Virion Graçi: Ironia tragjike e Konstandinos Kavafis, poezia dhe drama e njeriut modern
Një ese reflektuese mbi poetin e madh Konstandinos Kavafis, ku Virion Graçi ndalet te ironia tragjike, vetmia, iluzioni i lirisë dhe drama e njeriut modern. Një ftesë për nxënësit dhe mësuesit për të njohur thellësinë e poezisë botërore.
Virion GRAÇI
DRITA E IRONISË TRAGJIKE: KAVAFIS.
(Publikuar diku, 25 vite më parë)
Kostandin Kavafis jetoi në Aleksandri, larg Greqisë dhe ndodhive të saj kulturore. Kur jetonte Kavafis pak kush e njihte se cili ishte: ndonjëri nga fqinjët, të afërmit dhe shërbyesit e kafeneve ku shkonte zakonisht. Se ishte poet, madje nga poetët më të mëdhenj të shek. XX këtë se dinte askush. Kish botuar pak poezi nëpër revista, më të shumtat ua kish dhuruar miqve. Nga fundi i jetës guxuan të pranojnë diçka nga vlerat e artit të tij. Edhe kur vdiq, nuk pati nderimet e merituara…dhe… ai u kthye përsëri, pas dy vjetësh, me një libër. Bota u mahnit prej poezisë së tij, krejtësisht atipike, e pa tjetërsuar nga rrymat dhe prirjet e kohës, e paprekur nga manierat letrare dhe zhurma e salloneve poetikë. Tashmë, ngjarjet e rëndësishme të asaj kohe janë tretur në rërën e harrimit, nga aktivitetet e salloneve, ku mblidhej ajka e krijuesve të kohës mund të ketë ngelur në trashëgiminë kulturore, si kujtim, e shumta ndonjë grimcë komike. Kurse Kavafis, me një libër të vetëm, nisi udhëtimin midis lexuesve, në të gjitha anët e botës.
Në poezi, sikurse edhe në jetë, Kavafis doli nga normat e përditshme, la mënjanë natyrën dhe metrikën, me një gjuhë proze, nëpërmjet ironisë tragjike zbuloi brengat dhe dramat e njeriut të qytetit. Nëse Sofokliu e zbuloi ironinë e fatit njerëzor me tema të bujshme dhe heroina të jashtëzakonshme Kavafis, përkundrazi, zbuloi tragjedinë e padukshme të njeriut të zakonshëm dhe mishëroi artistikisht disa konstante dramatike të njeriut modern.
- Izolimin e dyanshëm, burgun masiv të një shoqërie nën pushtet tiranik, dhe burgun individual, si një vetëvrasje e pandjeshme dhe e përditshme e secilit prej nesh. Për izolimin kolektiv, shembulli më i përsosur, mbase në krejt traditën letrare botërore është poezia “Duke pritur barbarët”, d.m.th. armiqtë ose ata që nuk i përkasin qytetërimit tonë. Kur dikush sjell lajmin se në kufi s’ka të tillë (barbarë/armiq/të tjerë) gjindja mërzitet: “barbarët qenë, sidoqoftë, një lloj zgjidhjeje”. Po aq rrënues është dhe vetë-izolimi: “si nuk e pata mendjen kur i ngritën muret, kurrë nuk i dëgjova muratorët, dhe as një tingull të vetëm, pa e kuptuar më ndanë nga pjesa tjetër e botës”.
Si një udhëkryq midis vetmisë si shoqëri me vetveten dhe vetmisë në gjirin e shoqërisë është poezia “Dritaret”: “sa ngushëllim do të më sillte një dritare e hapur….mendoj se drita e re do më sillte një tirani të re, kush e di sa gjëra të reja do të më tregonte papritur.”
-Tragjedinë e besimit. Janë dy poezi: nëna që lutet para ikonës që djali i saj të kthehet sa më shpejt në shtëpi dhe ikona hesht duke e ditur se djali i saj është mbytur, e kurrë s’do të vijë. Tjetra flet për babanë e Akilit, Thetisin i cili kur mori vesh se Akili ishte vrarë, mendoi dhe për Apolonin, do të jetë mërzitur Apoloni, me siguri. Apoloni e kish bekuar martesën e tyre dhe lindjen e Akilit duke e siguruar të atin se asnjë fatkeqësi, asnjë sëmundje, asnjë e keqe nuk do ti qasej këtij djali. Ku ishte vallë Apoloni kur djali im jepte shpirt? - pyet babai fatkeq. Dhe plaku lajmëtar i thotë se Apoloni kish shkuar në Trojë e bashkë me trojanët ja kish vrarë të birin.
-Iluzioni i lirisë bëhet motiv i parapëlqyer i Kavafisit . Ai i prek të dy skajet. Perandorët dhe tiranët mendjelehtë kujtojnë se kanë kapërcyer e sfiduar gjithë kufizimet e natyrës njerëzore, ndërkohë që nuk kanë, të paktën një mik të sinqertë që, në kohën e duhur t’u shkruajë përtokë, me majën e heshtës fjalën “ik”. Tregon edhe iluzionin e të shtypurve që, duke luftuar tiranët, bëhen vetë tiranë. Domethënës është qëndrimi i poetit ndaj bashkëqytetarëve të tij, shekuj më parë protagonistë, vrasës të djalit të Qezarit - Qezarionit. Qezarioni: “I zbehtë, formë ideale e dhimbjes, shpresoi akoma te dhëmbshuria e kësaj turme të çmendur që thërriste: qezarë, jo më !”
Kavafis i këndon trishtueshëm rinisë së humbur, zbavitjeve të pakryera për shkak të moralit mbytës. Plotësinë nuk e kërkon te zotat: ngaqë jua kemi thyer statujat, ngaqë i kemi përzënë nga tempujt e tyre. Harmoninë e gjen te dashuria dhe krijimi artistik: vegimi yt udhëtoi 26 vjet dhe arriti deri këtu për të mbetur te këto vargje.
Duke kuptuar e ndërtuar i pari “gjeometrinë e absurdit”, madje para Beketit, Kafkës e Borhesit ai shqiptoi profeci të ndjera e elegante për njeriun si qenie e palumtur: “Ky është njeriu, fjalë që Lukiani e kish dëgjuar në gjumë.”
Megjithëse jetoi dhe rrëfeu tragjeditë e padukshme të fatit njerëzor, Kavafis nuk u përulet besimeve dhe normave mediokre të turmës anonime: “Nuk i njoha vargonjtë, piva nga vera më e mirë, nga ajo që pijnë bijtë e kënaqësisë.”
Kavafis kish dy vjet që tretej në tokën e faraonëve kur u botuan për herë të parë poezitë e tij. Ai nuk pati mundësi t’u gëzohej sadopak krijesave të tij të mrekullueshme. Kish vdekur me mendimin se: “Të gjitha gjërat janë të lashta, anija, mesdita, vizatimi.” Por, kjo ligjësi e plotfuqishme mposhtet nga vepra e tij letrare. Poezia e Kavafisit ringjall përditë një far aleksandrie, një zemër të pangopur me jetë, një njeri, përjetësisht të ri me buzëqeshjen e tij tragjike.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
21 shkurti, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...