Rekomandime

Natasha Pepivani: Librat që fëmijët mund të lexojnë gjatë pushimeve të verës

Sa i përket sugjerimeve të titujve të librave gjatë pushimeve të kësaj vere të shumëpritur, vëmendje këtë herë do t’u kushtojmë të vegjëlve. Për të dhënë sugjerime më konkrete ne kemi marrë rekomandimet e Natasha Pepivanit, kryeredaktores së Shtëpisë Botuese Albas.

Prej pak ditësh institucionet arsimore kanë mbyllur zyrtarisht vitin shkollor 2019-2020. Një vit i pazakontë, me ndërprerje të gjata të procesit mësimor, si nga tërmeti, dhe aq më shumë nga pandemia Covid 19. Por varësisht situatës që përjetuam të gjithë, veçanërisht nxënësit dhe fëmijët, kanë përpara tyre verën, për të kaluar pushime dhe kohë të bukura, por edhe për të lexuar libra. Ndaj ne kemi zgjedhur të zhvillojmë një bisedë me kryeredaktoren e Shtëpisë Botuese Albas, Natasha Pepivanin, për të dhënë disa sugjerime librash për fëmijët. 


Prej 20 vitesh tashmë Shtëpia Botuese Albas, është një nga shtëpitë më të mëdha e cila operon jo vetëm në vendin tonë por edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut  e që ka sjellë librat më të shumtë për fëmijë, duke filluar që nga librat më klasikë, me përkthime të arrira, enciklopeditë, e deri tek ata të cilët janë botim ekskluziv i saj, siç është seria “Më quajnë...” etj. 


Kryeredaktorja Pepivani ka pohuar se ALBAS e ka filluar veprimtarinë e saj si botuese e librave shkollorë, ku ka qenë dhe është shumë e suksesshme për të vijuar më pas me botime jashtëshkollore. 

“Shtëpia botuese Albas e ka filluar veprimtarinë e saj si botuese e librave shkollore, ku ka qenë dhe është shumë e suksesshme. Duke njohur në thellësi planet dhe programet dhe ndryshimeve që ato kanë pësuar në vite, politika botuese u zgjerua edhe me botime jashtëshkollore, të cilat synonin mbështetjen e nxënësve për lëndët e ndryshme mësimore me njohuri më të gjera. Kjo na vuri përpara detyrës që t’u përgjigjeshim kërkesave të grupmoshave të ndryshme, që nga bebet deri në tre vjeç, në fëmijët e parashkollorit, të shkollës fillore, të nxënësve të arsimit të mesëm të ulët e të lartë e të rritur”, është shprehur kryeredaktorja e Albas, Natasha Pepivani, ndërsa është ndalur edhe te parimi i përzgjedhjes së librave për botim e veçanërisht te përzgjedhja e letërsisë për fëmijë: “Parimi që ndoqëm në përzgjedhjen e librave për botim ishte parimi linear koncentrik, i ndjekur edhe në programet lëndore, duke ofruar autorë e tituj librash origjinalë e të përshtatur për çdo grupmoshë. Ajo që na udhëheq në përzgjedhjen e letërsisë për fëmijë është synimi si të ofrojmë letërsinë e madhe për grupmoshat e ndryshme, duke zgjuar interesin e fëmijëve, shijen e tyre dhe nxitjen për të lexuar”. 


Por si është nxitur dëshira e fëmijëve për leximin e veprave madhore, që i kanë rezistuar kohërave dhe lexohen nga fëmijët e lexuesit e rritur të të gjitha kohëve dhe vendeve? 


“Veprat madhore e të pavdekshme të letërsisë ne i kemi botuar nën siglën e klasikëve, e cila i shoqëron fëmijët nga mosha 3 vjeç deri kur rriten. E ndonëse titujt janë të njëjtë, qasja ndaj tyre është e ndryshme, duke nisur nga mënyra e përshtatjes, ilustrimet, fjalori, deri sa arrihet te përkthimet nga veprat origjinale, bazuar në grupmoshën”-është përgjigjur Zj.Natasha Pepivani.


