Menaxhimi i klasës

Katër llojet e marrëdhënieve për një klasë të suksesshme

Përveç lidhjes mësues-nxënës, marrëdhënia me tërë klasën dhe ndërlidhja e nxënësve janë gjithashtu shumë të rëndësishme për arritjen e suksesit shkollor. Ndaj më poshtë, kemi përmendur katër marrëdhënie që duhen realizuar patjetër nëse doni të arrini një klasë të suksesshme.

Është shumë e rëndësishme që mësuesit të krijojnë marrëdhënie të ngushta brenda klasës bashkë me nxënësit e tyre, në mënyrë që viti shkollor të rezultojë i suksesshëm. Por, faktikisht kjo nuk është lidhja e vetme që çon drejt një suksesi të pashmangshëm, pasi që për të arritur deri tek ai cak duhet të kemi parasysh edhe disa pika të tjera mbështetëse.

 


Më poshtë, referuar medias së huaj “Edutopia” kemi përmendur katër marrëdhënie që duhen realizuar patjetër nëse ju si mësues doni të arrini një klasë të suksesshme.
 


1. Lidhja mësues-nxënës

Është e rëndësishme që mësuesit brenda orëve mësimore të përdorin strategji me anë të cilës krijojnë njëherazi edhe afërsi me nxënësit, por edhe i kuptojnë më lehtë pikat e forta dhe të dobëta të tyre.

Gjatë çdo ore mësimore që ju si mësues i zhvilloni me nxënësit tuaj, kujdesuni që të përzgjidhni nxënës të ndryshëm për të bashkëpunuar me ta. Formuloni pyetje individuale për secilin prej tyre në mënyrë që ata të përgjigjen sa më lirshëm. Pas kthimit të përgjigjeve nga ta, është radha juaj t’u replikoni nxënësve. Pas përfundimit të orës, është e rëndësishme të kontaktoni prindërit e nxënësve për t’i informuar ata për dobësitë, por mbi të gjitha për pikat e forta të fëmijëve të tyre.

 


2. Lidhja mësues-klasë

Ashtu siç është e rëndësishme të jetë marrëdhënia mes mësuesit dhe nxënësit në mënyrë individuale, njëjtë është edhe marrëdhënia me tërë klasën, pasi kjo është vendimtare në suksesin e të dy palëve. Disa strategji që duhen përdorur nga mësuesit ndaj gjithë nxënësve janë:

• Krijoni rregullat e klasës në bashkëpunim me nxënësit dhe pastaj mundohuni t’u përmbaheni atyre.

• Zhvilloni aktivitete brenda klasës që kanë për qëllim aktivizmin e nxënësve dhe inkurajimin e tyre. Dhuroni pikë atyre dhe lëvdoni ata në rast se i dinë përgjigjet, pasi kjo gjë i motivon ata edhe më shumë për të vazhduar tutje.

 


3. Lidhja nxënës-nxënës

Lidhja nxënës-nxënës promovon ndjenjën e përkatësisë dhe bashkëpunimit në klasë. Nxënësit duhet të ndihen të lirë për të komunikuar dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të arritur qëllimet e tyre mësimore.

 

4. Lidhja nxënës-klasë

Nxënësit i takojnë një klase dhe për orë të tëra u duhet të qëndrojnë së bashku, qoftë për mirë apo keq. Është e rëndësishme dhe parësore që lidhja e tyre mes vete të ngritet në atë nivel, saqë secili prej tyre të ndihen të lirshëm të flasin pa hezitim. Kjo krijon mundësinë që nxënësit të mos e ndiejnë njëri-tjetrin veç si pjesë të klasës dhe kaq, por perceptimi i tyre të shkojë edhe më lart. Kjo gjë u mundëson atyre të shohin të tjerët si një ekip skuadre, me të cilët ndajnë qëllimet e njëjta.



Për të siguruar një vit shkollor të suksesshëm, është thelbësore që mësuesit të krijojnë marrëdhënie të ngushta brenda klasës, duke përfshirë lidhjen me nxënësit dhe klasën në përgjithësi. Përveç lidhjes mësues-nxënës, marrëdhënia me tërë klasën dhe ndërlidhja e nxënësve janë gjithashtu shumë të rëndësishme për arritjen e suksesit shkollor.



Burimi: Kliko këtu

Përgatiti: Arlinda Hajdarajgazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën. 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

819 Lexime
3 javë më parë