Të rrisim fëmijë që dinë të pranojnë gabimet dhe të mbajnë përgjegjësi
Të mësosh një fëmijë të pranojë gabimet, të përballojë korrigjimin dhe të mbajë përgjegjësi është pjesë e rëndësishme e rritjes së tij. Një mesazh për prindërit mbi rolin e tyre dhe të mësuesve në përgatitjen e fëmijëve për jetën reale.
Të dashur Prindër,
Nëse fëmija juaj nuk duron dot që t'i thuhet se e ka gabim, duhet të mësojë ta pranojë këtë, para se bota reale t'ia mësojë në mënyrën më të vështirë.
Të korrigjosh nuk do të thotë të sulmosh.
Të thuash "jo" nuk do të thotë të keqtrajtosh.
Të mbash përgjegjësi nuk do të thotë të bullizosh.
Dhe të përballesh me pasojat nuk e bën fëmijën tënd viktimë.
Mësuesit nuk i korrigjojnë fëmijët sepse nuk i pëlqejnë.
I korrigjojnë sepse të mësuarit do të thotë të gabosh, të pranosh kritika, të ndjekësh udhëzimet, dhe të kuptosh se rregullat vlejnë për të gjithë.
Por kur çdo korrigjim kthehet në debat, çdo pasojë në ankesë, dhe çdo mosmarrëveshje në fajin e dikujt tjetër, atëherë kemi një problem.
Fëmijët duhet të kuptojnë se nuk do të kenë gjithmonë të drejtë.
Nuk do të fitojnë gjithmonë.
Nuk do t'i ecë gjithmonë siç duan ata.
Dhe nuk do të kenë gjithmonë dikë pranë që t'u gjejë justifikime për sjelljen e tyre.
Një ditë, do të kenë punëdhënës që presin përgjegjësi.
Kolegë që nuk bien dakord me ta.
Përgjegjësi që nuk mund t'i shmangin.
Dhe pasoja që nuk mund të zhbëhen me një telefonatë të zemëruar nga shtëpia.
Nuk po ju kërkojmë të rrisni fëmijë perfektë.
Po ju kërkojmë të rrisni fëmijë që dinë të pranojnë korrigjimin pa e parë si sulm.
Fëmijë që dinë të kërkojnë falje kur gabojnë.
Fëmijë që e kuptojnë se respekti shkon në të dyja anët.
Dhe fëmijë që e kuptojnë se të mbash përgjegjësi është pjesë e rritjes.
Sepse duke e mbrojtur fëmijën tuaj nga çdo mësim i pakëndshëm sot, nuk po e përgatitni për realitetet e nesërme.
Mësuesit mund t'i përforcojnë këto mësime.
Por prindërit duhet të ndihmojnë t'i mësojnë ato.
Ne duhet të punojmë bashkë, jo kundër njëri-tjetrit.
Me respekt,
Mësuesit që po përpiqen t'i përgatisin fëmijët tuaj për botën reale.
Huazuar nga WEB (Learn Laugh Teach)
Përshtatja në shqip nga Miku i librit.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Intervistë me psikologen Sonila Jaupbashi: Të rinjtë dhe protestat, çfarë fshihet pas zemërimit dhe si edukohet kundërshtimi pa dhunë?
“T’u mësojmë fëmijëve vlerën e shkollës” nga psikologia Diola Malasi