Zbulo çfarë kujtese ke dhe mëso në kohë rekord!

E njeh mirë kujtesën tënde? Do të dish si t’i bësh detyrat më mirë dhe më shpejt se zakonisht? Ja disa këshilla...

Çfarë kujtese ke?

A e ke pyetur ndonjëherë veten çfarë tip kujtese ke? Përse? Sepse nuk ekziston vetëm një lloj kujtese, por disa tipa.


Janë disa lloje, si: ajo dëgjimore, pamore, semantike dhe ikonike. Le të kuptojmë më mirë se si ne i fiksojmë ato që na shpjegojnë mësuesit në klasë apo se si ato që studiojmë në shtëpi, mund të na ndihmojnë t’i bëjmë detyrat mirë dhe në një kohë shumë të shkurtër.

E kujt nuk do t’i pëlqente të kishte më shumë kohë për të luajtur apo për të bërë diçka që i pëlqen? Zbulo se ç’lloj kujtese ke dhe ndiq këshillat tona, që këtë vit shkolla të të kthehet në kënaqësi!


Kujtesa “e nënkuptuar”

Kujtesa “e nënkuptuar” ka të bëjë me disa aspekte të karakterit tënd. Nëse je një person që i mëson shumë shpejt aktivitetet mekanike, si për shembull, t’i japësh biçikletës, të notosh apo të mësosh skitë, ke një kujtesë të mirë të nënkuptuar. Kur mëson, përpiqu të mos e përsërisësh vetëm me zë të lartë atë që po mëson, por ushtroje edhe në praktikë. Çfarë? Bëj nënvizime, mbaj shënime nëse është e mundur, bëj ndonjë skemë... si ato të futbollit, që të pëlqejnë aq shumë. E nëse ke pak dorë, përpiqu të bësh ndonjë vizatim të asaj që po mëson. Shumë shpejt ke për t’i parë rezultatet!


Kujtesa semantike

Kujtesa jote funksionon tamam si një fjalor. E ke shumë të thjeshtë të fiksosh datat apo përkufizimet? Po, atëherë padyshim që kujtesa jote është semantike! Si të mësosh? Çdo gjë që ke për të mësuar, lidhe me një përkufizim, tamam si të ishte një fjalor. Je me fat për kujtesën që ke, por bëj kujdes, sepse mund që jo gjithmonë të kesh një vizion të përbashkët të asaj çka mëson. Kur të mësosh, përpiqu të bësh lidhje edhe me ato që ke mësuar më parë!


Kujtesa ikonike

Fikso një shprehje të gjatë matematikore, një ekuacion apo një varg numrash. E bëre? Sa numra mban mend? Nëse me një shikim mban mend më shumë se gjysmën e tyre, atëherë ke një memorie ikonike. Kujdes, pasi kjo kujtesë fikson skemat, por zgjat shumë pak. Prandaj përpiqu të kuptosh dhe të përvetësosh atë që je duke mësuar, që ta mbash mend sa më gjatë.


Kujtesa fotografike

Përpiqu të shikosh një pikturë apo një fotografi. Nëse pas 5 sekondash mban mend shumë detaje nga imazhi, atëherë ke një memorie fotografike. Për t’i ardhur në ndihmë kujtesës tënde dhe për ta shfrytëzuar maksimalisht, përpiqu që gjatë studimit të bësh skema dhe t’i lidhësh ato me ndonjë ngjyrë (gjatë kohës që nënvizon) apo t’i lidhësh me ndonjë imazh në tekst.


Kujtesa dëgjimore

Nëse mban mend më mirë zërin, sesa fytyrën e një njeriu, atëherë ke një kujtesë dëgjimore! Je me fat dhe e di përse? Sepse nëse je i vëmendshëm, mund të fillosh të mësosh gjatë kohës që mësuesi është duke shpjeguar. Po sikur të mos ketë shpjeguar? Lexo tekstin dhe regjistroje, vendos kufjet dhe dëgjoje disa herë. Dhe ja ku je gati për t’u ngritur në mësim dhe për të marrë një notë të mirë!


(Portali Shkollor)

2,336 Lexime
8 vjet më parë