
Albas fiton Çmimin për Vepër Kapitale në Prishtinë me kolanën e Petro Markos
Shtëpia Botuese Albas u nderua me Çmimin për Vepër Kapitale në Panairin e 25-të të Librit në Prishtinë për botimin cilësor dhe gjithëpërfshirës të serisë së veprave të Petro Markos, një autor i dashur dhe i njohur në të gjitha hapësirat shqiptare.
Në edicionin e 25-të të Panairit të Librit në Prishtinë, Shoqata e Botuesve të Kosovës ka vlerësuar me Çmimin për Vepër Kapitale botimin e serisë së veprave të shkrimtarit të njohur Petro Marko. Ky projekt letrar është realizuar nga Shtëpia Botuese Albas, me seli në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, dhe përfaqëson një angazhim të vazhdueshëm për ruajtjen dhe promovimin e letërsisë shqiptare klasike.

Çmimin e mori drejtori i Albas Kosovë, Fatlum Hetemi, i cili në fjalën e tij u shpreh:

“Është nder i madh të vlerësohesh me këtë çmim për një shkrimtar të botuar që është i dashur e i njohur në krejt hapësirat shqiptare. Një falënderim të veçantë për Aranita Marko për besimin në shtëpinë botuese Albas dhe në drejtoreshën tonë Rita Petro. Faleminderit edhe për jurinë e organizatorët e panairit, të cilët bëhen sebep për mbledhje të tilla kulturore e vlerësime për shkrimtarë, përkthyes dhe botues që fjalën e bukur shqipe e sjellin në variantin më të mirë për lexuesit.”
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua sot, ku juria e përbërë nga Majlinda Rama, Behar Gjoka dhe Dan Ibrahimi vlerësoi kontributin e veçantë të këtij botimi në pasurimin e trashëgimisë letrare shqiptare. Në emër të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, çmimi u firmos nga kryetari Edon Zeneli dhe u dorëzua në një atmosferë solemne gjatë aktivitetit kulturor që mblodhi botues, autorë, studiues dhe lexues nga mbarë hapësira shqiptare.


Ky vlerësim përforcon rolin e Albas si një nga shtëpitë botuese më të angazhuara në promovimin e autorëve shqiptarë dhe në risjelljen e veprave të rëndësishme për lexuesit e sotëm.
Vepra Kapitale konsiderohet një botim me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore dhe historinë letrare shqiptare. Ajo përfaqëson një vlerë të qëndrueshme në letërsi, qoftë për tematikën që trajton, për ndikimin e saj afatgjatë në lexuesin shqiptar, apo për cilësinë e lartë të botimit dhe prezantimit. Në këtë rast, kolana me veprat e Petro Markos është cilësuar si një kontribut madhor në ruajtjen dhe përhapjen e një prej zërave më të fuqishëm të letërsisë shqipe.
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
“Libri që përktheva”, aktiviteti i Albas-it në Panairin e Librit të Prishtinës: Një udhëtim në shpirtin e fjalës shqipe
Albas organizon panel të veçantë të përkthimit në Panairin e Librit në Prishtinë, më 12 qershor