“Me libra në duar, me botën në zemër” – Rrëfimi i mësueses Klarida Hoxhaj

Një rrëfim i ndjerë për misionin e mësuesit, si kopshtar i dijes dhe ndërtues i besimit. Me fjalë plot dritë, Klarida Hoxhaj sjell përkushtimin, durimin dhe dashurinë që mbjell çdo ditë në zemrat e nxënësve, duke ngritur ura drite për të ardhmen.

Nga mësuesja Klarida Hoxhaj 


...Në duar mbaj libra, por në mendje e në zemër mbaj diçka më të madhe se fletët e shtypura: mbaj besimin se bota mund të ndryshohet, pak nga pak. Unë jam mësues.


Dhe çdo mëngjes hyj në klasë si të hyja në një kopsht të mbushur me sy që çelin pranverë. Në çdo vështrim fëmije lexoj histori, ëndrra dhe talente që presin dorën time për t’u zgjuar. Me qetësi ndërtoj kështjellën e besimit, gur mbi gur, buzëqeshje mbi buzëqeshje. I mësoj të mos kenë frikë nga e panjohura, t’i hapin dyert e horizonteve të reja plot siguri dhe të guxojnë pa u trembur. Jam kopshtar i duruar që mbjell dije në tokën e njomë të shpirtit të tyre dhe i ujit me dashuri. Krasit frikën, heq barërat e dyshimit dhe pres… pres me durim. Vitet kalojnë, fletoret zverdhen, zilet bien e pushojnë, por farat që kam mbjellë rriten diku larg meje, bëhen pemë të forta që prekin qiellin. Dhe kur i shoh të ecin me këmbët e tyre, me mendje të ndritura e zemra të pastra, shpirti më rrëzëllen si fëmijë. Atëherë e kuptoj se misioni im s’ka qenë thjesht të mësoj shkronja e numra, por të ndërtoj ura drite e të ngre themele zemrash ku mbështetet e ardhmja.


Dhe prapë, nesër do të hyj në klasë me libra në duar, por me botën në zemër… 



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

98 Lexime
9 orë më parë