e shumëpritur” e telefonit, zemrat rrihinin fort, e ndërkohë sytë dridheshin se “kërkonin” të përloteshin, por ja që në shtëpinë e komshiut sikur s’shkonte “përlotja”…

E ç’të flisje në atë telefonatë!?…

Emëruesi i përbashkët i besadës ishte vetëm fjala “Mirë!” edhe pse natyrshëm asgjë s’ishte për “MIRË!…

 

Whatsap’i  i bekuar…

 

Ja dhe koha e internetit!…

Ja dhe koha e lumturisë masive!…

S’është nevoja të mbash “stress” për të “shuar” një “mall”, pasi pikërisht sot nuk ka ngelur më “MALL!”

S’është nevoja të ngelësh zgjuar tërë natën në pritje të “orës 04’” për të kryer “telefonatën e ëndrrës!…

S’është nevoja të trokasësh tek “komshiu” fatlum i telefonit fiks!…

Madje s’është nevoja tashmë të kesh as një “telefon fiks”!…

Teknologjia me zhvillimet e saj marramendëse hoqi tashmë “distancat” e pamatshme duke i afruar njerëzit jo vetëm nga “zëri”, por edhe nga pamja”

Por… Kujdes!…

Teknologjia po heq edhe “privatësinë” si një mbështetëse dhe mburojë e “identitetit”.

Nuk mjaftohen familjarët tashmë të “marrin vesh” si janë fëmijët apo të afërmit e tyre, por interesimi kalon çdo kufi të privatësisë.

Nëpërmjet “fotove”, “videove” apo telefonatave me pamje familjarët informohen për shumë e shumë detaje, të rëndësishme apo të parëndësishme, të vlefshme apo të pavlefshme…

Megjithatë “kurioziteti” nuk shuhet asnjëherë…

Ajo çfarë duhet të përfitohet nga “ky zhvillim” i teknologjisë është “të kuptuarit” se ekziston një “tjetër” botë, përveç asaj që të rrethon përditshmërinë dhe një “tjetër” botëkuptim për veten, tjetrin dhe jetën në përgjithësi.

Prandaj mbetet “domosdoshmëri” dhe “kusht” të kuptojmë se ajo që duhet ndryshuar në të mirën e zhvillimit tonë është “mendësia” dhe “mentaliteti” për të përfituar sa më shumë nga lehtësimet që ofron “realiteti jetësor”

 

Prandaj;

Ju prindër!…

Duajini fëmijët me natyrën dhe kompelsitetet e tyre, me vizionet dhe botëkuptimet përkatëse që të kuptoni sa të rritur janë…

Kuptojini fëmijët dhe botën e tyre, pavarësisht moshës që kanë, sepse çdo ide apo gjykim që sjellin përbën një degëzim të rrugëtimit tuaj…

Besojini dhe mos krijoni marrëdhënie “varësie” me idenë se kanë nevojën tuaj për çdo hap që hedhin, krijohuni mundësinë që fëmija të ecë vetë në hapat e jetës…

Mos harroni, të dashur prindër, se nuk ka kaluar për ju koha dhe mosha e leximit, që të kuptoni procesin e rritjes dhe zhvillimit të fëmijës suaj…

 

Ju të rinj!…

Tregohuni të ndërgjegjshëm me jetën tuaj dhe krijoni “pavarësinë” që ju duhet.

Jo çdo veprim në përditshmërinë tuaj është i nevojshëm “t’u rrëfehet” familjarëve” pasi çdo individ ka dhe duhet të ketë “identitetin” e tij “të paprekshëm”…

Besojini vetes dhe këmbëngulni të zhvilloni intelektualitetin tuaj që padyshim nis në një rrugë pa mbarim me “leximin” dhe “zhvillimin moral”…

Kërkoni të zbuloni sa më shumë për botën dhe zhvillimin tuaj intelektual, duke mos e kufizuar veten vetëm në kufijtë e “telefonit” e në veçanti duke përjetuar “stresin e kobshëm” se u duhet t’u ktheni përgjigje disa qindra mesazheve të ardhura në adresën tuaj.

Mos ia lejoni vetes të keni dy ditë të njëllojta, pasi fuqia juaj e kapërcen “njëtrajtshmërinë”…

1,339 Lexime
2 vjet më parë