PANAIR LIBRI

Albas merr pjesë në panairin e librit “Kamza lexon” në datat 13, 14 dhe 15 maj

Në datat 13, 14 dhe 15 maj në Kamëz zhvillohet për herë të parë panairi i librit “Kamza lexon”. Në sheshin “Nënë Tereza” të kësaj bashkie, 24 shtëpi botuese ekspozojnë në stendat e tyre tituj të larmishëm për të gjithë dashamirësit e librit. Albas si pjesë e tij, ju fton për t’u afruar me fjalën e shkruar.

“Kamza lexon” është titulli i panairit që ka nisur sot më 13 maj në kryeqytet dhe që do të vazhdojë edhe përgjatë fundjavës, 14 dhe 15 maj.  Në sheshin “Nënë Tereza” të bashkisë Kamëz, në stenda marrin pjesë 24 shtëpi botuese dhe mbi 30 autor shqiptar të cilët do të promovojnë drejtpërdrejtë librat e tyre. 


Edhe Shtëpia Botuese Albas fton të gjithë dashamirësit e librit t’i bashkohen aktiviteteve kulturore dhe letrare që do të mbahen përgjatë këtyre tri ditëve. 

Në stendën tonë do të gjeni shumë libra të zhanreve të ndryshëm, për të rritur e për fëmijë. 

Sakaq, për t’u njohur paraprakisht me të gjithë titujt e Albas mjafton të klikoni në www.albas.al 

“Në fakt është hera e parë që në Kamëz ndodh një event i tillë, me përmasa kaq të mëdha ku marrin pjesë 24 shtëpi botuese nga i gjithë vendi ndërsa mbi 30 autor do të jenë të pranishëm. Skena e promovimeve të librave do të jetë e konceptuar si një “fan zone” ku do të ketë shkrimtar të ndryshëm që do të promovojnë librat e tyre. Ndërkohë jemi kujdesur për pjesëmarrje masive duke koordinuar të gjitha shkollat e Kamzës nëpërmjet një grafiku vizitash”, - kështu ka deklaruar Liridon Mulaj, këshilltar në bashkinë Kamëz. 

Krahas përfaqësuesve vendor, në pjesën e organizimit të këtij panairi janë përfshirë edhe nxënësit e bashkisë Kamëz, duke i paraprirë me aktivitete të ndryshme letrare nga klubet letrare të shumë shkollave të Kamzës. 


“Pra ishin nxënësit ata që e sollën këtë panair prej dëshirës për të promovuar vlerat e librit dhe leximit”, tha Liridon Mulaj. 


Në fund të panairit do të ndahen edhe tre çmime që do të kurorëzojnë këtë panair. Juria përfaqësohet nga kryetarja e jurisë, profesoreshë Erestina Halili, Alda Bardhyli dhe Ylljet Aliçka. 


Ndërkohë më poshtë gjeni programin e tre ditëve të panairit “Kamza lexon”, i ndërtuar mbi aktivitetet dhe promovimet e shtëpive botuese.

Nanila Allkja Biçaku

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

282 Lexime
2 javë më parë