Shkrim motivues

Vepro! Bëje ti atë që do të doje ta kishin bërë të tjerët!

Artikulli më poshtë përmbledh disa rreshta motivues të shkruar nga nxënësja Natali Tabaku, nxënëse e klasës së IX të shkollës 9-të vjeçare "7 Dëshmorët", fshati Strum, rrethi Fier.

A e ke menduar ndonjëherë se sa vlerë ke? Se mund të jesh ti ai/ajo që ke në dorë të ndryshosh jo vetëm të ardhmen tënde, por edhe një pjesë nga gjithçka që të rrethon? Epo shumica jo, e sidomos vajzat, sepse askush prej nesh nuk  është totalisht i vetëdijshëm për fuqinë që mbart. Na ndodh që të shohim gjëra të gabuara ,korrupsion, bullizëm madje edhe dhunë dhe thjesht heshtim. Shohim padrejtësi, heshtim. Duam një botë ndryshe ,por sërish zgjedhim të heshtim, duke harruar që nëse nuk e përcjellim zërin tonë, asgjë nuk ka për të ndryshuar.


Mora idenë për ta shkruar këtë artikull për t'i bërë të gjithë ata që e lexojnë të kuptojnë se sa shumë kanë në dorë të bëjnë ,se duhet të përpiqemi për ta bërë këtë botë më të mirë e nëse ende jeni duke i thënë vetes se nuk mundeni kujtoni: Nëse nuk e nisim ne ndryshimin, kush do e bëjë? 


Gjithçka nis nga gjërat e vogla mendoj, në momentin që zgjedh të veprosh, të ndjekësh ëndrrat e tua e të japësh dorën tënde drejt botës nga e cila do të rrethohesh. Mund ta nisim duke bërë diçka të mirë për njëri-tjetrin, duke dhënë idetë tona, duke mbjellë një pemë, megjithatë i gjithë “sekreti” është tek të besuarit dhe vendosjes në punë të aftësive që kemi. Ndoshta jo çdokush ka prirje të mëdha, ama të gjithë kemi anët tona të mira dhe ato të dobëta. 


Nëse të gjithë japim më të mirën tonë, vendosim të flasim atëherë kur duhet e të mos bëjmë indiferentin atje ku diçka nuk na pëlqen, dalëngadalë të paktën do të lëmë një gjurmë në këtë botë, sepse gjithçka është kalimtare, madje edhe vetë ne. Vepro! Bëje ti atë që do të doje ta kishin bërë të tjerët! Lër gjurmën tënde!



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.    

2,593 Lexime
2 vjet më parë