Ajo na ka rrëfyer se letërsia klasike për fëmijë e botimeve Albas përmban tri seri duke u ndalur te secila prej tyre me sugjerimet përkatëse. 


Seria e parë “Klasikët  e mi të parë” përmban tre libra me përrallat më të njohura të letërsisë botërore shkruar nga Kristian Andersen, Vëllezërit Grim, Pero, Ezop, Kolod, Karol dhe Kipling. Këto vepra janë të përshtatura bukur, me gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për fëmijët e moshës deri në 8 vjeç, me ilustrime të mrekullueshme, që ndihmojnë për t’i futur fëmijët në botën magjike të përrallës dhe të ngjallin fantazinë e tyre. Këta libra mund të lexohen nga prindërit ose mësuesit/et, por kur fëmijët fillojnë të lexojnë, mund t’i lexojnë edhe vetë.


Përralla klasike

Libri përmbledh 11 rrëfimet më të bukura të letërsisë për fëmijë të shek. XIX, si: Libri i Xhunglës, Robin Hudi, Piter Pani, Simbad marinari, Udhëtimet e Guliverit, Ujku dhe shtatë kecat, Rosaku i shëmtuar etj. 


Histori klasike

Libri përmbledh 11 rrëfime, si: Bukuroshja e fjetur, Pinoku, Liza në botën e çudirave, Aladini, Sirena e vogël, Muzikantët e Bremenit,  Borëbardha etj., që u drejtohet lexuesve fillestarë dhe i fut ata në botën magjike të përrallave klasike më të njohura. 


Përralla për të ëndërruar

Libri përmbledh 12 përrallat më të mira të Andersenit, Vëllezërve Grim dhe Ezopi, si Princesha mbi bizele, Rrobat e reja të mbretit, Shitësja e vogël e shkrepëseve, Barriu i derrave, Bilbili, Lulebora dhe Lulëkuqja  etj.


Seria e dytë “Klasikët për të vegjël”. Pas serisë së parë të klasikëve fëmijëve nga mosha 3- 8 vjeç, u ofrojmë serinë fëmijëve të moshës nga 8-12 vjeç Klasikët për të vegjël. Në këtë seri përmblidhen 26 vepra nga klasikët e mëdhenj, edhe këto të përshtatura për lexuesit e vegjël. Një pjesë prej tyre ata i kanë njohur nga seria e mëparshme, si: Libri i Xhunglës, Robin Hudi, Piter Pani, Simbad marinari, Pinoku, Liza në botën e çudirave, Udhëtimet e Guliverit etj., por tani i rimarrin në një nivel më lartë, ku fjala mbizotëron mbi ilustrimin dhe gjuha është më e pasur. Këta libra prezantojnë vogëlushët me botën e bukur të letërsisë, nëpërmjet personazheve më të njohura dhe më të dashura nga të gjithë. Historitë që të gjithë i njohim, vijnë të ritreguara me mjeshtëri, të shoqëruara me ilustrime fantastike.

Disa prej tyre janë: Odiseja (Homeri), Romeo dhe Zhulieta (Shekspir), Don Kishoti (Miguel de Servantes), David Koperfildi (Çarls Dikens), Kopshti sekret (Frensis Hoxhson Bërnet) , Rreth botës për 80 ditë dhe Udhëtim në qendër të tokës (Zhyl Vern), Aventurat e Tom Sojerit dhe Aventurat e Hakëlberi Finit (Mark Tuein), Djemtë e rrugës “Pal” (Ferenc Molnar) etj.


Seria e tretë “Klasikët për fëmijë”, kjo seri përmban deri tani 11 tituj. Vjen e re dhe e freskët, përmes titujve, si "Princi i vogël", "Piter Pani", "Aventurat e Pinokut", "Bëmat e Lizës në botën e çudirave", "Princi i lumtur dhe përralla të tjera", "Zemër", “Poliana”, “Poliana rritet”, “Aventurat e mrekullueshme të Nilson Holgersonit nëpër Suedi”, “Kopshti sekret”, “Hajdi”. Këto vepra shumë të njohura, tani lexuesi i vogël i lexon të plota, të përkthyera nga veprat origjinale, të shoqëruara me ilustrime të këndshme, duke ndier shijen e bukur të leximit të letërsisë së vërtetë artistike.. .


