Shkencë

Teoritë shkencore më të çuditshme në histori!

Shkenca ka reputacionin e të qenit logjike dhe racionale. Por, S.D. Tucker në librin e tij të ri thotë se kjo nuk vlen gjithmonë dhe përmend disa nga teoritë më të çuditshme shkencore të historisë!

Shkenca është ekzakte, gjithçka është e vërtetuar dhe nuk ka përjashtime. Formula është formulë dhe nuk mund të ndryshojë. E megjithatë ka teori të cilat nuk janë vërtetuar, janë thënë nga njerëz të cilët i kanë dhënë merita vetes, por sot pas shumë vitesh këto teori janë shumë të çuditshme!

Shkenca ka reputacionin e të qenit logjike dhe racionale. Por, S.D. Tucker në librin e tij të ri thotë se kjo nuk vlen gjithmonë dhe përmend disa nga teoritë më të çuditshme shkencore të historisë!

Zanat darviniste

Më 1913, një klerik anglez i quajtur Charles Webster Leadbeater (1854-1934), ka botuar librin “Ana e fshehur e gjërave” ku mundohet të krijojë një degë krejt të re të pemës së evolucionit për zanat. Por, meqë zanat janë krijesa të imagjinatave, ai ka dhënë teoritë e tij se si janë zhvilluar, por nuk dha asnjë provë të“hulumtimeve” të tij.

Mjekësia naziste

Disa nga eksperimentet më të çuditshme janë kryer nga Sigmund Rascher (1909-1945).

Një nga eksperimentet më të pazakonta ndërlidhej me ngrirjen. Për të ditur se si duhet të trajtohen pilotët në lartësi të mëdha e me presion të ulët në Detin e Veriut, si dhe ushtarët gjermanë në Frontin Lindor, ai detyroi të burgosurit të rrinin lakuriq për 14 orë në të ftohtin e dimrit, ose duke i zhytur në rezervuarët e ujit të akullt. Pastaj, u përpoq t’i kthente nga pavetëdija duke i vënë në banja të ngrohta.

Shefi i SS-ve, Heinrich Himmler, kishte një sugjerim tjetër: gratë e peshkatarëve të Detit të Veriut i shpëtonin burrat e fundosur duke i dërguar në shtrat dhe duke përdorur “ngrohtësinë e kafshëve” mbi ta. Për të testuar këtë teori, Rascher solli gratë rome nga Ravensbruku, i zhveshi dhe pastaj i detyroi viktimat e hipotermisë të qëndrojnë në një lloj sandviçi njerëzor mes tyre. Por, megjithatë u vërtetua se uji i ngrohtë ishte një alternativë më efektive.

Ai njihej edhe për rrëmbim të foshnjave, për të gënjyer se ka shtuar moshën riprodhuese të femrave, përfshirë gjoja gruan e tij që lindi tre fëmijë në moshën gati 50-vjeçare. Himmleri i përdori fotot për qëllime propaganduese, por kur kuptoi gënjeshtrën, mjeku mizor u fut vet në kampin Dachau ku kryente eksperimente dhe u ekzekutua.

Kripa, sekreti i jetës

Homeopati amerikan, Charles Wentworth Littlefield (1859-1945) ka pohuar se ka zbuluar sekretin e jetës.

Kur pacientët shkonin tek ai, Littlefield recitonte një lutje të shkurtër për t’i ndihmuar. Një ditë merr një mostër (nga një pacient) të kripës organike që ndihmon koagulimin dhe u lut duke menduar për një pulë. Pastaj, në mikroskop tha se ka parë se si formacioni i kripës kristalore i ngjante pulës që e mendonte.

Duke besuar se ishte telepatik, në vitin 1919 botoi një libër ku thotë se duke u përqendruar në grumbuj kripe, ato formonin shtazë të tilla si: gaforret, majmunë, peshq dhe madje edhe njerëz. Shumica e tyre nuk ishin të gjalla, me përjashtim të oktopodit mikroskopik. Ndaj, ai tha se jeta në Tokë nisi nga oktopodi që u formua rastësisht nga kripa psikike!

Mollët kanë ndjenja

Dramaturgu i njohur suedez, August Strindberg (1849-1912), nuk ishte shkencëtar, por besonte se ishte. Ai madje një kohë ka thënë se bimët kanë sistem nervor!

Për ta vërtetuar këtë mbante një shiringë me morfinë në xhepin e tij të cilën gjatë ecjeve të mëngjesit e injektonte në bimë të ndryshme për të parë nëse ato ‘drogohen’. Duke e bërë këtë tek një mollë u arrestua. Atëherë dramaturgu i madh tha fjalinë që e liroi: ai ishte një i pafajshëm i çuditshëm e jo helmues frutash!

Tung, Homunculus

Homunculusi është një lloj i “njeriut të vogël” artificial që thuhet se është rritur në laboratorët e alkimistëve të vjetër. Këtë e tha Paracelsus (1493-1541), një mjek, kimist, astrolog, mistik, pijanec, poterexhi dhe alkimist gjerman. Në librin etij “De Rerum Natura”, tha: “Lëreni spermën e burrit të dekompozohet në xham dhe mbylleni në bajgë kali, për dyzet ditë, derisa të fillojë të jetë gjallë, të lëvizë. Pas kësaj kohe do të jetë diçka si njeri, por transparent dhe pa trup. Pas kësaj, nëse çdo ditë e ushqeni me kujdes me gjakun e njeriut, dhe për dyzet javë të mbahet në një ngrohje konstante të bajgës së kalit, do të bëhet një i gjallë i vogël”! Ai madje pretendoi se ka krijuar disa nga ta që ishin rreth 12 inç të gjatë!

Jeta e zogjve

Kryevepra e mjekut të Norfolkut, Thomas Browne (1605-1682), ishte libri i vitit 1646 “Pseudodoxia Epidemica”, një katalog masiv i gabimeve me detajet e eksperimenteve të çuditshme që kishte bërë për t’i provuar apo hedhur poshtë.

Një “gabim vulgar”, siç e quante ai, ishte pretendimi se ta varje bilbilin në tel do ta transformonte atë në matës të saktë të drejtimit të erës. Duke e larguar nga trau ekuilibrues, ai vërejti se zogu po lëkundet si i teket. Duke e marrë një zog tjetër e duke lidhur me të parin e duke e kthyer në drejtim tjetër ai demonstroi se bilbili nuk ka aftësi për të treguar drejtimin e erës.

Bota, një teatër…!

Shkenca dhe feja kanë qenë shpesh në konflikt. E, përpjekja më e veçantë për të përputhur dëshminë biblike me të vërtetat gjeologjike vjen nga zoologu Philip Gosse (1810-1888).

Gosse ishte një natyralist i respektuar dhe ekspert i gjenitaleve të fluturave (e çuditshme, por e vërtetë). Më 1857, në librin “Omphalos” thotë se të gjitha fosilet dhe karakteristikat gjeologjike janë vënë nga Zoti për të testuar fenë tonë. Eshtrat e kafshëve të zhdukura, mbetjet e vullkaneve, shenjat përrallore në peizazhe janë formuar që planeti të jetë më ‘real’. Ashtu siç një skenograf mund të vendosë ushqimin e pjatat në tavolinë në skenë nga një vakt që nuk ishte për të mos thyer iluzionin e realitetit për publikun e teatrit, kështu Zoti ka lënë mbetje të fosilizuara si të mamutëve që kurrë nuk kanë ekzistuar apo të dinozaurëve!

3,818 Lexime
7 vjet më parë