DISIPLINA

Menaxhimi i disiplinës në shkollë

Çfarë rëndësie ka disiplina në mbarëvajtjen e orës mësimore? Rregulli është i nevojshëm në klasë sidomos kur zhvillohen veprimtari që ndihmojnë të nxënët. Mësimdhënia cilësore, përbën zemrën e vendosjes së disiplinës.

Majre Levenishti, psikologe shkollore dhe edukimi


Disiplina ka të bëjë me rregullin, i cili është i nevojshëm në klasë për të siguruar të nxënët e efektshëm të nxënësve. Për këtë çështje ka botime të panumërta në vendet me arsim të përparuar.


Rregulli është i nevojshëm në klasë sidomos kur zhvillohen veprimtari që ndihmojnë të nxënët. Çështja më e rëndësishme që duhet të mbahet në mendje për disiplinën është që krijimi i rregullit të nevojshëm ka të bëjë më shumë me mjeshtëritë e mësimdhënies së suksesshme në përgjithësi, sesa me korrigjimin e sjelljeve jo të përshtatshme të nxënësve. Nëse veprimtaritë në klasë planifikohen mirë, paraqitja e mësimit mban të përqëndruar vëmendjen e nxënësve, interesin dhe përfshirjen e plotë të tyre. Nëse veprimtaritë kanë karakter të tillë, që ofrojnë mundësi reale për arritje të suksesshme, atëherë rregulli i duhur vendoset si pjesë e këtyre cilësive. Në thelb, mësimdhënia cilësore, përbën zemrën e vendosjes së disiplinës. Sjellja e padëshirueshme e nxënësit mund të ndodhë nga koha në kohë, madje, edhe në orët e mësimit të mësuesve më të zotë; e atyre u duhet të merren me të. Do të ishte gabim të vështronim disiplinën si diçka që ka të bëjë vetëm me sjelljen e padëshirueshme të nxënësit, e ndarë kjo nga mësimdhënia në përgjithësi.


Do të ishte gabim akoma më i rëndë, nëse mësuesi do të përpiqet të vendosë disiplinën, duke u përpjekur të imponohet dhe të ngjallë ndjenjën e frikës tek nxënësit, si një mënyrë për të zvogëluar sjelljen e keqe. Ndërmarrja e një veprimi të tillë është e padëshirueshme, jo vetëm sepse ai do të prishë krijimin e klimës së nevojshme pozitive në klasë që ndihmon të nxënit efikas, por edhe sepse ajo largon vëmendjen e mësuesit në zhvillimin e  mësimit, si një nga mënyrat kryesore për vendosjen e rregullit. 


Natyra e sjelljes së padëshirueshme të nxënësit. Rastet e sjelljes së padëshirueshme të nxënësit janë jo të pakta dhe, si të tilla, duhen trajtuar me kujdes nga mësuesi. 


Tipet më të shpeshta të një sjelljeje të tillë janë: 

- Të folurit jashtë radhe ose pa leje. 

- Të qenët i zhurmshëm ( si p.sh., të bërtiturit ndaj një nxënësi tjetër në klasë; apo përplasja e librit, e çantës mbi bangë, lëvizja e karriges, e stolit etj.) 

- Mungesë vëmendjeje ndaj mësuesit.

-Moskryerja e detyrës së ngarkuar.

-Ngritja pa shkak nga vendi.

-Ngacmimi ose pengimi në punë i nxënësve të tjerë.

-Ardhja me vonesë në shkollë etj.


Në një masë të konsiderueshme, të tilla probleme mund të zvogëlohen nga mësimdhënia cilësore, në përgjithësi, si dhe nga mënyra e sjelljes e sistemi i punës së mësuesit, në veçanti. Rastet më serioze të sjelljes jo të mirë (si, p.sh., fjalë të ashpra ndaj një nxënësi, të folurit pa të keq dhe pa turp, mosbindja apo mospranimi i autoritetit të mësuesit, si dhe dëmtimet fizike të mjeteve dhe orendive) janë më të rralla, por mund të ndodhin, kur format më të vogla të sjelljes jo të mirë nga ana e nxënësit lejohen të bëhen të zakonshme.


