Librat që duhet të merrni me vete në valixhen e pushimeve

Nga romanet që ju mbajnë zgjuar gjithë natën, te aventurat për fëmijë e adoleshentë, zbuloni përzgjedhjen e Albas-it me tituj që do t’u japin pushimeve tuaja edhe një udhëtim tjetër: atë mes faqeve të një libri.

Nga Xhoina Salaj


Lexues fanatik apo jo, të gjithë pajtohemi se valixhja e pushimeve nuk është kurrë e plotë pa të paktën një libër me vete. Vera ka një marrëdhënie krejtësisht unike me leximin. Larg vrullit të pjesës tjetër të vitit, ky sezon na jep dhuratën më të çmuar që na mungon gjithmonë: kohën.


Nuk është rastësi që gjatë muajve të nxehtë dëshira për të lexuar shtohet. Ndoshta është zhurma e valëve të detit që shoqëron kthimin e fletëve, apo mbrëmjet e freskëta në ballkon ku faqet e një romani të mirë të bëjnë shoqëri deri vonë. Leximi në verë është si një arratisje e dytë nga rutina. Përtej udhëtimit fizik, një libër i mirë na lejon të udhëtojmë nëpër botë, epoka dhe tregime pa lëvizur nga shezlongu apo divani. Pastaj, ekziston edhe një kategori lexuesish të thekur, që nuk bëjnë diferencime midis verës apo dimrit, por vazhdojnë të përmbushin me përpikëri listat e tyre të pafundme.


Sugjerime për të rritur


Për të rriturit, leximet e verës janë shpesh antistresi më i mirë pas muajve të gjatë me ritëm të shpejtë e ngarkesë. Kjo listë është ndërtuar për të gjithë ata që kërkojnë të përhumben në një histori komplekse, personazhe që të mbeten gjatë në mendje, apo nëpër faqe që lexohen me një frymë nën çadër. 


“Belladona” - Daša Drndic

Çfarë ndodh kur shoqëria të nxjerr jashtë loje sepse refuzon të bësh kompromise? Në qendër të këtij romani elegant dhe të guximshëm është Andreas Bani, një shkrimtar dhe psikolog, i cili përballet njëkohësisht me pensionin e detyruar dhe një sëmundje të rëndë. Përmes gërmimeve në të shkuarën dhe përballjes me tabutë e një bote gati të çhumanizuar - ku pleqëria e sëmundja fshihen si të turpshme - Daša Drndic ndërton një rrëfim të mençur për padrejtësitë. Një libër i fuqishëm që flet pa dorashka për pamundësinë për të jetuar, por edhe për pamundësinë për të vdekur.



“Heshtja” – Don DeLillo

Imagjinoni sikur në mes të ngjarjes më të ndjekur të vitit, e gjithë bota dixhitale thjesht... fiket. Është e diela e Super Bowl-it në Nju Jork dhe pesë personazhe janë mbledhur në një apartament në Manhatan, duke biseduar lirshëm për fizikën, teoritë e Ajnshtajnit dhe udhëtimet. Por, në çastin kur lidhjet teknologjike që na qeverisin jetën shkëputen krejtësisht, ata zbulojnë se çfarë mbetet kur na merret ekrani. Don DeLillo sjell një roman vizionar dhe rrëqethës për varësinë tonë ndaj teknologjisë dhe heshtjen e madhe që pason kur bota ngrin.



“Kafsha e zemrës” – Herta Müller

Një vdekje e dyshimtë në një dhomë konvikti dhe një ditar që nuk duhej gjetur. Ky është fillimi i një prej romaneve më të fuqishëm për jetën nën diktaturën e Çausheskut në Rumani. Libri ndjek katër të rinj që guxojnë të mendojnë ndryshe në një botë ku edhe muret kanë veshë. Një rrëfim tronditës për përndjekjen, absurditetin e një sistemi shtypës dhe guximin për të qëndruar njeri e për të mbrojtur miqësinë atëherë kur kushton më shumë.



“Deti” – John Banville

A ka vend më të mirë për të gjetur ngushëllim sesa fshati bregdetar i fëmijërisë? Pas humbjes së bashkëshortes, historiani i artit Maks Mordën tërhiqet pranë detit për t’iu arratisur të tashmes së dhimbshme. Përmes një gjuhe magjepsëse dhe poetike, fituesi i çmimit Booker Prize na zhyt në kujtimet e Maksit: vera e largët kur zbuloi dashurinë, miqësinë, por edhe një ngjarje tragjike që ndryshoi gjithçka. Një meditim prekës dhe hipnotizues për kujtesën, që peshon shkëlqyeshëm në ditët e qeta të verës.



“Kënga e profetit” – Paul Lynch

Paramendoni sikur bota që njihni dhe siguria e përditshme të shpërbëheshin brenda natës. Në një Irlandë që po rrëshqet frikshëm drejt tiranisë, Ajlishi, një nënë e katër fëmijëve, sheh se si jeta e saj përmbyset kur i shoqi dhe i biri zhduken pa lënë gjurmë. Paul Lynch ka shkruar një kryevepër rrëqethëse dhe tejet origjinale për forcën e jashtëzakonshme të një nëne që lufton për të mbajtur familjen e bashkuar mes kaosit të një vendi në luftë. Një roman elektrizues, shkruar si një përrua i pandalshëm ndërgjegjeje, që do t’ju rrëmbejë plotësisht në vorbullën e vet.



“Femra të mençura, zgjedhje të gabuara” – Dr. Kolonel Kouven & Dr. Melvin Kinder

Po sikur çelësi për një marrëdhënie të lumtur të mos jetë fati, por thjesht një strategji më e mirë? Ky libër është manuali i përsosur i verës për të gjitha ato që duan të ndërtojnë marrëdhënie më të qarta dhe të shëndetshme. Përmes këshillave të drejtpërdrejta nga dy ekspertë të psikologjisë, ky libër ju mëson se si të deshifroni maskat e meshkujve, si të rritni vetëvlerësimin dhe si t’i ktheni dinamikat toksike në zgjedhje të zgjuara. Një sprovë e shkëlqyer që do t’ju ndihmojë ta shihni dashurinë me një sy krejt tjetër.



“Imoralisti” – André Gide

Fituesi i çmimit Nobel, André Gide, tek “Imoralisti” sjell një nga historitë më intensive të letërsisë botërore. Ky roman është ditarit i një burri që zgjedh të jetojë jashtë çdo kornize morale të shoqërisë, i udhëhequr vetëm nga pasioni dhe instinkti i pastër. Për shkak të stilit të tij të rrjedhshëm dhe skenave plot dritë e natyrë mesdhetare, ky libër është një lexim klasik i mrekullueshëm për verën, një ftesë e guximshme për të reflektuar mbi kuptimin e vërtetë të lirisë personale.



Sugjerime për adoleshentë


Pushimet e verës për adoleshentët janë sinonim i lirisë, zbulimit, emocioneve të reja dhe nuk ka mënyrë më të mirë për t’i përjetuar këto sesa përmes faqeve të një libri të mirë. Kjo përzgjedhje është krijuar posaçërisht për ta, duke sjellë histori që flasin në gjuhën e tyre. Midis botëve fantastike që nisin aty ku mbaron realiteti, dramave të moshës dhe sfidave të rritjes, këta libra premtojnë t’i rrëmbejnë ata nga ekranet e telefonave dhe t’i zhytin në aventura të paharrueshme verore.


“Mondo dhe tregime të tjera” – Jean-Marie Gustav Le Clézio

Nderuar me çmimin Nobel në letërsi, J.M.G. Le Clézio sjell një kryevepër të letërsisë shqisore. “Mondo dhe tregime të tjera” na njeh me një grup personazhesh të vegjël e të veçantë, të udhëhequr nga Mondo misteriozi, të cilët ndriçojnë faqet e këtij libri me kërkimin e tyre të pandalshëm për liri. I shkruar me një gjuhë jashtëzakonisht të bukur dhe vizuale, ky libër është shoqëruesi ideal i pushimeve për këdo që dëshiron të përhumbet në tregime plot magji, det dhe imagjinatë.



“Vera ime pa të dashur” – Dagmar Hoßfeld

Pushimet e verës sapo kanë filluar dhe plani për t’i mbijetuar vapës dhe distancës duket i thjeshtë... në letër. “Vera ime pa të dashur” është një romancë gazmore që flet për sfidën e madhe të mbajtjes së premtimeve kur tundimet verore janë në çdo cep. Një përzgjedhje e duhur për ata që duan një histori të lehtë, që të bën të qeshësh dhe të kujton se, sado plane të bësh, vera ka gjithmonë planet e veta magjike për ty.



“Jeta ime, dashuria dhe gjithçka tjetër” – Dagmar Hoßfeld

Kur je 14 vjeç, të gjithë të trajtojnë si fëmijë, por sapo mbush 15... papritur supozohet të jesh pothuajse e rritur. Po sikur ti të mos ndjesh asnjë ndryshim? Pasi fryn qirinjtë e ditëlindjes së saj më 30 prill, protagonistja jonë i vë vetes një sfidë: ka një vit kohë për të zbuluar se çfarë do të thotë vërtet të rritesh. Dagmar Hoßfeld sjell një roman tejet të sinqertë, të ndjeshëm dhe plot humor për jetën, miqësinë, dashurinë dhe të gjitha ato pikëpyetjet e mëdha që pushtojnë adoleshencën.



“Koni, Pauli dhe problemet me shoqërinë” – Dagmar Hoßfeld

Jeta e Konit është kthyer në një garë të vërtetë me kohën, mes stërvitjeve atletike dhe dëshirës për të qëndruar me shoqet. Por kur në mes hyn një sekret që rrethon Paulin, gjërat ndërlikohen edhe më shumë. Pauli ka probleme, por refuzon të flasë. A do të munden Koni dhe grupi i saj ta thyejnë akullin dhe ta ndihmojnë përpara se të jetë vonë? Një lexim veror plot ritëm, i cili trajton me shumë ndjeshmëri dinamikat e shkollës, të fshehtat e moshës dhe forcën që ka një shoqëri e bashkuar.



“Unë them jo” – Daniele Aristarco

Një libër i domosdoshëm për t’u futur në çantën e plazhit këtë verë. “Unë them jo” sjell 35 dëshmi të fuqishme të njerëzve që ndryshuan botën, sepse refuzuan të pranonin padrejtësitë. Me një gjuhë të thjeshtë e mjaft tërheqëse, ky libër kombinon figurat botërore si Martin Luter Kingu, me ato shqiptare si Musine Kokalari e Nënë Tereza, duke u kthyer në një leksion të bukur e të paharrueshëm për guximin civil dhe lirinë.



“Nils Holgersoni” – Selma Lagerlöf

Një nga librat më të bukur dhe më të dashur të letërsisë botërore për fëmijë, i përsosur për t’u lexuar gjatë pushimeve. Përmes historisë së Nilsit, djalit mistrec që fluturon mbi shpinën e patokut Martin, Selma Lagerlöf ndërton një odise magjike rreth ndryshimit dhe rritjes së brendshme. Libri është një thirrje e pastër dhe prekëse për dashurinë ndaj natyrës, kafshëve dhe miqësisë së vërtetë, i shkruar me një stil që magjeps lexuesit e të gjitha moshave.



“Hikikomori” – Ariela Rizzi, Fabrizio Silei

Një udhëtim prekës mes Milanos dhe Tokios që trajton me shumë delikatesë izolimin, bullizmin dhe vështirësitë e rritjes në epokën dixhitale. Luka dhe Jukiko, dy adoleshentë të lënduar nga shoqëria, gjejnë te njëri-tjetri forcën për të thyer heshtjen dhe për të dalë nga dhomat ku janë fshehur. Një libër i mrekullueshëm plot ritëm dhe ndjenjë, që u kujton të rinjve se sado e madhe të jetë vetmia, gjithmonë ekziston një urë shpëtimi drejt botës së jashtme.



Sugjerime për të vegjël


Kur mbaron shkolla, imagjinata e fëmijëve nuk njeh kufij, dhe vera është sezoni i duhur për të kultivuar dashurinë e tyre për librin përmes lojërave dhe argëtimit. Librat e përzgjedhur për këtë kategori janë plot ngjyra, ilustrime magjike dhe tregime që ngjallin kureshtjen e fëmijëve. 



“Aventurat e Çipolinos” – Gianni Rodari 

Mirë se vini në botën ku perimet dhe frutat marrin jetë! Ky klasik i pavdekshëm i Gianni Rodari-t na njeh me Çipolinon, një djalosh-qepë guximtar, plot humor e hare, që nuk i duron dot padrejtësitë. Së bashku me personazhe të lezetshme si miku i tij, pleqtë e urtë, apo “armiqtë” si princi Limon dhe sinjor Domatja, Çipolinoja nis një aventurë fantastike. Një libër hokatar për verën, i cili përmes rreshtave plot dritë e ironi u mëson fëmijëve vlerën e madhe të solidaritetit dhe të miqësisë mes njerëzve, pavarësisht nga dallimet e tyre.



“Gënjeshtra të bardha” – Sevi Agolli

Një ditë në kopsht të gjithë po tregonin për motrat a vëllezërit e tyre, kurse Ameli nuk kishte as motër, as vëlla. Kishte “mbetur e fundit” në kopsht dhe kjo gjë e mërziste. Mjaftoi një “gënjeshtër e vogël” e mamit për pyetjen e saj se si lindin bebet, që në mendjen e Amelit të ndizej një imagjinatë e madhe, sa ndërtoi një supermarket gjigant, ku shiteshin fara bebesh... Por, si mund të shkonin ata në këtë supermarket të largët, për të blerë një farë bebeje? Këto dhe ndodhi të tjera të këndshme lindën nga disa gënjeshtra të bardha, që i thanë prindërit e saj, duke qenë se ata mendonin se Ameli ishte e vogël për të kuptuar të vërtetën.



