Sfidat sociale në mjedisin shkollor dhe ndikimi i tyre në kompetencat jetësore
Në shkrimin “Sfidat sociale në mjedisin shkollor dhe ndikimi i tyre në kompetencat jetësore”, Edlira Angjeliu, mësuese në gjimnazin “Kristaq Capo” Berat, trajton rolin e shkollës në formimin social, emocional dhe qytetar të nxënësve, përtej rezultateve akademike.
Nga Edlira Angjeliu, mësuese në gjimnazin “Kristaq Capo”, Berat
Qëllimi më madhor dhe bashkëkohor i arsimit sot nuk është vetëm transmetimi i njohurive, por formimi i një individi të aftë të jetojë, të mendojë dhe të veprojë me përgjegjësi në një shoqëri që ndryshon vazhdimisht.
Sot, theksi vendoset jo vetëm te "çfarë di nxënësi" por edhe si mendon, si bashkëpunon, si komunikon, si i zgjidh problemet, si menaxhon emocionet, si përshtatet me sfidat etj.
Mjedisi bashkëkohor shkollor, përbën një hapësirë socializimi dhe zhvillimi emocional. Orët mësimore, veprimtaritë shkollore, projektet kurikulare etj nuk përfaqësojnë vetëm metoda bashkëkohore të të nxënit por një mundësi për të zhvilluar aftësitë sociale, komunikimit dhe bashkëveprimit mes nxënësve.
Klasa përfaqëson një laborator social ku nxënësi zhvillon jo vetëm njohuritë akademike, por edhe kompetencat jetësore dhe sociale të domosdoshme për jetën dhe integrimin në shoqëri.
Në shumë raste, vëmendja gjatë procesit të mësimdhënie-nxënies përqendrohet te rezultatet e të nxënit dhe produktit final të nxënësve, ndërkohë që vete procesi përfaqëson një hapësirë të rëndësishme për zhvillimin social, emocional dhe karakterial të nxënësve.
Karakteri dhe sjellja kanë po aq rëndësi sa nota.
Mësuesi duhet të tregojë vëmendje të shtuar gjatë gjithë procesit dhe të kuptojë:si u ndanë rolet, komunikimi është korrekt, është nxënësi një dëgjues i mirë, mos po i bën bisht punës, si i menazhon emocionet, si i përballon ”dështimet”etj, etj.
Nëse do ta konsiderojmë veten vetëm mësues lëndor, të gjitha më sipër do të duken të tepërta. Por nëse e shohim veten dhe si misionarë për të përgatitur një brez ashtu si e duam dhe e diskutojmë shpesh, duhet të kthejmë vëmendjen edhe nga dimensioni social i procesit mësimor. Të mos mjaftohemi duke i vënë epitete brezave por të bëhemi ne, mësuesit të parët, empatikë dhe të ndihmojmë të rinjtë në modelimin e sjelljeve dhe vlerave, formimin psikosocial të tyre, edukimin qytetar dhe etik.
Do të doja të ndalesha më konkretisht nga përditshmëria në punën tonë me nxënës.
Socializimi dhe të punuarit në grup - Njeriu rritet përmes marrëdhënieve që ndërton me të tjerët
Nxënësi duhet të zotërojë ndjesinë e të funksionuarit si grup. Nxënësve ju krijohen mundësi për të eksperimentuar si lider grupi, si organizator, si ideator, role të cilat do ti marrë edhe në jetë. Grupi duhet të jetë gjithëpërfshirës, të mbështesë secilin nxënës, të nxisë nxënësin pasivë, dhe të motivojë për më tepër nxënësin aktiv. Grupi pas çdo veprimtarie duhet të japë feedback. Le ti jepet kohë mjaftueshëm grupit të vendosë vetë për sistemin e vlerësimit, të përdoret si duhet kritika, të guxojë të kundërshtojë duke argumentuar, diskutimet të jenë shteruese dhe bindëse. E rëndësishme është të besojë te puna në grup, të dijë të ndërtojë grupin e vet të punës, të jetë i aftë të ndajë dhe marrë përgjegjësi, të kërkohet seriozitet dhe disiplinë etj. Asgjë nuk arrihet vetëm. Asnjë talent nuk shkëlqen plotësisht në izolim.
Vizioni i përbashkët - Krijojmë ndjesinë “NE” jo vetëm ”UNË”
Pasi krijohet identiteti i grupit, mësuesi orienton nxënësit drejt vlerave të përbashkëta. Nxënësi duhet të ndihet pjesë e rezultatit dhe të ketë rol në realizimin e tij. Që të arrihet vizioni i përbashkët, procesi nuk duhet të fokusohet në potencialin dhe arritjet individuale por edhe në ndërtimin e një kulture bashkëpunimi, shpesh edhe kompromisi, përgjegjësie dhe përkatësie brenda klasës.
Vendimmarrja - Aftësia për të marrë vendime është tregues pjekurie dhe vetëbesimi
Nxënësi duhet të mbahet gjithmonë i motivuar dhe pjesë e vendimmarrjes në proceset në klasë. Vendimmarrja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, dikush hedh idenë, dikush tjetër sygjeron aktivitete, një tjetër ndërmerr një nismë. Vendimmarrja e përbashkët e bën nxënsin të ndihet protagonist, i vlerësuar, nxit krijimtarinë, ngre pritshmëri te vetja, vendos prioritete, këmbëngul për ti arritur, nxit konkurrencën e pastër etj.
Inteligjenca emocionale - Të njohësh emocionet e tua është hapi i parë drejt pjekurisë
Mjedisi shkollor luan rol të rëndësishëm në kultivimin e inteligjencës emocionale te nxënësit. Inteligjenca emocionale te nxënësit reflektohet në aftësinë për të kuptuar veten dhe të tjerët, për të bashkëpunuar me empati dhe për të menaxhuar emocionet në mënyrë të shëndetshme. Nxënësi duhet të tregojë mirëkuptim, gjen dialog dhe kompromis, nuk dorëzohet lehtë përballë vështirësive dhe përpiqet të përmirësohet, pranon mendime, kultura apo aftësi të ndryshme pa paragjykime, arrin të menaxhojë stresin, nervozizmin apo zhgënjimin pa reagime impulsive etj.
Në një kohë kur vëmendja shpesh përqendrohet te rezultatet, produktet dhe performance, nuk duhet të harrojmë se shkolla ka një mision shumë më të madh:formimin e njeriut. Në një realitet ku roli i mësuesit shpesh vihet në diskutim, mbetet e rëndësishme të kuptojmë se ndikimi i tij nuk matet vetëm me nota apo rezultate të menjëhershme. Ai matet me qytetarët që formon, me të rinjtë që mësojnë të respektojnë, të bashkëpunojnë, të marrin përgjegjësi dhe të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme me shoqërinë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Psikologia Mirjeta Pestisha: Nëse jeni prindër të fëmijëve të klasave 6-9, lexoni me kujdes disa histori që po ndodhin çdo ditë në shkollat tona!
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë