opinion

“Reforma që ha vetveten”: Projekti i 30 shkollave pa debat publik

Fiqiri Çifliku analizon projektin e ofrimit të ushqimit në 30 shkolla, pa debat publik: mungesë transparence, pabarazi urbane-rurale dhe ngarkesë shtesë për mësuesit, që rrezikon të mbetet një nismë e bukur në letër, pa ndikim real në cilësinë e arsimit.

Të gjithë e dimë se arsimi shqiptar vuan nga mungesa e mjediseve për krijimtari, nga ngarkesa e tepërt dhe shpesh e pakuptimtë e mësuesve, si dhe nga pabarazitë mes shkollave urbane e rurale. Pikërisht tani Ministria e Arsimit ka vendosur të nisë një projekt të ri për ofrimin e ushqimit në 30 shkolla. Por ky projekt, i prezantuar si reformë sociale, shumë pak është diskutuar me publikun, me mësuesit, apo me prindërit. Thjesht po vjen si një vendim tashmë i marrë gati për zbatim.


Pse ky projekt ngre dyshime?


Së pari për transparencën e munguar. Nuk ka konsultim publik, nuk ka raport të qartë mbi kostot, mbi sigurinë e kateringut, apo mbi kushtet infrastrukturore që lidhen kryesisht me higjienën në shkolla.


Së dyti projekti krijon pabarazi të dukshme. Projekti nis kryesisht në shkollat e reja të Tiranës, duke lënë pas periferitë dhe fshatrat ku nevoja për projekte të tilla ndoshta është më e madhe.


Çështja e tretë lidhet me ngarkesën e mësuesve. Përveç orëve të mësimit, mësuesit do të mbajnë përgjegjësi shtesë për menaxhimin e ushqimit, pa qartësuar më parë shpërblimin e tyre apo mbingarkesën që mund të krijohet..


Personalisht mendoj se ka për të mbetur “pilot” si projekt pasi synimi për ta shtrirë në gjithë vendin brenda një kohe të shkurtër  duket i parealizueshëm, duke pasur parasysh mungesën e kantinave dhe infrastrukturës bazë në shumicën e shkollave.


Duket si një deja vu e hidhur me projektin e “Detyrave e shtëpisë në shkollë”. Edhe ky projekt rrezikon të mbetet një nismë e bukur në letër, por pa impakt real. Në vend që të përmirësojë cilësinë e arsimit, mund të kthehet në një tjetër mekanizëm për të mbajtur mësuesit në sistem në mënyrë fiktive.


Ky projekt nuk mund të nisë pa një diskutim të hapur kombëtar. Prindërit, mësuesit, nxënësit dhe ekspertët e arsimit duhet të kenë zë në vendimmarrje. Nëse shteti nuk ka kapacitet ta zbatojë në mënyrë të barabartë dhe të sigurt, më mirë të mos e nisë fare.


“Një shoqëri që ushqen trupin e fëmijëve, por harron të ushqejë mendjen e tyre, rrezikon të mbetet e ngopur me iluzione dhe e uritur për dije.”



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

467 Lexime
9 orë më parë