Rëndësia e përgatitjes së fëmijëve parashkollorë për klasën e parë

Anjeza Vezi trajton rëndësinë e përgatitjes gjithëpërfshirëse të fëmijëve parashkollorë për klasën e parë, duke theksuar zhvillimin social, emocional dhe vetëmenaxhues si bazë për një tranzicion të suksesshëm dhe rrugëtim të qëndrueshëm në arsim.

Nga Anjeza Vezi 

Edukatore 


Në kuadër të zhvillimeve bashkëkohore në arsimin e hershëm, gjithnjë e më shumë po vihet në theks rëndësia e përgatitjes së fëmijëve parashkollorë për kalimin në klasën e parë. Ky tranzicion përbën një fazë kyçe në jetën e fëmijës, pasi shënon fillimin e një rrugëtimi të ri arsimor, të shoqëruar me ndryshime në kërkesa, përgjegjësi dhe mënyra të të nxënit.


Si edukatore në arsimin parashkollor, por edhe me formim në arsimin fillor, e shoh çdo ditë nga afër se sa vendimtar është ky tranzicion për rrugëtimin e mëtejshëm të fëmijës në shkollë dhe në jetë.


Shpesh, ky kalim perceptohet vetëm si një hap drejt mësimit të shkrimit dhe leximit. Në realitet, ai është shumë më tepër se kaq. Fëmija përballet me një mjedis të ri, me rregulla më të strukturuara, me kërkesa më të larta dhe me pritshmëri të ndryshme nga ato që ka përjetuar në kopesht. Për këtë arsye, përgatitja për klasën e parë nuk duhet të kufizohet vetëm në aspektin akademik, por duhet të përfshijë në mënyrë të balancuar edhe zhvillimin social dhe emocional.


Nga përvoja ime në klasë, kam vënë re se fëmijët që përshtaten më lehtë në klasën e parë nuk janë domosdoshmërish ata që dinë të lexojnë apo të shkruajnë më herët, por ata që kanë zhvilluar aftësi bazë sociale dhe vetëmenaxhuese. Një fëmijë që di të presë radhën, të dëgjojë me vëmendje, të respektojë rregullat dhe të bashkëpunojë me të tjerët, e ka shumë më të lehtë të integrohet në mjedisin e ri shkollor.


Në praktikën e përditshme, këto aftësi ndërtohen përmes situatave të thjeshta, por shumë domethënëse. Për shembull, gjatë lojës në grup, fëmijët mësojnë të ndajnë lodrat dhe të respektojnë hapësirën e tjetrit. Këto janë hapa të vegjël që ndërtojnë bazën e një nxënësi të suksesshëm.


Një element tjetër kyç është zhvillimi i pavarësisë. Në klasën e parë, fëmijët pritet të kryejnë detyra të vogla vetë, të organizojnë materialet e tyre dhe të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre. Fëmijët që janë mësuar që në parashkollor të kujdesen për sendet personale, të përfundojnë një detyrë të nisur apo të kërkojnë ndihmë në mënyrën e duhur, e përjetojnë më pak stres këtë ndryshim.


Gjithashtu, aftësitë gjuhësore dhe të komunikimit luajnë një rol të rëndësishëm. Një fëmijë që shpreh mendimet dhe emocionet e tij qartë, që bën pyetje dhe që ndërvepron me bashkëmoshatarët dhe mësuesin, ka më shumë mundësi të përfshihet aktivisht në procesin e të nxënit.


Studimet dhe praktikat bashkëkohore në edukimin e hershëm theksojnë se zhvillimi i vëmendjes dhe i vetëkontrollit është po aq i rëndësishëm sa edhe përvetësimi i njohurive akademike. Në fakt, shpesh këto aftësi janë parakusht për suksesin në të nxënë. Një fëmijë që arrin të përqendrohet, të dëgjojë dhe të ndjekë një detyrë deri në fund, përfiton më shumë nga çdo aktivitet mësimor.


Nga ana tjetër, mungesa e këtyre aftësive mund ta bëjë tranzicionin më të vështirë. Fëmijët që kanë vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve, në punën në grup apo në menaxhimin e emocioneve, shpesh përballen me sfida në përshtatjen me ritmin dhe kërkesat e shkollës fillore.


Për këtë arsye, roli i edukatores në parashkollor është thelbësor. Ne nuk përgatisim vetëm “nxënës që dinë”, por mbi të gjitha fëmijë që janë të gatshëm të mësojnë. Përmes lojës, rutinave të përditshme dhe ndërveprimit të vazhdueshëm, ne ndërtojmë themelet mbi të cilat do të mbështetet i gjithë procesi i tyre arsimor.


Pra, përgatitja për klasën e parë është një proces i vazhdueshëm dhe i shumanshëm. Suksesi nuk matet vetëm me njohuritë që fëmija zotëron, por me aftësinë e tij për t’u përshtatur, për të bashkëpunuar dhe për të qenë pjesë aktive e një komuniteti mësimor. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e vërtetë e arsimit parashkollor në ndërtimin e një baze të fortë që i shërben jo vetëm fillimit të shkollës, por gjithë jetës.





© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

256 Lexime
10 orë më parë