“Iliada treguar fëmijëve” – Rosa Navarro Duran

Në poemën ILIADA tregohet se çfarë ndodhi gjatë javëve të fundit të luftës së Trojës, në të cilën i ndeshën grekët dhe trojanët. Qyteti i Trojës, i cili ndodhet në Azinë e Vogël, atëherë quhej edhe Ilion, ndaj historia mban titullin Iliada. Por, si filloi Iliada? Ajo zuri fill me zemërimin e Akilit, heroit më të madh grek, prej fyerjes që i kishte bërë mbreti Agamemnon. Sa dëme e sa dhimbje do të shkaktonte ajo luftë! Fjalët e bukura me të cilat e ka kënduar këtë histori Homeri, kanë bërë që ajo të lërë gjurmë në kohë, deri në ditët tona. Iliada është një poemë e mrekullueshme, e cila u krijua shumë e shumë vjet më parë, rreth tetë mijë vjet më parë! Ajo është e shkruar në greqisht dhe mendohet se ka 15693 vargje.



“Kacimicrri rreth globit” – Bedri Dedja

Personazhi aq i njohur i përrallave shqiptare, Kacimicrri, niset në një udhëtim të gjatë rreth globit, për të takuar shumë personazhe të tjera të letërsisë botërore për fëmijë. Ku do ta çojë aeroplani sa një gogozhare udhëtarin e tij të vetëm, të vogël sa një gisht? Cilat janë këto personazhe që do të takojë gjatë këtij udhëtimi plot aventura? Një grusht aventurash të jashtëzakonshme, të cilat shkrimtari i rrëfen ëmbël e plot humor.



“Kampi magjik i përrallave” – Corina Wieja

Që kur Maria mësoi për dhuntitë dhe talentin që zotëronte, jeta e saj u bë e magjishme. Ajo tani po trajnohet si Zanë Mbrojtëse Rojtare për përrallat në Kështjellën e Përrallave, që gjendet në vendin e mrekullive. Me ndihmën e miqve të saj në kamp, nëpërmjet një të dhëne që ka, ajo shpreson të gjejë nënën e saj të zhdukur. Por duke kërkuar gjurmët e saj, Maria dhe miqtë e saj shpesh përballen me rreziqe të mëdha. Kjo, sepse Maria zotëron diçka, që armiqtë e botës së përrallave e kanë vënë re tek ajo.



“Shpella e Piratëve” – Petro Marko

Të mahnitur nga historia që u tregon peshkatari i vjetër Niko Dabo, pesë fëmijë ndërmarrin një aventurë të rrezikshme: të hyjnë në Shpellën e Piratëve, aty ku nuk ishte futur askush më parë. Pasi zgjedhin kapedanin e tyre guximtar dhe bëjnë përgatitjet e duhura, ata futen në shpellë, ku mësojnë shumë për historinë e saj... Gëzimi i tyre për zbulimet brenda shpellës është i papërshkueshëm, deri në çastin kur duan të largohen nga shpella. Varka e tyre përmbytet dhe ata mbesin të izoluar brenda në shpellë... Në këtë roman fantastiko-aventuror gërshetohet bota e pasur fantastike me realitetin jetësor. Përmes aventurave të pesë fëmijëve, futemi në botën dhe psikologjinë e tyre. Pavarësisht kushteve dhe rrethanave të ndryshme në të cilat ndodhen, ata janë gjithmonë të pushtuar nga dëshira, pasioni dhe etja për gjërat e pazbuluara, për të eksploruar të mistershmen.



“Xhim Kopsa dhe 13 të Tërbuarit” – Miachel Ende

Bëhuni gati për të lundruar në aventurën më të madhe të verës! Kur lokomotiva e vogël dhe e dashur, Moli, rrëmbehet nga banda famëkeqe e piratëve 13 të Tërbuarit, Xhim Kopsa dhe miku i tij më i mirë, Lukasi, nuk mendohen dy herë. Ata nisin një udhëtim fantastik ku asnjë det nuk është aq i thellë dhe asnjë mal aq i lartë sa për t’i ndalur. Ky bestseller botëror nga i madhi Michael Ende është një histori magjepsëse plot aksion, piratë dhe kthesa të papritura, e cila u tregon fëmijëve se për miqësinë e vërtetë nuk ka kufij që s’kapërcehen.





© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

113 Lexime
3 orë më parë