Aktivitete në shtëpi

Sugjerime praktike për prindërit se si mund të nxisin të folurin te fëmijët nëpërmjet lojërave

Ju mund të përdorni objekte të përditshmërisë tuaj, për të nxitur dhe mbështetur zhvillimin gjuhësor dhe të të folurit të fëmijës tuaj. Ja disa ide...

Ju mund të përdorni objekte të përditshmërisë tuaj, për të nxitur dhe mbështetur zhvillimin gjuhësor dhe të të folurit të fëmijës tuaj. Ja disa ide….



Kartoni i letrës së kuzhinës


  • përdoreni kartonin si një tunel për makinat e fëmijës. Kështu, ju mund të praktikoni zhurmat e makinës, të mësoni fjalë bazike (nisu, ndalo, shpejt, ngadalë), ose të përdorni ndajfoljet e vendit për të përshkruar pozicionin e makinës.
  • formoni dylbi dhe kërkojini fëmijës të përshkruajë objekte të ndryshme që shikon në dhomë. Mësojini të përdorë sa më shumë mbiemra përshkrues, si: ngjyra, madhësia, forma, etj.
  • ndërtoni një fole për zogjtë, duke e mbushur hapësirën e kartonit me fara, krunde, etj. dhe ta varni në pemë. Ky është një aktivitet i mrekullueshëm për të mësuar komanda të ndryshme.

 


Kutia prej kartoni


  • lyejeni kutinë si një makinë ose lokomotivë dhe i mësoni fëmijës komandat: “nisu” ose “dua prapë”. Këndoni “Rrotat e autobusit rrumbullak” dhe shoqërojeni me lëvizje.
  • hapni një vrimë në kuti dhe futni brenda lojëra ose objekte të ndryshme, duke i thënë “Paçim”. Ky aktivitet i mëson fëmijës të përshëndesë.
  • fusni një objekt “misterioz” brenda kutisë, përshkruajeni dhe kërkojini të voglit tuaj të gjejë se çfarë ka brenda kutisë.

 


Kordelet


  • mësoni pjesët e trupit, duke vendosur kordelet në kokë, krahë, këmbë, etj.
  • bashkoni kordelet e ngjashme në ngjyrë, formë, madhësi dhe tregojini fëmijës pse janë njësoj ose ndryshe.
  • fshihni kordelet rreth e rrotull shtëpisë dhe jepini fëmijës instruksione rreth vendndodhjes së tyre, si p.sh. lart, poshtë, mbi, nën, në, mes, brenda, majtas, djathtas, etj.


Gota plastike


  • përdorni gotën plastike si mikrofon dhe punoni për imitimin e fjalëve ose fjalive të thjeshta.
  • ndërtoni një kështjellë me gotat plastike dhe praktikoni komandat dhe shprehjet “edhe një”, “vendose këtu”, “u rrëzua”, etj.
  • shkëmbeni radhën në vendosjen e gotave njëra mbi tjetrën, duke mësuar ndërrimin e radhës gjatë lojës dhe shprehjet “radha ime”, “radha jote”.




Nga Ertiola Lugji, logopede


©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

2,835 Lexime
2 vjet më parë