Si ta kuptojmë sjelljen e mirë - një rrëfim simbolik edukativ
“Si ta kuptojmë sjelljen e mirë - një rrëfim simbolik edukativ”, nga mësuese Drita Gjaci Topjana, sjell përmes një alegorie mesazhe mbi sjelljen e mirë, vlerat morale dhe ndikimin e zgjedhjeve në jetën tonë, duke nxitur reflektim dhe edukim tek lexuesi.
Autorja: Drita Gjaci Topjana
Mësuese e Arsimit Fillor
Ishte një ditë e bukur pranvere. Meqë në pranverë çdo gjallesë i rikthehet ripërtëritjes, dielli që shndrit dhe i jep ngjyrë gjithçkaje në gjithësi mendoi se, si çdo herë, edhe këtë pranverë, ta bëjë si duhet punën e tij. Për këtë ai shtriu rrezet e tij të arta deri në skutat më të thella dhe më të errëta të tokës.
Atë ditë, nga lart, ai vuri re se disa bimë në planetin me emrin Premtimi po i bënin hije dhe hile njëra-tjetrës, duke u zënë rrezet që të mos u shkonte drita e diellit. Por pa dritën e diellit asgjë nuk shkëlqen. Ato do të rriten të plogështa, të dobëta, nuk do të kenë fuqi t’i rezistojnë kohës, – tha me vete dielli. Dielli u inatos shumë me këto sjellje të pahijshme të këtyre bimëve.
Kështu ai mendoi të dërgonte në planetin Premtim Rrezen e tij të Artë, që të vendoste drejtësi duke u hapur sytë dhe veshët bimëve, që të ushqeheshin si duhet. Sepse me sjelljen e tyre dukej se ato, edhe pse kishin sy, nuk shikonin asgjë, edhe pse kishin veshë dëgjonin, por prapë nuk kuptonin asgjë. Ndërsa ushqimi i tyre ishte i dëmshëm dhe shumë i varfër.
Rrezja e Artë, nëpërmjet fuqisë së diellit, shihte, dëgjonte, kuptonte dhe ndihmonte secilën prej bimëve në heshtje. U kërkonte llogari atyre që kërkonin këshilla prej saj, por kurrë nuk tregonte kush i kishte dëmtuar, që të mos shtoheshin inatet dhe padrejtësitë, që të mos kishte luftëra e gjakderdhje, dhe mbi të gjitha të mos humbnin apo dëmtoheshin më shumë jetë bimësh.
Në fillim Rrezja e Artë duroi dhe priti që bimët e shtrembëra, të cilat u bënin hije e hile të tjerave, të reagonin pozitivisht dhe të kuptonin gabimin e tyre. Faktikisht ato po dëmtoheshin edhe vetë, sepse po humbisnin gjethet njëra pas tjetrës, por nuk e kuptonin si po e dëmtonin veten.
Ato ishin aq “të trasha” sa kot kishin shkuar në shkollë disa prej tyre, pasi nuk kishin mësuar atë që duhej dhe si duhej. Kjo ishte më e keqja, sepse shumë prej tyre u vranë, disa mërguan, disa u sëmurën, disa mbetën me aftësi të kufizuara; lindnin fëmijë me defekte për shkak të sjelljes së tyre që pasohej brez pas brezi. Disa nuk u martuan fare, disa nuk lindnin fëmijë, disa dëmtonin veten dhe prapë nuk ndryshonin sjellje.
Bimët e drejta, Dielli i mbronte me rrezet e tij, madje në çastet e fundit u shpëtonte jetën atyre që dëmtoheshin nga të tjerat. Por edhe këtë, bimët e këqija nuk arrinin ta kuptonin.
Pra, bimët që ekzistonin “kot” në planetin Premtim jo vetëm që nuk kuptonin, por shtonin edhe më shumë hijen e zezë aty. Ato nuk lodheshin as të mësonin, as të lexonin, por mendonin se gjërat e mira vijnë vetë, pa mund dhe me dredhi ndaj të tjerëve.
Disa bimë të mira, edhe pse ishin të tilla, ndikoheshin nga historitë dhe bisedat e këqija që dëgjonin, dhe filluan të gabonin pa dashje, duke dëmtuar veten dhe familjen, sidomos fëmijët e tyre, që ishin gjëja më e çmuar për to.
Në fillim ndiheshin të qeta, por me kalimin e kohës, fëmijët e tyre – që ishin gjethet dhe lulet – filluan të ziheshin, të ndaheshin dhe të mos përputheshin më me njëri-tjetrin. Pasuria shpirtërore u zëvendësua me pasuri materiale, u humb durimi dhe dashuria. Gjethet e tyre u shpërndanë larg, disa madje morën edhe rrugët e mërgimit.
Ato bimë, në vend që të shtoheshin, filluan të vyshkeshin e të pakësoheshin. U plakën dhe u kërrusën në vetmi, në qoshet e jetës ku kishin lindur. Heshtja nuk është gjithmonë e mirë: ndonjëherë duhet të flasësh, e ndonjëherë të heshtësh për të mos lejuar shkatërrimin.
Disa gjethe fluturuan larg, kaluan dete e oqeane. Ato një ditë do të bëheshin bimë të reja, prandaj kishin nevojë për rrënjë të forta. Nga bimët e forta lindin fruta të mira dhe të shëndetshme.
Rrezja e Artë vendosi t’i ndihmonte bimët e këqija, jo t’i shkatërronte, por t’u hapte sytë dhe veshët me këshilla, që të kuptonin gabimin dhe të ndryshonin sjellje.
Ajo i mësonte që të drejtonin sytë nga drita, nga dielli, të besonin, të kërkonin ndihmë dhe të mos ngatërroheshin me hije që i dëmtonin nga brenda. Të mos mallkonin dhe të mos përdornin fjalë të liga, sepse e mira dhe e keqja nuk qëndrojnë bashkë.
Kështu, bimët filluan të ndryshonin. Duke dëgjuar këshillat e Rrezes së Artë, ato u bënë më të mira dhe më të ndërgjegjshme.
Në fund, gjethet dhe frytet që kishin mërguar larg u kthyen drejt rrënjëve të tyre, dhe vendi u bë më i bukur dhe më i lumtur.
Kështu bimët jetuan të lumtura në planetin Premtimi, duke mbajtur premtimin për një sjellje të mirë dhe të kulturuar.
Njerëzit mësojnë nga përvojat jetësore, në mënyrë që gabimet të mos përsëriten më.
P.S. Shkruar ky shkrim në ditaret e mia, në qershor të vitit 2019, në kompjuter kuptohet, (se tani i kemi dhe disa kushte, të paktën që të mos i përësisim dy herë shkrimet).
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ermal Lala: Ditari i një viti të parë, mes pasionit për shkencën dhe sfidave të sistemit arsimor
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
“Mos lejo, o Zot”, poezi nga mësuesja Drita Gjaci Topjana