Veprat e rijetësuara

T’i japësh jetë veprave ikonike të artit shqiptar edhe në tekstet shkollore...

Këtë vit rijetësimi i veprave të artit shqiptar duket se po merr vëmendjen e merituar. Botuesja Rita Petro ka vlerësuar projektin kombëtar për dhënien jetë të ikonave të historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, ndërsa flet edhe për përfshirjen e tyre të kahershme në tekstet shkollore.

Nga Nanila Allkja Biçaku 


Rijetësimi i veprave ikonë të artit është thelbësor për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe artistike, duke siguruar që këto vepra të mund të shijohen dhe vlerësohen nga brezat e ardhshëm...


Në vendin tonë diçka ka nisur në këtë drejtim...


Në Vitin e Gjuhës Shqipe dhe në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, nxënësit e shkollave të të gjithë vendit i japin jetë veprave ikonë të artit shqiptar, të cilat përfaqësojnë personalitete të rëndësishme të historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, duke rikthyer në vëmendje ngjarjet dhe figurat që kanë ndikuar në historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar. Konkursi i veçantë është mirëpritur dhe përkrahur tashmë nga të rinjtë tonë. 


Një prej tyre që ka spikatur është edhe portretizimi i “Vajza në oborr” i piktorit Jakup Keraj, pjesë e Koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve që është realizuar aq bukur nga dy motra, Hulja dhe Evra Efovija, maturante të gjimnazit “28 Nëntori” Shkodër.

Riportretizimi i pikturës së Jakup Keraj "Vajza në oborr", realizuar nga Hulja dhe Evra Efovija 

Hulja, e cila ka bërë riportretizimin, rrëfen për Portalin Shkollor ALBAS për realizimin e veprës së miksuar mes origjinales dhe të resë së digjitalizuar. 

Në foto motrat Hulja dhe Evra Efovija


“Arti është vlerë dhe promovon vlerat, kështu që unë së bashku me motrën, Evrën, menduam të bëjmë diçka modeste, të bukur dhe të realizueshme. Vepra që kemi zgjedhur ‘Vajza në oborr’ e piktorit të famshëm Jakup Keraj ka qenë një kënaqësi e madhe për ta riportretizuar. Ne morëm mendimin edhe të disa mësuesve tona dhe këtu gjej rastin t’i falënderoj, si mësuesen Albana Bushatin, Alketa Krajën, Alketa Arën, Alidën, që na dhanë ide dhe na mbështetën për të realizuar këtë produkt. Në momentin e parë që pashë portretin, më bëri përshtypje qëndrimi dhe shikimi i vajzës dhe pikërisht ne u përqendruam te këto elemente. Na pëlqeu natyrshmëria e autorit dhe krijimtaria e tij dhe thamë më të bukur se kaq nuk mund të gjejmë. Unë dhe Evra, motra ime, kemi shumë pak muaj diferencë në moshë, kështu që çdo gjë dhe çdo projekt e kemi realizuar bashkë dhe kjo ishte gjithashtu një punë e përbashkët. Ne jemi ndalur te detajet, kemi realizuar vajzën, kemi analizuar qëndrimin e saj. Kemi bërë shumë prova gjithashtu për t’u përshtatur sa më shumë foto me pikturën. Foton e realizuam në oborrin e shkollës që mund ta përshtatnim riportretizimin edhe me sfondin e portretit. Ndërkohë edhe fustanin e kam realizuar thuajse identik me atë të vajzës në pikturë. Në fakt modifikova fustanin e trashëguar nga gjyshja ime. Besoj se produkti doli mirë në fund”, ka thënë kështu maturantja që u vlerësua për riportretizimin e pikturës “Vajza në oborr” e piktorit shkodran Jakup Keraj. 


Një vlerësim për këtë projekt e ka dhënë poetja, autorja e teksteve shkollore, por edhe botuesja, Rita Petro e cila thekson rëndësinë e lidhjes së të shkuarës me të sotmen në art dhe realitet, ndërsa të rinjve, sipas saj, kjo gjë u zhvillon imagjinatën.