Po e njëjta politikë botimi është ndjekur edhe për botimet me karakter shkencor, siç janë enciklopeditë për fëmijë.


ENCIKLOPEDIA IME E PARË. Kjo seri me libra elektronikë përfshin një tematikë të gjerë për fëmijët e moshës 3-4 vjeç, ku jepen njohuritë fillestare për shkronjat e fjalët, numrat, kafshët, natyrën e mjedisin përreth. Me një miush magjik që lëshon tinguj dhe dritë ndihmohet fëmija për përgjigjet e sakta. Nëse fëmija përgjigjet saktë do të ndizet drita e gjelbër dhe do të dëgjojë melodinë: Ta ra ra tataaa! Por nëse gabon, do të ndizet drita e kuqe dhe dëgjohet: Oooooohhhhhhh!


ENCIKLOPEDIA 6-10 VJEÇ

Në këtë enciklopedi janë përmbledhur së bashku temat kryesore të dijes, për të kuptuar gjithçka rreth botës që na rrethon. Universi, trupi i njeriut, historia, toka, bimët, kafshët, bota sot, artet, shkenca dhe teknologjia janë fushat e dijet, njohuritë bazë të së cilave i gjeni të përmbledhura në këtë enciklopedi, me ilustrime të ndryshme, që kureshtarët e vegjël të zbulojnë botën rreth tyre.


ENCIKLOPEDIA 10-14 VJEÇ

Edhe në këtë enciklopedi fëmijët do të hyjnë në dijet kryesore, si: historia, kafshët dhe bimët, shkenca e tokës, trupi i njeriut, shkenca dhe teknika, bota sot, arti, leximi dhe sporti për të kuptuar gjithçka rreth botës që na rrethon, por njohuritë këtu janë më të gjera e më të thelluara. Në këto botime mbahen  parasysh edhe njohuritë që marrin nxënësit në lëndët e ndryshme shkollore. Janë fushat e dijet, njohuritë bazë të së cilave i gjeni të përmbledhura në këtë enciklopedi për moshat 10 deri në 14 vjeç. Këtu do të gjeni përmbledhje interesante mbi dinozaurët, astronominë, sportin, Europën dhe 100 personazhe që kanë bërë historinë, me ilustrime mjaft të këndshme!


Por cilat janë konkretisht ato zhanre librash që Zj.Pepivani ua sugjeron prindërve për fëmijët e tyre gjatë pushimeve të verës? 


"Për fëmijët e ciklit fillor do të rekomandoja 'Pushimet magjike' është një seri librash për pushimet verore për fëmijë nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Këta libra–fletore pune kanë lexime, ushtrime dhe veprimtari që jepen në mënyrë zbavitëse dhe tërheqëse, për të nxitur fëmijët të përsëritin dhe të thellojnë njohuritë e marra dhe për të fituar shkathtësi e aftësi në lëndët bazë, duke i parapërgatitur për klasën më lart. Nga letërsia artistike do të sugjeroja libra që lidhen me kërkesat e programeve lëndore. Nxënësit njihen me lloje të ndryshme të teksteve letrare dhe joletrare. Kësaj kërkesë i përgjigjemi dhe ne me botimet e shumta për fëmijë", ka thënë Pepivani.


Fëmijët e të gjitha grupmoshave studiojnë në lëndën e gjuhës shqipe llojet letrare e joletrare të teksteve, duke filluar nga miti, legjenda, përralla, tregimi apo romani (realist e fantastiko-shkencor) apo biografia, autobiografia, përshkrimi etj. Deri në klasën e nëntë, nxënësit i mësojnë gjinitë dhe llojet letrare përmes pjesëve të ndryshme, të përzgjedhura për të nxjerrë në pah veçoritë e çdo lloji, kurse në shkollën e mesme ata studiojnë autorë dhe vepra përfaqësues të periudhave të ndryshme letrare. Tani në verë fëmijët kanë mundësi që të lexojnë variantet e përshtatura ose librat e plotë nga janë shkëputur pjesët që studiohen në shkollë.


