Fëmijët dhe Tantrum-et

Taktika për përballimin e shpërthimeve (Tantrum-eve) në klasë

Kur zemërimet dhe shpërthimet e nxënësve ndodhin në klasën tuaj është e lehtë të humbasësh durimin dhe kontrollin. Por mos u shqetësoni, Tantrum-et ndodhin edhe nën mbikëqyrjen e mësuesve dhe prindërve me përvojë. Ato mund të shkaktohen nga shumë gjëra, nga uria deri te dëshira për më shumë pavarësi.

Shpërthimet apo Tantrum-et janë të pashmangshme, por ju ende mund të mbani kontrollin e klasës suaj. Ne kemi biseduar me mësues me përvojë për të mbledhur këshillat e tyre se si t'i kalojmë këto situata të vështira. Shikoni këto 10 këshilla të ekspertëve si të merreni me shpërthimin, në mënyrë që të jeni të përgatitur herën tjetër kur një krizë kërcënon të godasë klasën tuaj.



10 taktika për t'i përballuar Tantrum-et


Trajtimi i një Tantrum-i nuk ka të bëjë vetëm me atë që bëni gjatë shpërthimit së një fëmije - veprimet tuaja para dhe pas mund të bëjnë një ndryshim gjithashtu! Ndiqni këto hapa për t'iu qasur me efektivitet shpërthimeve në çdo fazë, nga parandalimi deri te pasojat.



Çfarë duhet të bëni PARA një Tantrum-i



1. Flisni për emocionet


"Gjëja më e rëndësishme për të bërë është të bisedoni me fëmijët rreth shpërthimeve dhe emocioneve”, thotë Joni Kuhn, asistente në Kolegjin Rasmussen. Ajo rekomandon të diskutohet pse njerëzit mërziten të paktën disa herë në javë. Provoni të luani role në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi të mendojnë se si t'i trajtojnë emocionet e tyre në një mënyrë pozitive kur ata mërziten ose frustohen.



2. Njihni nxënësit tuaj


Njihuni me nxënësit tuaj duke folur shpesh për pëlqimet dhe mospëlqimet e tyre dhe çfarë i bën ata të lumtur ose të trishtuar. “Të zbulosh se çfarë i shtyn ata të mërziten është çelësi për të kuptuar se kur mund të shfaqet një tantrum”, thotë Kuhn. Ajo gjithashtu rekomandon që të përpiqeni të lexoni shprehjet e tyre të fytyrës dhe të vini re se cilat kohë të ditës janë më të vështira për ta.



3. Kushtojini vëmendje


Pasi të njihni shkaktarët e mundshëm, shumë shpërthime mund të parandalohen duke u kushtuar vëmendje se si po ecin gjatë gjithë ditës. "Shumica e shpërthimeve fillojnë sepse një fëmijë është i uritur, i lodhur ose i mërzitur", thotë Helen Adeosun, themeluese e CareAcademy. Nëse mund t'i dalloni ato shenja, do të jeni në gjendje t'i ofroni fëmijës atë që ai/ajo ka nevojë përpara se të fillojë shpërthimi.



4. Përvetësoni artin e shpërqendrimit


"Nëse shihni një fëmijë të vogël ose parashkollor në prag të një shpërthimi, mund të ndërhyni dhe të përpiqeni ta shpërqendroni me një libër ose një lodër", këshillon Kuhn. Shpërqendrimi i vëmendjes së një fëmije larg emocioneve negative mund ta ndihmojë atë të qetësohet përpara se të fillojë një Tantrum. Edhe diçka e thjeshtë si pyetja se si ndihet fëmija mund ta devijojë situatën e vështirë.



Çfarë duhet të bëni GJATË një Tantrum-i



5. Mbani të gjithë të sigurt

Disa fëmijë përplasen me furi ose hedhin gjëra gjatë një shpërthimi, kështu që puna juaj e parë është t'i mbani të gjithë fëmijët të sigurt. Parandaloni aksidentet duke lëvizur një fëmijë të mërzitur larg nga qoshet e mprehta ose skajet e forta dhe inkurajoni fëmijët e tjerë të punojnë në një aktivitet të qetë si leximi ose vizatimi në zonën e afërt të klasës.



6. Ruajeni qetësinë

Ekspertët e kujdesit për fëmijët pajtohen se humbja e durimit nga i rrituri dhe përshtatja me shpërthimin e fëmijës është gjëja më e keqe që mund të bëni gjatë një Tantrum-i. Mos harroni se shpërthimet janë normale për fëmijët e vegjël dhe sjellja e tyre është e pritshme. “Tantrumet i ndihmojnë fëmijët të përballojnë ndjenjat e tyre dhe të çlirojnë stresin dhe ankthin”, thotë Kuhn. "Shumica e të rriturve kanë pritshmëri jorealiste se si duhet të sillen fëmijët dhe kjo është ajo që i bën gjërat të bëhen problematike."



7. Siguroni një hapësirë të qetë


Kur fëmijët janë tepër të stimuluar ose të frustruar, largimi i tyre nga mjedisi mund t'u japë atyre hapësirë për të përballuar ndjenjat e tyre pa u mërzitur edhe më shumë. "Të kesh një hapësirë të qetë u jep fëmijëve një ndjenjë kontrolli dhe një vend për t'u shkëputur nga çdo gjë që shkaktoi shpërthimin në fillim", thotë Adeosun. Ajo rekomandon caktimin e një zone të qetë që fëmijët e dinë se mund ta vizitojnë nëse është e nevojshme.



8. Flisni me të


Kur të rriturit janë të mërzitur, atyre u ndihmon të flasin për problemet e tyre me një mik që dëgjon. E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët. “Zbrisni në nivelin e tyre dhe në heshtje tregojini se e kuptoni se si ndihen”, thotë Kuhn. Ju mund të përgjigjeni nëse ata flasin me ju, por mos u përpiqni të detyroni një përgjigje. Roli juaj më i rëndësishëm është të dëgjoni.



Çfarë duhet të bëni PAS një Tantrum-i



9. Mos e injoroni elefantin në dhomë


Të rriturit shpesh dëshirojnë të shmangin të folurit për një shpërthim pasi të ndodhë, por kjo është strategjia e gabuar, sipas Kuhn-it. "Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të flasim me fëmijët rregullisht se cilat janë emocionet dhe mënyrat e mira për të trajtuar çështjet që dalin kur jemi të mërzitur." Të flasësh për atë që sapo ka ndodhur mund të mos jetë instinkti juaj i parë, por është mënyra më e mirë e veprimit për t'i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se si të punojnë me ndjenjat e tyre.



10. Inkurajoni ndjeshmërinë


Fëmijët duhet të kuptojnë se miqtë e tyre mund të kenë probleme me disa gjëra, si ndarja ose kalimi nga një aktivitet në tjetrin, thotë Kuhn. Duke bërë biseda të rregullta dhe të sinqerta rreth asaj se pse ndihemi ashtu siç ndihemi, ata do të jenë në gjendje të kuptojnë se si ndihet shoku i tyre kur ai ose ajo ka shpërthim. Një fëmijë empatik do të jetë në gjendje të jetë "i sjellshëm, i respektueshëm dhe i dobishëm në kohë shpërthimi", thotë Kuhn.



Burimi: Klikoni këtu 

 

Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

400 Lexime
2 javë më parë