Ese

“Vajza, ju mund të arrini gjithçka”

"Edhe nëse nuk të besojnë, nuk të mbështesin, mbahu fort e dashur! Ti s’ke nevojë për to. Ti mund t’ia dalësh edhe vetë. Ti mundesh! Sepse je vazhdimësi e jetës, edhe e atij burri që s’do ishte nëse nuk do ishe ti."

“Është vajzë!”- thanë.

Edhe pse qeshën si të gëzuar, thellë në zemër ata nuk ishin.

Nuk ishte kjo ajo që ata donin. Ata donin djalë. Që në momentin e parë kur lind foshnja, goditet nga padrejtësia. Ndahen mundësitë e saj kur është vajzë. Pritshmëritë, menjëherë zvogëlohen.


Çfarëdo që të bëj ajo nuk do të jetë e mjaftueshme për sytë e botës , kushedi, ç’të bëj, do e bëj atë si vajzë. Le të themi se ajo vajzë tregon sukses në shkollë, ua kalon të gjithëve në mësime, është e kujdesshme, trime. Ajo vendos që të ikë e të mësojë në një vend tjetër larg atyre që e kanë lindur, sepse ajo ka gjetur një shkollë ku mendon se mund të jetë e lirë, ku mendon se mund t’i shprehë talentet e saj, e të jetë vetvetja. Kjo është ëndrra e saj më e madhe dhe do që ta ndjekë.  


E di se ç’përgjigje i dhanë ?

“Jo, jo , jo! A kështu do na e kthesh? Kush do të kujdeset për ne? Përse të lindëm ne ty?

Një përgjigje aq e ftohtë e goditi vajzën e shkretë shumë rëndë. “Po ëndrrat e mia ku t’i degëdis”- tha?  “E dini së kam aq shumë ëndrra sa po më fundosni me to? Si rrohet pa ëndrra s’di!?”


Kur ajo pyeti se “pse”, e dini çka i thanë?

“Sepse ti je një vajzë”. Një fjali e vetme që fik mijëra ëndrra, shpresa, fik dhe jetë.

“Ti nuk mund të ia dalësh mbanë në një vend krejt të panjohur. Ti nuk je aq e fuqishme. Jo, ti nuk mundesh!”


Ajo s’ka fuqi më. Përpëlitet, dënes, bie e ngrihet si një sfinks.

Shumë herë kam menduar në vetvete. Besoj se dhe shumë vajza të tjera kanë bërë të njëjtën pyetje: “Ç’mund të bëja po të isha djalë?”


Mund të bëja çdo gjë. E dini pse mendon një vajzë kështu?

Sepse atë e kanë mësuar në këtë mënyrë. Që në momentin e parë që është vetëdijësuar e kanë anashkaluar, e kanë lënë pas dore. Nuk flasim për vite, por për shekuj e shekuj.

E kanë trajtuar si mos më keq.  Po jo! S’mund të vazhdoj më kështu!


Dëgjojeni këtë vajza, e mos e harroni kurrë:


Ju  jeni të fuqishme, keni fatin në dorën tuaj, mund të arrini gjithçka. E nëse dikush ju kundërshton, luftojeni atë !


Edhe nëse nuk të besojnë, nuk të mbështesin, mbahu fort e dashur! Ti s’ke nevojë për to. Ti mund t’ia dalësh edhe vet. Ti mundesh! Sepse je vazhdimësi e jetës,  edhe e atij burri që s’do ishte nëse nuk do ishe ti. 


Ata nuk kanë të drejtën e mohimit! Mos i shkatërro ëndrrat për to, por shkel mbi gjithçka për ëndrrat e tua. Me ty nisi gjithçka në këtë botë, edhe ky “dënim” i bukur këtu në tokë. Je kryefjala e gjithçkaje o grua që më mrekullon, o femër arbitre. Ne do ia dalim, ashtu siç kemi bërë gjithmonë, o zë i pathyeshëm i vullnetit njerëzor “Qëndro”! 


(Fisnike Dauti, nxënëse e vitit të tretë në shkollën e mesme Willson, Tetovë; Portali Shkollor)


***Shënim: Kjo ese ka fituar çmimin e parë në një konkurs letrar në Kërçovë 

6,757 Lexime
6 vjet më parë