“Vdekja e kukullës” nga Liza Brozi: Një univers gotik mes imagjinatës dhe errësirës
“Vdekja e kukullës” është një përmbledhje tregimesh gotike që të fut në një univers të errët e magjik, ku kukulla flasin, fantazmat bashkëjetojnë me njerëzit dhe identitetet treten. Një lexim vizual, shqetësues e elegant, që të mban pezull dhe të mbetet gjatë në mendje.
Nga Xhoina Salaj
"Vdekja e kukullës" nga Liza Brozi është nga ata libra që të japin ndjesinë se po hyn në një rruzull tjetër, ku logjika e zakonshme nuk ka më fuqi dhe ku gjithçka ndërvepron sipas ligjeve të errëta të imagjinatës. Një përmbledhje tregimesh gotike që të mban frymën pezull, të surprizon vazhdimisht dhe, ashtu pa e kuptuar, të krijon një lëmsh në grykë, njëjtë me atë ndjesinë fluturake kur diçka të trondit në formën më të këndshme të mundshme, por sërish nuk di ta vendosësh në shina.
Në këto tregime gjen me kuç e me maç: kukulla që varrosen dhe kukulla që flasin; njerëz që varrosen e zhvarrosen; të tjerë që komunikojnë me kafka, me fantazma, me pallto, me objekte që duken më të gjalla se vetë personazhet; gra që nuk duan ta shohin veten në pasqyrë, sikur aty fshihet një reflektim më i frikshëm se realiteti. Çdo tregim sjell një gjetje unike, të pazakontë, shpesh shqetësuese, por gjithmonë të mirëmenduar dhe estetike.
Personazhet, në shumicën e rasteve, nuk kanë emra, përveç ndonjë iniciali të vetmuar që shfaqet tek-tuk, dhe kjo mungesë identiteti i bën edhe më universale. Më shumë ngjajnë me gjendje shpirtërore sesa me njerëz të vërtetë. Janë zëra, hije, prani që kalojnë nga faqja në faqe dhe të lënë pas një ndjesi të ftohtë, por jo boshe. Përkundrazi, kuptimplotë.
Stili i të shkruarit është shumë vizual. Tregimet lexohen shpejt, sikur të kanë vënë litarin në fyt e të tërheqin në vorbullën e krijuar. Mospërmendja e asnjë vendi shqiptar të krijon ndjesinë se po lexon një libër që nuk i përket një gjeografie të caktuar; tregime që mund të kishin ndodhur kudo gjetkë, duke i dhënë veprës një frymë të qartë europiane, të rafinuar dhe bashkëkohore.
Një petk gotik dhe magjik vesh çdo kukull të këtij libri me 11 tregime. Errësira shfaqet në formën më elegante të mundshme; shqetësimi nuk të imponohet, ama të ndjek ngadalë. Një nga ata libra me tregime që e lexon me etje, e mbyll me sy të kapsallitur dhe, pa e menduar dy herë, e sugjeron menjëherë te miqtë e tu. Disa libra nuk duhen mbajtur vetëm për vete.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana
Libri, ky tempull i pavdekshëm, që komunikon në çdo kohë me lexuesin
“Ferma e kafshëve” në Teatrin Eksperimental