"Kështu nxënësve të fillores që kanë mësuar ç’është fabula u ofrojmë nga letërsia antike Fabulat e Ezopit, një seri që përmban 4 libra me fabulat më të përzgjedhura nga Ezopi, përshtatur për fëmijët e shkollës fillore. Subjekti i fabulave është interesant dhe i këndshëm dhe secila fabul përcjell një mesazh të madh. Fëmijët, veç kënaqësisë që ndiejnë duke hyrë në botën e fabulës, mësojnë të dallojnë personazhet, t’i ndajnë në të mirë e jo të mirë, të dallojnë simbolikën e fabulës dhe të marrin mesazhin, si një vlerë morale. Këto janë njohuri që ata i kanë marrë në shkollë, por tani i zbërthejnë vetë. Nga mitologjia u ofrohen Iliada dhe Odiseja, të sjella bukur e përmbledhtas, që i ndihmon ata të kuptojnë thelbin e mitologjisë dhe bukurinë e këtyre veprave të pavdekshme. Shumë interesante janë botimet për fëmijët mbi 10 vjeç Legjenda dhe balada shqiptare (Luan Rama), Legjenda dhe vende shqiptare (Tonin Çobanit dhe Rita Petro) apo tregimi me ilustrime për figurën historike të Lekë Dukagjinit. Në këto botime gërshetohet historia me legjendën, realja me fantastiken, rrëfehen zakone, norma që lidhen me kulturën autoktone shqiptare. Kjo kulturë përcillet përmes tyre, dhe, ashtu siç ngrihet gur pas guri një kështjellë, po ashtu fjalë pas fjale plotësohet mozaiku i historisë së lashtë të popullit tonë", ka sugjeruar Kreyredaktorja Pepivani duke vazhduar me rekomandime të radhës.  


Gjithashtu ajo na ka treguar se me shumë interes janë edhe dy botimet për të rritur për mitologjinë, siç janë:


-Mitologjia , e përgatitur nga Luis Tomas Melagar Valero, ku përfshihen mitet më të famshme greke, egjiptiane, hinduese, kineze, kelte dhe nordike. Ky udhëtim rreth botës mitologjike u mundëson nxënësve të krahasojnë mitet e ndryshme të botës dhe të  kuptojnë se nevoja e njeriut të lashtë për të shpjeguar dukuritë natyrore ose shoqërore ka çuar në krijimin e miteve dhe besimeve, kaq të ngjashme në përpjekjet e qytetërimeve të ndryshme për të shpjeguar gjithësinë, por aq të ndryshme në formulimin e tyre konkret. Si pronë e përbashkët e të gjithë njerëzimit, mitologjia ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojnë në bazën e artit dhe historisë dhe ende sot bën pjesë në ndërgjegjen kolektive.


-Mitologji shqiptare, e përgatitur nga Tonin Çobani, tregon se edhe mitologjia shqiptare nuk mund të përjashtohet prej ligjësive universale. Duke iu përmbajtur këtyre ligjësive mitologjia shqiptare vjen në këtë botim përmes tri shtresëzimeve: Mitologjia pellazge, mitologjia ilire, mitologjia arbërore, që përbëjnë edhe tri pjesët e këtij libri. Ajo që e bën këtë vëllim shumë interesant është ngjashmëria e miteve tona me ato greke.


