“Më ndihmo! Jam ngatërruar në kohën dhe kokën time”
Kur më erdhi ky e-mail, isha fare e papërgatitur për t’u përballur me ankthet dhe makthet e një adoleshenti. Për më tepër me sfidën e madhe që të isha unë personi i duhur nga i cili ai priste ndihmë...U kisha kërkuar një ese dhe më vjen një alarm...
“Më ndihmo! Jam ngatërruar në kohën dhe kokën time. Jam i pushtuar nga dyshime, për të cilat nuk gjej një zgjidhje...kjo më bën të besoj se po bëj gjëra që nuk i ndjej. Për më tepër, jetoj mes njerëzve që nuk kuptojnë asnjëherë atë që unë provoj.
Por as unë nuk arrij ta kuptoj atë që vetë provoj. Asgjë nga vetvetja nuk më kënaq e nuk më pëlqen. Unë nuk jam unë. Kuptoj që fjalët e mia nuk bëjnë veçse tradhëtojnë turbullirën brenda meje. Turbullirën për një trup që ndryshon pa arritur ta kontrollojë. Unë jam siç nuk jam, kam frikë. Humori më është shkatërruar. Kam frikë se më gjykojnë. Kam frikë se nuk më pranojnë. Jam mes dilemash të tmerrshme: sa ç’më tërheq aq edhe më shtyn tutje dëshira për t’u përballuar me seksualitetin tim.
Kështu, në një mënyrë a në një tjetër, besoj se veprimet e mia janë në urdhërat e frikës sime, pasigurisë. E unë nuk kam fuqi të jem plotësisht vetvetja. Nuk kam kurajon të rrezikoj. Nuk po arrij ta jetoj moshën time me plotësinë e saj.
Ne jemi të burgosurit e një kohe të cilën nuk dimë ta jetojmë.”
Ç’ishte më e vështirë: nevoja për ta justifikuar, apo tentativa për t’i ringjallur sfidat?
Atëherë iu ktheva fëmijërisë së brezit të tij. Mes shumë filmave që kanë përshkruar aq thjeshtë dhe qartë kaosin e mendimeve dhe ditëve të një adoleshenti, është njëri që mua më ka pëlqyer gjithmonë shumë: Kung Fu Panda. Në ju vjen në mendje, është një Panda tërë tul, të cilit fati i kishte paracaktuar të bëhej Luftëtari Dragua, me pak fjalë, Mjeshtri i Madh i Kung Fusë. Një fat madhështor, por te i cili nuk besonte thuajse asnjë: as mjeshtri i tij, as shokët e luftës e as Panda vetë, sigurisht.
I vetmi që arriti t’ia ngjallë shpresën dhe ta bindë se ai mund t’ia dalë mbanë, është babai i Pandës kur i tregon se ajo që e kishte quajtur gjithmonë “përzierës sekret” në supën e tij të mrekullueshme, në fakt nuk ekzistonte fare.
Nuk ka asnjë përzierës sekret. Nuk më është dashur kurrë një përzierës sekret. Për ta bërë diçka speciale, duhet vetëm të besosh që ajo është vërtetë speciale.
...sepse adoleshenca, mbase është një moshë, e bërë pikërisht për këtë gjë: për të kuptuar se si të çlirohesh nga frikërat dhe pasiguritë, për të mësuar si të rrezikosh për atë që vërtet ia vlen.
Mes vështirësive, mes pengesave, trishtimit, frikës, pasigurisë, gjithë ngatërresave që kërkojnë të të zhysin, gjithmonë do të ekzistojë e bukuria e jetës që shkëlqen gjithkund. Emocionet më të thella nuk rrëfehen, jetohen.
Por adoleshentët janë artistët e moshës së tyre, u rri shpirti një hap para trupit.
Nga Natasha Porocani (Shuteriqi)
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur, miqve apo kolegëve për Vitin e Ri
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?