Ndarja e çmimeve

Albas mes fituesve të Panairit, Natasha Shuteriqi Poroçani vlerësohet si shkrimtarja më e mirë për fëmijë

Mesditën e sotme janë ndarë çmimet e Panairit të 25-të librit. Çmimi i letërsisë për fëmijë shkoi për autoren Natasha Shuteriqi, me librin “Kalendari i ëndrrave të mollës”, botuar nga Albas. Gjatë ceremonisë u vlerësua edhe puna që kanë bërë autor dhe përkthyes të tjerë të kësaj Shtëpie Botuese.

Çmimin e shkrimtares më të mirë për fëmijë për vitin 2022 e mori autorja Natasha Shuteriqi Poroçani me librin “Kalendari i ëndrrave  të mollës”, botuar nga Albas. 


“Përmes një proze poetike autorja ka ditur të ndërtojë një botë magjike për të miturit. Falë një stili të thjeshtë e elegant, por edhe një gjuhë të pasur e të rrjedhshme, që i shkon për shtat fëmijëve, ajo ia ka dalë mbanë të krijojë një vepër letrare që i jep krahë fantazisë dhe edukon me dashurinë për natyrën e, padyshim, dijen, të lidhura tok me librin e leximin”, thuhet në motivacionin e dhënies së këtij çmimi. 

Gjatë ceremonisë u vlerësua edhe puna që kanë bërë autor dhe përkthyes të tjerë të Shtëpisë Botuese Albas; përmendim këtu Bajram Karabollin, Primo Shllakun të cilët sipas jurisë së Panairit të Librit kanë sjellë të përkthyera vepra monumentale të letërsisë botërore. Mjaft të arrirë cilësuan edhe librin e autorit shqiptar Ag Apolloni. Ndërkohë nga autorët shqiptar të librave për fëmijë përmendën Sevi Lami Agolli dhe Edi Gogu për të punën e tyre premtuese në këtë zhaner.


Çmimet e Panairit të Librit, Tirana 2022


  • Shkrimtari më i mirë i vitit: Zija Çela me librin: “Banka e Ankesave” ;

  • Përkthimi më i mirë i vitit:  “Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazanxaqis , Romeo Çollaku;
  • Vepra më e mirë studimore:  “Tri format e mendimit, mitologjia, racionaliteti, religjioni” Arben Imami;
  • Përkthimi më i mirë nga frëngjishtja:  Klarita Lagji me “Vendi i Babait” nga Annie Ernaux;
  • Libri më i mirë për fëmijë: “Kalendari i ëndrrave të mollës” Natasha Shuteriq. 



Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,367 Lexime
1 vit më parë