Me shumë interes fëmijët lexojnë tregimet me temë nga jeta e përditshme. Këtë e tregon dhe interesi i fëmijëve për këto botime, siç janë seritë:


Seria - Një familje e paparë

Kjo seri me tregime përmban 21 libra për fëmijët e moshës mbi 8 vjeç. Në qendër është familja e Lolës, vajzës 8-vjeçare, e cila sjell jetën e përditshme përmes syve të kësaj vajze të vogël. Tregimet janë shumë interesante, sepse në to  përshkruhen  ngjarje të larmishme nga bota dhe mjedisi i fëmijëvë. Ngjarjet përcillen me humor dhe skenat janë shumë të gjalla dhe interesante. Marrëdhëniet prindër-fëmijë, mësues-fëmijë dhe të vetë fëmijëve janë të gjalla dhe shumë edukative. Fëmijët i lexojnë me një frymë.


Seritë e Konit dhe Maksit 

Bota e fëmijëve vjen në këto seri prej moshës 3 deri në 18 vjeç me të gjithë gjerësinë e larminë tematike, përmes dy personazheve: Konit dhe Maksit. Ne i ndjekim nëpërmjet katër serive, që shtjellojnë problematika të ndryshe që lidhen me grupmosha të caktuara. Ajo që i bën shumë interesante është gjuha shprehëse, situatat realiste, ku efekti edukativ vjen jo si moralizim i thatë, por si refleksion.  


I. Miushi Lexues përmban 18 tituj, ku Maksin dhe Konin e njohim në kopsht dhe në shkollën fillore, me të gjitha gëzimet dhe peripecitë e jetës së tyre fëmijërore. Kjo seri është shumë e këndshme për fëmijët e klasës së parë e të dytë, të cilët mund t’i lexojnë me shumë kënaqësi dhe duke u ushtruar pa vështirësi në lexim.


II. Shoku im Maksi me tri tituj dhe Shoqja ime Koni me tetë tituj përmbajnë tregime për fëmijë nga 9 deri në 13 vjeç me tema nga jeta e përditshme. Në këto tregime bien në sy interesat e fëmijëve dhe përpjekjet që bëjnë ata për të realizuar ëndrrat e tyre, si dhe vend të rëndësishëm zë organizimi i pushimeve.


III. Koni dhe shoqëria me gjashtë tituj. Kjo seri për moshën mbi 15 vjet flet për marrëdhëniet e reja që krijon Koni me shoqërinë e saj në gjimnaz.


 IV. Një seri tjetër shumë interesante është Koni&Co, e shkrimtares Dagmar Hoshfeld ku përfshihen romanet Vera ime pa te dashur, Jeta ime, dashuria dhe gjithçka tjetër, Koni, Filipi dhe puthja në dëborë  etj., tematika e të cilave është sa delikate, aq dhe e dëshiruar për moshat mbi 15 vjeç. Përmes situatave të larmishme autorja shtron probleme dhe jep këshilla shumë të vlefshme për adoleshentët, pa moralizime, por përmes zgjidhjeve shumë interesante që vetëm arti i fjalës mund të kthejë në vlera edukative. 


Shumë interesante janë edhe botimet me tregime fantastiko-shkencore, si Përrallat e së ardhmes, novela Një jashtëtokësor në familje etj.


Seria – MË QUAJNË...(Seria shqiptare)

Mendoj se me shumë interes lexohet seria Mua më quajnë, e llojit joletrar të biografisë. Kjo seri përmban figura historike e kulturore shqiptare, si dhe ato të huajat. Është një model shumë i mirë i shkrimit të biografisë në vetën e parë, që jep dorë për të gërshetuar të dhënat biografike me frymëzimin artistik. 


"Është një seri shumë interesante me biografitë e personazheve shqiptare e botërore.Çdo libër flet për një figurë të shquar të historisë, shkencës, artit, kulturës, letërsisë a të mendimit, si Mbretëresha Teutë, Gjergj kastrioti – Skënderbeu, Ismail Qemali, Dora d’Istra, Aleksandër Moisiu, Musine Kokalari etj. për ta bërë sa më interesante dhe intriguese, biografitë ndërtohen në vetë të parë, ku secili tregon në mënyrë shumë të këndshme jetën dhe veprën e vet, si dhe mjedisin dhe kohën në të cilën jetoi. Ilustrimet e pasura, të frymëzuara nga epoka, na zhytin në kohën dhe botën e tyre", ka specifikuar Zj.Pepivani.


