Teknika

Aida Haxhiu: Disa teknika të reja në mësimdhënie dhe mësimnxënie

Artikulli më poshtë përmbledh disa teknika, që do t’i ndihmojnë nxënësit të përvetësojë sa më mirë dhe në mënyrë kreative njohuritë gjuhësore edhe ato letrare. Risitë në këtë drejtim, aq të dobishme, vijnë nga përvoja e mësueses Aida Haxhiu.

Nga Aida Haxhiu

Mësuese e lëndës Gjuhë-Letërsi, shkolla 9-vjeçare, “Eftali Koçi” Durrës.


“Detyra e një mësuesi modern nuk është të presë xhunglën, por të ujisë shkretëtirën”

 – C. S. Lewis –


Sot, mësimdhënia ka një sfidë më vete për ne mësuesit. Si mësuese, një nga sfidat e mia më të mëdha, është t’i përfshijë aktivisht nxënësit në orën e mësimit. Sfida qëndron, se si ne, si mësues, do të bëjmë një orë interesante për të tërhequr vëmendjen dhe përfshirjen e nxënësve në orën mësimore. Duke qenë, se jemi në botën digjitale dhe nxënësi mund të marrë informacione të ndryshme, na del si detyrë, që ne të përdorim teknika dhe metoda sa më efikase për të pasur rezultate sa më të mira në përfshirjen e tyre në orën e mësimit, si edhe në mësimnxënien e tyre. Këtu do të paraqesim disa teknika, që do t’i ndihmojnë nxënësit të përvetësojë sa më mirë dhe në mënyrë kreative si njohuritë gjuhësore edhe ato letrare. 


1. Një nga teknikat është ajo e vijës muzikore 

Në tekstet letrare, sidomos kur kemi tekste poetike, tekste joletrare dhe tekste dramatike fare mirë ne mund t’i shoqërojmë me një melodi sidomos, konkretisht duke përdorur muzikën klasike. Do të vëmë re, se gjatë leximit të këtyre teksteve vërehet, se nxënësi është më i përfshirë, më i ndjeshëm dhe mban mend shumë elementë të teksteve nga ç’mund të ndodh, kur bëjmë një lexim të thjeshtë në klasë. 


2. Formulimi i paragrafit

Duke u bazuar në përzgjedhjen e disa fjalëve kyçe, që zgjedh vetë nxënësi, realizohet kthimi i poezisë në prozë. Duke përdor këtë teknikë, nxënësi jo vetëm formulon një paragraf, por edhe ndërton fjali me strukturë të rregullt gramatikore. Në një tekst poetik, ne mund të zgjedhim dy këngë dhe të realizojmë krahasimin e tekstit poetik me tekstet e këngëve. Në këtë mënyrë, nxënësi fikson më mirë detaje, që janë përdor në tekstin poetik dhe detajet në këngët e përdorura. 

Po këtu nxënësi argumenton, se te cila pjesë e gjen veten dhe pse. Debati midis dy a më shumë grupeve për një detaj apo problem, zhvillon te nxënësit, përshkrimin objektiv dhe atë subjektiv. 


3. Piktori i vogël

Duhet të kuptojmë, se përdorimi i pikturës, do ta bëjë nxënësin më të vëmendshëm, për të kuptuar një shkak, një pasojë apo një problem, që mbart teksti. Ngjyrat, që do të përdorin, do të tregojnë në një farë mënyre botën shpirtërore të personazhit, lidhur edhe me detajet të përdorura në tekst. Këtu e kam fjalën , për pikturimin e elementeve natyrë të përdorur në tekst. Njëkohësisht ai krahason përvojën e personazhit me përvojën e tij vetjake dhe e argumenton zgjedhjen e tij. 


4. Përdorimi i Metodës së pazëllit 

Në tabelë shkruajmë disa detaje, në mënyrë të çrregullt. Këtu, ja lëmë në dorë nxënësit, që të formulojë një problematik, apo të argumentojë , se si i mendon ai vendosjen e rregullt të detajeve dhe në fund plotëson detajet e tij dhe formulon një tekst të shkurtër. Ky tekst mund të jetë i dëgjuar , i parë, apo i ka ndodhur vetë nxënësit. Si ka evoluar ngjarja dhe si ka qenë zgjidhja e saj. 


5. Një metodë tjetër është ngjitja në litarë

Kjo teknikë, bën të mundur, që nxënësi nga tema të shkruaj, të gjitha njohuritë gjuhësore që ai zotëron. Ngjitja në litarë, do të thotë, kur ti jep vetëm emrin dhe i thua nxënësit ngjitu në litar. Ata fillojnë të shkruajnë, se çfarë dinë për emrin (kategoritë gramatikore dhe ndarja në klasa fjalësh). Këtu, nxënësi bën të mundur të dallojë emrin në morfologji, emrin në sintaksë, (funksionet) dhe emrin në leksikologji (kuptimi). Po kështu veprohet edhe për klasat e fjalëve të ndryshueshme dhe të pandryshueshme. Duke përdorur konkursin, grupet e punës prezantojnë litarin e tyre. Kush është ngjitur më lart shpallet fitues. Në këtë mënyrë nxënësit përfitojnë nga njohuritë që ka njëri grup nga grupi tjetër. 


