Rikonstruksioni

Viti i ri arsimor do ta gjejë shkollën “1 Maji” me ambiente të reja

Projekti parashikon krijimin e ambienteve të reja sanitare, palestrës, zëvendësimin e dyerve dhe dritareve, rikonstruksionin e sistemit elektrik, të furnizimit me ujë dhe kanalizimet, por edhe të sistemit të ngrohjes dhe rrjetit kundra zjarrit

Viti i ri arsimor do ta gjejë shkollën 9-vjeçare “1 Maji” me ambiente të reja. Krahas nismave për rikonstruksionin e çerdheve dhe kopshteve të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës ka nisur punën edhe me shkollat, me synimin për të ulur orët mësimore me dy turne. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ndal për të inspektuar punimet për rehabilitimin e shkollës 9-vjeçare “1 Maji”, ku mësojnë 1015 nxënës.

“Dua t'i garantoj të gjithë qytetarët që Bashkia eTiranës do të jetë në punë, po ashtu kontraktorët, DAR-i dhe drejtuesit e njësisë administrative, për t'u siguruar që kur qytetarët të kthehen nga pushimet të gjejnë një shkollë fantastike. Shkolla “1 Maji” do të hapet në 1shtator për mbi një mijë fëmijë të zonës “Ali Demi” dhe besoj se do të jetë një nga shkollat më të mira në Tiranë. Këtu kemi investuar rreth 400 milionë lekë, çka është një shumë e konsiderueshme për një komunitet, i cili gjatë gjithë këtij viti ka paguar taksat dhe detyrimet ndaj bashkisë. Kjo është mënyra më e mirë sesi i themi komunitetit që këto para po ua kthejmë mbrapsht në investime”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Shkolla “1 Maji” është pjesë e projektit të qendrave komunitare, pra shfrytëzohet jo vetëm nga fëmijët që mësojnë aty, por edhe i gjithë komuniteti për orët e pasdites ose në fundjavë.

“Më vjen mirë që pas shkollës “Qemal Stafa”, shkolla “1 Maji” në fakt është shkolla e dytë e cila ka një rikonstruksion total me kushte moderne. Brenda këtij viti do të përfundojmë edhe 23 kopshtet. Shumica prej tyre janë pranë përfundimit dhe nëse viti i parë ishte i çerdheve, viti i dytë i kopshteve, duam që viti i tretë i Bashkisë së Tiranës të jetë viti i shkollave”, theksoi ai. Gjithashtu, ai shtoi se investimet e bashkisë së kryeqytetit në zonën “Ali Demi” do të vijojnë jo vetëm më rikonstruksionin e shkollës, por edhe me zgjerimin e rrugëve.

Rikonstruksioni i shkollës “1 Maji”, e cila është ndërtuar në vitin 1947, ka një vlerë prej rreth 44.7 milionë lekësh të reja. Projekti parashikon krijimin e ambienteve të reja sanitare, palestrës, zëvendësimin e dyerve dhe dritareve, rikonstruksionin e sistemit elektrik, të furnizimit me ujë dhe kanalizimet, por edhe të sistemit të ngrohjes dhe rrjetit kundra zjarrit. Ambientet e reja të shkollës pritet të jenë gati me nisjen e vitit të ri shkollor. 

1,792 Lexime
8 vjet më parë