Dhuna mes adoleshenteve, Fiqiri Çifliku: Pse sistemi ynë nuk po arrin ta parandalojë?
Pas rastit të dhunës mes adoleshenteve që tronditi opinionin publik në Shqipëri, eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku ngre pyetjen thelbësore: pse shoqëria dhe institucionet po reagojnë vetëm pasi dhuna ndodh? Një analizë mbi përgjegjësinë e familjes, shkollës, shtetit dhe medias për të parandaluar dhunën.
Nuk mjafton të tronditemi nga një ngjarje e dhunshme, por duhet të kuptojmë pse sistemi ynë shoqëror nuk po arrin ta parandalojë.
Familja, shoqëria, shteti, shkolla dhe media, janë hallka të një zinxhiri dhe kanë përgjegjësi që shpesh po mbetet e paushtruara.
Familja shpesh është e lodhur nga ritmi i jetës moderne, duke humbur aftësinë për të qenë busull morale e fëmijëve. Shoqëria ka zbehur normat e solidaritetit, duke u bërë më tolerante ndaj sjelljeve të dhunshme. Shteti shpesh duket si një bibliotekë aktesh ligjore pa fuqi parandaluese, me listëpagesa të fryra ku ndërhyrja vjen vetëm pasi dhuna ka ndodhur. Shkolla është e mbingarkuar me detyra burokratike dhe shpesh nuk arrin të krijojë kulturë respekti e bashkëpunimi. Ndërkohë, media shpesh e kthen dhunën në spektakël për klikime, duke e normalizuar në sytë e publikut.
Ky mozaik i frikshëm krijon një terren ku e keqja lëviz pa pasaportë, pa doganë, ndërsa e mira kalon në “vrimë të gjilpërës”, skaner mbi skaner, derisa të hyjë në jetën e përditshme. Dhe pikërisht këtu qëndron drama jonë. Jam i bindur se ky nuk është vetëm rasti i një vajze të dhunuar nga bashkëmoshataret saj, por pasqyra e një sistemi që nuk po arrin të mbrojë më të brishtin.
A mund të dalim nga ky rreth vicioz? Patjetër që po, por duhet një qasje e bashkërenduar për forcimin e familjes me programe prindërimi dhe mbështetje psikosociale. Shkolla duhet të kthehet në laborator social ku mësohet jo vetëm lënda, por edhe zgjidhja e konflikteve dhe respekti i ndërsjellë. Shteti me politika parandaluese që nuk duhet të mbeten në letra, por shndërrohen në veprime konkrete. Shoqëria civile aktive që ndërgjegjëson dhe krijon hapësira dialogu për të rinjtë. Media me etikë që promovon modele pozitive dhe jo sensacion.
Vetëm kur këto hallka bashkëpunojnë, mund të ndërtojmë një sistem që jo vetëm reagon pas dhunës, por e parandalon atë, duke kultivuar kulturën e respektit dhe solidaritetit.
Nëse nuk e bëjmë këtë, çdo ngjarje e dhunshme do të mbetet thjesht lajmi i radhës.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Këshillat e psikoterapeutës Aurora Pirraku Nika për sigurinë e fëmijëve pranë ujit
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë