Analizë

Një shkollim i mirëfilltë përtej dijeve teorike

Më tej do t’i referohesha një vizite në një nga gjimnazet e Berlinit e cila më tepër se mbresa pozitive, shkaktoi përpjekjen për të gjetur mënyra implementimi në kontekstin e arsimit në vendin tonë të përqasjeve dhe ideve të reja.

Cikli i shkollimit përbën një pjesë sa esenciale aq dhe të pandarë për formimin tërësor, qoftë human apo intelektual të çdo individi, pavarësisht kohëzgjatjes apo cilësisë së këtij cikli raporti i asaj çka mbetet në fund është… “gjurmë”.  Nga vetë titulli që merr, “shkollim”, menjëherë perceptojmë se kemi të bëjmë me një kombinim të edukimit me informimin, formimit human me atë intelektual e shkencor, zotërimit të dijeve teorike me aftësitë praktike, si dhe aftësive që nevojiten për një formim të mëtejshëm profesional me ato që në fakt shërbejnë për përditshmërinë e na ndjekin kudo. Megjithëse kjo tërësi elementesh kombinuar me njëri tjetrin është sa e nevojshme aq edhe ideale, nuk do të mund ta konstatoja të pandarë në realitetin e shkollimit parauniversitar që ne marrim.


Duke marrë shkas nga mungesa e formimit në  sferën praktike, si nxënës përballemi menjëherë me dy probleme kyçe. Së pari është vështirësia për të asimiluar një sasi të konsiderueshme informacioni vetëm nëpërmjet metodave teorike, vështirësi e cila pasohet nga mungesa e aftësisë për të vënë në praktikë këto dije, duke formuar kështu një hendek i cili thellohet hap pas hapi, ku në shumicën e rasteve ajo çka mbetet është njohje e mirë e metodologjisë për realizimin e diçkaje por paaftësi për ta vënë atë në zbatim.  Në gjykimin tim ky është një problem që shkon përtej lëndëve të shkencave të natyrës , përtej mungesës së laboratorëve, kabineteve, reagentëve apo bazës materiale didaktike, megjithëse mungesa e tyre në mënyrë ta pamohueshme cenon cilësinë e mësimnxënies në shumë raste. Kështu nëse i referohemi thjesht projekteve kurrikulare, të cilat ndonëse në themel të tyre synojnë thellimin e elementeve si :komunikimi i mirë, puna në grup, lidership-i krahas thellimit të dijeve dhe realizmit të një produkti të caktuar, ndodh rëndom të kthehen në një barrë si për në si nxënës ashtu dhe për mësuesit, ku rrallë zhvillohet një punë kërkimore apo hulumtuese cilësore, dhe edhe më rrallë realizohen projekte që shkojnë përtej informacioneve të thjeshta, e një tufe me shkresa që ndodh të jenë sa të paredaktuara aq edhe të palexuara.


Më tej do t’i referohesha një vizite në një nga gjimnazet e Berlinit e cila më tepër se mbresa pozitive, shkaktoi përpjekjen për të gjetur mënyra implementimi në kontekstin e arsimit në vendin tonë të përqasjeve dhe ideve të reja. Nxënësit në oborrin e shkollës kishin mundësi që në kohën e pushimeve të lira, orëve të lira, apo dhe kur thjesht ndiheshin të lodhur nga procesi mësimor të kultivonin bimë të ndryshme, të merreshin me kopshtari, si dhe të kujdeseshin për lepujt dhe bletët që gjendeshin në oborrin e shkollës. Kështu ata jo vetëm çliroheshin nga ngarkesa mësimore por zhvillonin dhe aftësi për jetën. E njëjta gjë mund të ndodhte në një kuzhinë të krijuar në shkollë, pasi vetë kurrikula parashikonte një ditë në javë dedikuar tërësisht fushave që zhvillojnë aftësi për jetën dhe përditshmërinë si: kulinaria, kopshtaria, rrobaqepësia, apo përpunim i drurit dhe metalit. Ndonëse është  e vështirë prej një tërësie sfidash me karakter ekonomik e social që në kontekstin shqiptar i përballim në dëshirën për të ndryshuar një sërë elementesh që lidhen me arsimimin ,është tërësisht e mundshme përfshirja e elementeve të tillë, ndonëse në një shkallë më të vogël në kurrikul. Përtej njohurive të gjera mbi fusha të ndryshme të shkencës apo artit, historisë dhe kulturës ne kemi absolutisht nevojë të zhvillohemi dhe në ato pika të cilat do ti hasim gjerësisht në përditshmëri.


Kështu besoj fuqimisht se secili nxënës do të dëshironte që shkolla që ndjek të shkojë përtej institucionit ku informohet, dhe vlerësohet për një sërë dijesh teorike që arrin të zotërojë, por një institucion i cili edukon në radhë të parë formësimin e një individi me vlera, të rëndësishëm për komunitetin, të aftë për të ardhmen sa në rrafshin profesional dhe intelektual aq dhe në atë të përditshmërisë e human… të orientohemi pikërisht drejt SHKOLLIMIT të vërtetë i cili përmban në vetvete formulën e kombinimit ideal që shënjon në gjurmët e vlerave shpirtërore, dijeve dhe formimit të plotë shkencor, zbatimit praktik të tyre dhe një individi me tërë kapacitetet e nevojshme për të vijuar më tej një cikël të ri.


(Dorina Zhuka, Portali Shkollor)

3,683 Lexime
6 vjet më parë