“Unë do ta quaja ngazëllues projektin për njohjen e tablove të famshme nga piktorët shqiptarë ndër vite. Fotografitë mbi bazë ngjashmërinë e bëjnë shumë interesant projektin dhe shumë të vlefshëm për edukimin artistik të të rinjve” tha Rita Petro në një prononcim për Portalin Shkollor. 


Nga ana tjetër, integrimi i veprave ikon të artit në tekstet shkollore është një mjet i fuqishëm për edukimin gjithëpërfshirës të nxënësve. Ai ndihmon në zhvillimin e një gamë të gjerë aftësish dhe vlerash, nga mendimi kritik dhe kreativiteti deri te ndërgjegjësimi kulturor dhe empatia. Kjo bën që rijetësimi i këtyre veprave në kontekstin edukativ të jetë një investim i rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë.


Në programet e hartimit të këtyre teksteve, integrimi i veprave ka qenë ndër kërkesat ndërkurrikulare. 


Ajo çka është edhe më e veçantë, ka të bëjë me faktin se në tekstet shkollore që botohen prej Shtëpisë Botuese ALBAS, ndër më të mëdhatë në vend e në trevat shqiptare, prej vitesh janë integruar me një përzgjedhje tejet cilësore imazhe të pikturave të artistëve të shquar shqiptarë e të huaj, dhe padyshim kjo gjë flet për edukimin artistik të të rinjve në një formë kaq estetike, fine, por që u fal atyre edhe një logjikë të menduari me këndvështrime të ndryshme realizimi. 

 

Rita Petro, poete, autore tekstesh shkollore, botuese


“Në tekstet tona ne kemi vite që i kushtojmë kujdes integrimit të njohurive letrare dhe gjuhësore me ato të arteve figurative, kryesisht me pikturën, por edhe me fotografinë. Kjo është bërë me qëllim që nxënësi të arrijë të kuptojë se mbi një temë të njëjtë ka këndvështrime të ndryshme apo forma të ndryshme realizimi. Një piktor zgjedh ngjyrat, shkrimtari fjalët, skulptori materialin e ngurtë, muzikanti tingujt. Duke bërë krahasimin nxënësit jo vetëm zgjerojnë njohuritë, por marrin pjesë aktivisht në projekte dhe aftësohen në drejtime të ndryshme. Kështu, p.sh., në tekstet tona mund të gjesh integrime të tilla, si: fragmentet nga 'Cikli i kreshnikëve' janë shoqëruar me grafikat e mirënjohura të Gazmend Lekës; eseja e Konicës ku përshkruan shqiptarët me tablonë 'Çifti nga Labëria' të Maks Velos;

Ilustrim "Gjuhë shqipe 10" Albas 


 'Vdekja e nositit' e Lasgush Poradecit me tablonë 'Nositi dhe zogjtë' të Anastas Kostandinit; 

Ilustrim "Letërsi 12" Albas 


'Kroni i katundit' i Ernest Koliqit me tablonë 'Te pusi i fshatit' e Simon Rrotës; 

Ilustrim "Gjuhë shqipe 8" Albas 


poezinë 'Lule dielli' të Dritëro Agollit me 'Lule dielli’ të Van Gogh-ut; 

Ilustrim "Gjuhë shqipe 8" Albas 


portretit të Tefta Tashko Koços i është pranëvënë një fotografi e vajzës së saj muzikante, në të njëjtën pozicion ulur në karrige, me flokët kurorë dhe qafën e përkulur, realizuar nga Roland Tasho; apo, kur u kërkohet nxënësve të bëjnë një tekst përshkrues me një nga fotografitë e famshme të Gjon Milit, 'Life' etj. Ndaj më pëlqeu shumë projekti kombëtar, sepse u jep jetë imazheve, lidh të shkuarën me të sotmen, artin me realitetin; zhvillon imagjinatën te të rinjtë, i bën ata aktivë në përjetim, por dhe në realizim”, tha botuesja Rita Petro. 




Tekstet shkollore moderne ose siç ndryshe quhen, të digjitalizuara përfshijnë mjete multimediale si skanime digjitale, video dhe vizualizime interaktive të veprave ikonë të artit. Kjo e bën mësimin më tërheqës dhe ndihmon nxënësit të angazhohen më shumë me materialin.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

434 Lexime
1 muaj më parë