Krijimi i vidiotekave në shkolla – një domosdoshmëri reale

Krijimi i vidiotekave në shkolla është një domosdoshmëri për ruajtjen dhe ndarjen e materialeve digjitale të mësuesve. Ato lehtësojnë punën, nxisin bashkëpunimin dhe rrisin cilësinë e mësimdhënies. Shkrim nga Luljeta Limanaj.

Nga Luljeta Limanaj 


Në vitet e fundit, përdorimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në procesin mësimor është kthyer në një kërkesë bashkëkohore e domosdoshme për të rritur cilësinë e orës mësimore, për ta bërë mësimin më tërheqës dhe për ta përshtatur për të gjitha stilet e të nxënit .  Udhëzimet për Arsimin e Mesëm të Ulët (AMU) parashikojnë që rreth 15% e orëve mësimore të zhvillohen përmes teknologjisë digjitale, duke sjellë një transformim të dukshëm në mënyrën e të mësuarit dhe të mësimdhënies.


Pavarësisht sfidave, mësuesit i janë përgjigjur me përkushtim këtij ndryshimi. Shumë prej tyre kanë nisur nga zero në përdorimin e mjeteve digjitale, shpesh pa trajnimet e nevojshme, me mungesë pajisjesh dhe, në jo pak raste, pa akses të qëndrueshëm në internet në klasa.


Vështirësi shtesë ka sjellë edhe përdorimi i platformave për krijimin e ushtrimeve interaktive, një pjesë e të cilave janë me pagesë dhe jo gjithmonë të përballueshme. Megjithatë, përkushtimi dhe kreativiteti i mësuesve kanë bërë të mundur realizimin e orëve mësimore digjitale cilësore edhe në kushte jo të favorshme.


Në këtë realitet, bëhet e domosdoshme ruajtja dhe vlerësimi i kësaj pune krijuese. Çdo vit krijohen materiale të shumta digjitale - video mësimore, ushtrime interaktive dhe përmbajtje didaktike - të cilat shpesh humbasin ose mbeten të pashfrytëzuara nga të tjerët.


Pikërisht këtu lind nevoja për krijimin e vidiotekave në shkolla. Një vidiotekë shkollore do të shërbente si një arkiv i përbashkët, ku mësuesit mund të depozitojnë dhe të ndajnë materialet e tyre digjitale. Ky fond do të pasurohej vazhdimisht dhe do të ishte në dispozicion të të gjithë stafit pedagogjik.


Një nismë e tillë do të shmangte humbjen e punës krijuese, do të lehtësonte punën e përditshme të mësuesve, do të nxiste bashkëpunimin dhe do të rriste ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies.


Në përfundim, krijimi i vidiotekave në shkolla nuk është thjesht një ide inovative, por një domosdoshmëri për një sistem arsimor modern, bashkëpunues dhe të qëndrueshëm.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

41 Lexime
10 orë më parë