Shkollat shqipe në diasporë

ALBAS dhuron libra për fëmijët shqiptar të shkollës shqipe “Pranë Teje” në Romë

Shtëpia Botuese Albas u bë mbështetëse e rrugëtimit të fëmijëve që mësojnë gjuhën shqipe në shkollën “Pranë Teje”, në Romë, me mundësimin e disa librave didaktik dhe artistik për moshat 6-13 vjeç. Shkolla është krijuar dhe vetëfinancuar nga mësuesi shqiptar Edmond Ndoj.

Në Romë të Italisë, në Torre Nova, gjendet një shkollë shqipe e quajtur “Pranë Teje”, që u mëson shqip 30 fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Romë. E krijuar dhe vetëfinancuar nga mësuesi shqiptar Edmond Ndoj, kjo shkollë është një gur themeli për ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës shqipe ndër breza.


Të shtunën e 17 Shkurtit, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, Shtëpia Botuese Albas, u bë një mbështetëse e këtij rrugëtimi, pasi iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës së Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” për mundësimin e disa librave për fëmijët e moshave 6-13 vjeç.

Që nga Abetarja mbarëkombëtare, paketa “Gjuha dhe kultura shqiptare, niveli 1”, apo titujt e figurave të njohura shqiptare, të përshtatura për fëmijë, si “Më quajnë Vaçe Zela”, “Më quajnë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “Më quajnë Musine Kokalari”, etj, janë tashmë në duart e këtyre fëmijëve. 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

334 Lexime
2 muaj më parë