Psikologji

Udhëzime për mësuesit e rinj: Si të kuptojnë nxënësit dhe të zhvillojnë orë efektive me ta

Fatbardha Murati, ka ndarë me portalin tonë një sërë këshillash dhe refleksionesh nga përvoja e saj. Murati ka ofruar një perspektivë të re, duke sugjeruar mësuesit që të nisin reflektimin nga vetja dhe të kuptojnë thelbin e problemeve që nxënësit mund të hasin në klasë.

Mësimdhënia është një profesion i vështirë që sjell sfida të njëpasnjëshme, e  veçanërisht për mësuesit e rinj. Reflektimi në klasë nuk duhet të fillojë gjithnjë nga nxënësit, por nganjëherë duhet të jenë mësuesit ata që bëjnë hapin e parë.


Në këtë kontekst, Fatbardha Murati, mësimdhënëse në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në komunën e Podujevës, ka ndarë me portalin tonë një sërë këshillash dhe refleksionesh nga përvoja e saj si mësuese fillestare.


Murati ka ofruar një perspektivë të re, duke sugjeruar mësuesit që të nisin reflektimin nga vetja dhe të kuptojnë thelbin e problemeve që nxënësit mund të hasin në klasë. 


“Në vitin tim të parë të mësimdhënies, shpesh kur shihja nxënësit që nuk kryenin detyrën të cilën ua përcaktoja, parashtroja pyetje si, 'Pse nuk po e bën detyrën?' ose 'Nuk ka kohë për të folur, nuk po të shoh duke bërë detyrën?', 'Ku e ke fletoren? S’po e shoh?'."  

Gjithmonë mendoja se ata thjesht s’duan ta bëjnë detyrën, nuk duan të mësojnë e janë “dembelë”. 

Pastaj, kuptova se në fakt isha unë ajo që nuk merrja mundin për t'u afruar tek ata me një qasje ndryshe, të kuptoja thelbin e këtij “problemi”… 



Kështu, të dashur mësimdhënës/e: 

Ju lutem që të jeni të vetëdijshëm se kur një nxënës nuk po e plotëson detyrën, ata mund të përballen me një nga sfidat e mëposhtme:


  • Ata nuk po e kuptojnë çfarë duhet të bëjnë.
  • Ata mund të kenë nevojë për t’u dhënë shembuj më shumë apo t’i qëndroni afër gjatë kryerjes së detyrës.
  • Ata mund të kenë nevojë për motivim për ta përfunduar detyrën.



Roli juaj është të:


  1. Endeni rreth klasës për të identifikuar nxënësit që nuk janë të angazhuar në detyrë.

  2. Të kërkoni nga ta t’ua thonë se çfarë duhet të bëjnë. Kështu shihni nëse e kanë kuptuar kërkesën tuaj. 

  3. T'i ofroni inkurajime duke shprehur gëzimin tuaj për të parë punën e tyre në fund, dhe duke shprehur besimin tuaj në aftësitë e tyre me thënie si: "hajde, e di që mund ta bësh ti këtë!", "hej, thjesht fillo ta bësh njëherë, ti ke potencial të madh!"...

  4. T'i njoftoni ata se është e pranueshme të punojnë me një shok apo shoqe të klasës nëse duan. Bashkëpunimi gjithmonë u ndihmon.”



Vetëdija për efektet tuaja si mësues tek  nxënësit, është hapi i parë drejt një qasje më të përkujdesur dhe më të ndërgjegjshme në mësimdhënie. Në këtë mënyrë, mund të bëheni udhëheqës pozitivë dhe mbështetës të mëdhenjtë zhvillimit dhe suksesit të secilit nxënës.




Përgatiti: Arlinda Hajdarajgazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën. 
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,028 Lexime
7 muaj më parë