Kur flasim për sjellje jo të mirë të nxënësve, duhet të kemi parasysh që ka një diapazon të gjerë të sjelljeve të tilla, që variojnë nga akte krejt të vogla, të parëndësishme, deri në shumë serioze. Veç kësaj, niveli i sjelljes do të ndryshojë nga një mësues tek tjetri. Një mësues ngulmon për një qetësi të vërtetë gjatë orës së mësimit, ndërkohë që nxënësit punojnë, ndërsa një tjetër mund ta ndiejë veten të gëzuar nga shkalla e lartë e bashkëbisedimit në grupe. Veç kësaj, edhe nxënësit vetë do të ndryshojnë në qëndrimet e tyre ndaj sjelljes së mirë. Disa nxënës do të jenë të gëzuar të presin qetësisht, kur mësuesi u shpërndan mjetet, fletoret e punës apo diçka tjetër. Displina që mbizotëron në klasë nuk do të ndikohet vetëm nga sjellja dhe reagimi i mësuesit  por edhe nga reagimet që sjellin me vete nxënësit dhe, më e rëndësishme, nga disiplina  dhe rregulli i përgjithshëm në shkollë. Megjithatë, një mësim i zotëruar mirë, i bazuar në marrëdhënie të respektit dhe raporteve reciproke ndikon shumë për të zvogëluar sjelljen e keqe. Në të vërtetë, përvoja ka treguar se në ato shkolla apo edhe klasa të veçanta, ku ka patur numër të madh nxënësish të vështirë si të karakterit emocional dhe intelektual, mësimdhënia cilësore ka siguruar disiplinë.



Shkaqet e sjelljes së padëshirueshme nga nxënësi

Në përgjithësi, mësuesi mund të fillojë mësimin, me mendimin se të gjithë nxënësit do të jenë të gatshëm të angazhohen në një punë apo detyrë të caktuar, dhe do të ndodhë sjellje e keqe, vetëm atëherë kur ka arsye të veçanta apo motive për të vepruar kështu. Në këtë mënyrë, për të mbështetur sjelljen e mirë, detyra e mësuesit është që t’ua bëjë atë sa më të lehtë nxënësve.


Shkaqet më kryesore të sjelljes së keqe në klasë janë:

Mërzitja. Ndodh kur mësimi apo veprimtari të ndryshme paraqiten në një mënyrë të tillë që nuk zgjojnë interes a nuk mbajnë gjallë interesat e nxënësit, ngaqë veprimtaria zgjat aq shumë, sa nuk mund të jetë më nxitëse, apo veprimtaria është shumë e lehtë ose e papërshtatshme, atëherë nxënësit ka mundësi të mërziten.


Përpjekje mendore e zgjatur. Ndodh kur shumica e veprimtarive mësimore kërkon përpjekje mendore dhe kjo është kërkesë e nevojshme. Por çdokush e kupton që të mbështetësh përpjekjet mendore, për një kohë të gjatë, është e vështirë dhe, shpesh, e pakëndshme.


Paaftësia për të bërë detyrën. Shfaqet kur nxënësit mund të jenë të pazotë për ta bërë detyrën e ngarkuar sipas kërkesave të caktuara më parë, kur ajo është shumë e vështirë ose kur ata janë të paqartë për kërkesat e detyrës.


Të qenët i shoqërueshëm. Nxënësit kanë në shkollë një jetë komplekse sociale, gjatë së cilës krijohen miqësi, lindin konflikte dhe ndahen interesat. Aspekte të këtyre marrëdhënieve sociale midis nxënësve do të shfaqen shpesh dhe në mësim (p.sh., nxënësi mund të rifillojë një bisedë të nisur gjatë pushimit dhe kjo bëhet shkas për prishjen e rregullit në klasë).


Vetëvlerësim i ulët. Tek disa nxënës mungon besimi që ato kanë tek vetja për të mësuar. Ata mund të kenë përvojë dështimesh të shumta në të kaluarën e kjo i bën ata kundërshtues ndaj angazhimeve në detyra të mëtejshme. Nga frika e dështimeve të mëtejshme (dështimi, sepse nuk bëri përpjekje, është më pak i dhimbshëm se dështimi, kur bën përpjekje) Të tillë nxënës mund të bëhen jomiqësorë, për të arritur rezultate të mira në mësime dhe mund të prishin klimën pozitive në klasë.


Vështirësi emocionale. Disa nxënës mund të kenë probleme emocionale, gjë që na bën të vështirë bashkimin me kërkesat e jetës shkollore dhe kërkesat edukative në klasë. Kjo mund të ndodhë, sidomos, pasi ata fillojnë e bëhen imponues në shkollë ose lihen pas dore në shtëpi. Në shumë raste, të tillë nxënës mund të pësojnë ndryshime, çrregullime në qëndrim dhe mund t’i përshtaten përqëndrimit të vëmendjes së provokuar prej mësuesit për sjellje të keqe.