Seria – LE TË FLASIM HAPUR

Një seri shumë interesante, për fëmijët e moshës deri në 9 vjeç, me problematika të jetës së përditshme, sidomos të marrëdhënieve të fëmijëve me të tjerët e më të rriturit, për të cilat edhe prindërit a mësuesit ndodhen ngushtë për t’u dhënë përgjigje. Në këto tregime të shkurtra, me ilustrime, vetë fëmija nxjerr mësime nga situata e dhënë.

   

Seria – TË KUJDESEMI PËR PLANETIN TONË

Librat e kësaj serie do t’i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë se burimet e Tokës janë të kufizuara dhe mjaft të çmuara, ndaj duhen përdorur me kujdes. Në fund të librit ka katër faqe, ku sugjerohen veprimtari, të cilat mund të realizohen nga fëmijët dhe që lidhen me temat e trajtuara në libër. Gjithashtu, në fund ka edhe një udhëzues me këshilla për prindërit, se si ta përdorin informacionin e librit, për t’i bërë fëmijët të vetëdijshëm për çështjen e mbrojtjes së planetit ku jetojmë.


Po çfarë mund të specifikohet si rekomandim për grupmosha të ndryshme fëmijësh? Për shembull, më konkretisht çfarë mund të lexonin fëmijët e klasave fillore dhe ata pak më të rriturit, fëmijët e klasave 9-vjeçare?

“Më poshtë është një listë me titujt e librave që fëmijët mund të lexojnë. P.sh.: nxënësit që shkojnë në klasën e dytë mund të lexojnë librat për këtë klasë  e kështu me radhë. Nga titujt e mëposhtëm janë shkëputur pjesët e leximit që ata do t’i zhvillojnë në klasat përkatëse”- është përgjigjur Zj.Pepivani duke thënë gjithashtu se për të rinjtë e shkollave të mesme, mësuesit/et sipas programit lëndor u rekomandojnë nxënësve veprat që duhet të lexojnë për çdo klasë.


“Mësuesit/et kanë tashmë përvojë për zhvillimin e leximeve jashtëklase. Megjithatë unë mund t’iu sugjeroj se është mirë të zgjedhin katër-pesë libra, të cilat mund t’ua rekomandojnë nxënësve t’i lexojnë në verë. Për këtë mund të përzgjedhin tregimet nga të cilat janë shkëputur pjesët që zhvillohen në klasë, duke iu dhënë si detyrë nxënësve të bëjnë përmbledhjen e pjesës, të dallojnë personazhet dhe disa karakteristika të tyre, mund të krijojnë edhe një fjalor të vogël, si dhe të mbajnë në shënim pjesët që iu kanë pëlqyer më shumë”, është shprehur Pepivani. 


Ajo ka një eksperiencë të gjatë e të qenit me librat dhe pranë tyre, ndaj dhe ne i kërkuam edhe ndonjë këshillë për fëmijët mbi të lexuarit.


 “Bota e librave është e pafund dhe sado që të lexojmë, nuk mund të arrijmë të lexojmë sa do të dëshironim. Megjithatë ka ca libra që, ndonëse kalojnë shekuj, mbeten të pavdekshëm, siç janë klasikët, modelet e librave. Gjithkush nga ne duhet t’i lexojë këta libra. Ata i rezistojnë kohërave për pasurinë e madhe jetësore që sjellin dhe veçanërisht për bukurinë artistike që përcjellin”, ka thënë kryeredaktorja e Albas, Natasha Pepivani duke e përmbyllur këtë bisedë për të gjithë të interesuarit me mesazhin që: 



“Fëmijëve u sugjeroj të lexojnë sa më shumë libra duke i zgjedhur sipas prirjeve dhe dëshirave të tyre. Por pa hequr dorë nga letërsia artistike që pasuron mendjen dhe shpirtin, u nxit fantazinë dhe aftësitë krijuese”. 





Përgatiti: Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

14,480 Lexime
3 vjet më parë