6. Një metodë tjetër është pikniku

Një ditë të shtunë, ose të dielë, organizojmë një piknik me nxënësit. Qëllimi i organizmit të piknikut, është jo vetëm argëtimi i tyre në këtë ditë, por përshkrimi, që do t’i bëjnë ata organizimit dhe mbarëvajtjes së piknikut. Në këtë mënyrë, unë realizoj përshkrimin objektiv dhe subjektiv të kësaj veprimtarie. Gjithë qëllimi i organizimit të piknikut, është, që nxënësit të jenë në gjendje të përshkruajnë çdo detaj (përshkrimin objektiv), si edhe të tregojë se si është ndjerë në këtë ditë. Niveli më i lartë në formën e debatit paraqet mënyra të tjera veprimtarish. 

Këtu ata argumentojnë, se si u organizua kjo veprimtari (të mirat dhe të metat) dhe propozojnë veprimtari të tjera duke shfaqur interesat e tyre. 


7. Teknika e ndërrimit të roleve 

Unë si mësues ndërroj rolin me nxënësin. Nxënësit janë në rolin tim si mësuese. Ata shtrojnë dhe përdorin pyetje në lidhje me një temë, orë leximi orë gramatikore. Japin mendime të ndryshme. Kur e shikoj të nevojshme, unë ndërhyj për të stimuluar debatin, për të eksploruar konceptet në lidhje me temën mësimore. Unë përgjigjem si një nxënës, që nuk kam kuptuar asgjë nga mësimi dhe bëj disa pyetje dhe pres, që nxënësit të më përgjigjen. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë, se pyetjet duhet të fillojnë Kush?; Çfarë?; Ku?; Kur?; Pse?; Si?, Sa? Përse? 


8. Teknika e një interviste me tre hapa

Në një orë mësimore kjo teknikë i nxit nxënësit të zhvillojnë aftësinë e të dëgjuarit aktiv duke pyetur njëri-tjetrin, duke ndarë mendimet e tyre dhe duke mbajtur shënime. 

Në një orë mësimore formohen grupe nxënësish me tre nxënës. Ata ndajnë rolet intervistuesi, i intervistuari dhe nxënësi, që mban shënime. Gjatë intervistës, nxënësit ndërrojnë rolet e tyre . Kohëzgjatja e intervistës varet nga përgjigjet e nxënësve. Në fund vetë nxënësit , përcaktojnë, se cili prej tyre e ka kuptuar mësimin. Nga kjo teknikë kemi tre përfitime për nxënësit, si: Ata mësojnë të përdorin strategji të ndryshme pyetjesh, ora mësimore bëhet më tërheqëse, nxënësit krijojnë një ndjenjë përgjegjësie, teksa punojnë së bashku për të përfunduar një detyrë dhe për të kuptuar një mësim. 


9. Teknika e këndvështrimeve të ndryshme

Një orë mësimore e kthejmë në debat. Nxënësit në fletoret e tyre shkruajnë argumentin dhe kundër argumentin. Ata argumentojnë, qëndrimet e tyre në lidhje me çështjet e trajtuara në tekst. Disa nxënës të tjerë kundër argumentin, përmes një këndvështrimi tjetër. 

Kjo teknikë ndihmon në kultivimin e të mësuarit aktiv në klasë, nxit mendimin kritik tek nxënësit. Në një orë mësimore të gjuhës shqipe në klasën e gjashtë me temë “Unë jam Malala”, ata diskutojnë rreth çështjes. “Ndjenja e përgjegjësisë së Malalës, për ta bërë botën një vend më të mirë dhe më të qetë”. Nxënësit nëpërmjet teknikës së këndvështrimeve të ndryshme, argumentojnë me pro dhe kundër problematikën. 

Nxënësit sjellin mendimet e tyre për dhunën, diskriminim, intolerancën. Këto mendime përmes diskutimit, argumentit dhe kundër argumentimit bëhen të dukshme për gjithë grupin e klasës. 


Janë pikërisht këto teknika dhe metoda të prekshme, të lehta të cilat ne bëjmë të mundur dhe realizojmë pikërisht zhvillimin e një ore mësimore, jo vetëm në fillimin e saj, por edhe në vijueshmërinë, për të pasur rezultate sa më të larta. Qëllimi tjetër është përfshirja e tyre në një orë mësimi dhe larmishmëria , që duhet të përdorim ne si mësues, për të bërë një orë interesante dhe për të sistemuar në mënyrë shkencore nga më e lehta tek më e vështira. 


© Portali Shkollor  Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,434 Lexime
5 muaj më parë