Qëndrim apatik. Disa nxënës mund të mos e quajnë me vlerë përmbushjen dhe kryerjen e detyrave në shkollë, kështu që ata mund t’i quajnë ato të mërzitshme ose të vështira. Kjo i shteron përpjekjet e tyre. Disa mund ta mënjanojnë zgjidhjen e detyrës, duke ardhur me vonesë në mësim ose, kur janë në klasë, mundohen të marrin pjesë shumë pak në mësim. Kur u kërkohet llogari, ata tentojnë të vihen në pozita mbrojtëse ose reagojnë keq, por përsëri asgjë nuk ndryshon. Disa nxënës mund të bëhen qëllimisht të mërzitshëm, vetëm që të tërheqin vëmendjen.


Mungesë e pasojave negative. Kur një nxënës sillet keq, veprimet e mësuesit, si pasojë e këtij qëndrimi, duhet të synojnë që ta tërheqin nxënësin në punë sa më shpejt. Veç kësaj, sjellja e mësuesit duhet t’ia ndryshojë mendjen nxënësit, me qëllim që ai të mos e përsërisë më sjelljen e keqe në rrethana të tjera të ngjashme. Nëse kjo sjellje nuk do të vihet re dhe nuk do të dënohet, ka mundësi të përsëritet.


Nga shqyrtimi i këtyre shkaqeve kryesore të sjelljes së keqe nga nxënësi, bëhet më i dukshëm fakti që ekzistojnë probleme të ndryshme që lidhen me reagimin dhe qëndrimin e mësuesit në të tilla raste. P.sh., kur një nxënës humbet vëmendjen, sepse mësimi i duket i mërzitshëm, reagimet dhe veprimet e mësuesit do të jenë krejt të ndryshme nga ato që kryhen kur nxënësi është mërzitur, sepse detyra është shumë e vështirë.

Përcaktimi i rregullave të qarta lidhur me disiplinën dhe sjelljen e nxënësve dhe komunikimi i qartë i tyre është një hap shumë i rëndësishëm për vendosjen e disiplinës në klasë. Shpesh gabojmë kur mendojmë se rregullat lidhur me disiplinën në klasë dhe në shkollë njihen dhe kuptohen nga të gjithë nxënësit. Po ashtu ndodh që ndonjëherë i komunikojmë rregullat në mënyrë indirekte dhe jo direkte. 

Kjo shpesh rezulton në mësimin e rregullave nga nxënësit me anë të provës dhe gabimit. Politika apo rregulla të paqarta në lidhje me disiplinën në klasë mund të çojë në mungesën e bindjes dhe në sjellje problematike sepse nxënësit janë të paqartë për sjelljet që janë të përshtatshme dhe jo të përshtatshme. Fatkeqësisht, mungesa e bindjes mund të çojë  në  rritje të përdorimit të metodave ndëshkuese në klasë.


DHËNIA E NDËSHKIMEVE 

Shembuj:

1. Thuajini një nxënësi me qetësi: “Uluni dhe mendoni rreth asaj që ndodhi. Do të bisedoj me ju pas pak minutash, ose: “S’më pëlqeu ajo që sapo pashë. Ejani më takoni në kohën e pushimit.


SHEMBUJ

1.Përdorni “Ditarët e problemeve”, ku nxënësit shënojnë çfarë kanë ndjerë, identifikojnë problemin e tyre dhe qëllimin e tyre, pastaj mendojnë për mënyra të tjera të mundshme për të zgjidhur problemin dhe për të arritur qëllimin.

2. Provoni metodën qëndroni të qetë 5-2-5: “Ndaloni. Rrini të qetë,” pastaj merrni frymë ngadalë disa herë, duke numëruar deri në 5 duke thithur ajër, deri në 2, pa e nxjerrë  ajrin dhe deri në 5 duke e nxjerrë ajrin.


Krahas ndëshkimeve, mësojuni gjithnjë nxënësve strategji problemzgjidhës, për t’i ndihmuar.



(Përgatiti: Majre Levenishti, psikologe shkollore dhe edukimi; Portali Shkollor)

37,410 Lexime
6 vjet më parë