Gjuha shqipe në Diasporë

Albas prezanton ciklin e videove falas për mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë

Albas ka përgatitur një cikël videosh mësimore për mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë bazuar në tekstin e parë të unifikuar “Gjuha shqipe dhe Kultura Shqiptare”. Këto video janë realizuar në bashkëpunim me Aurela Kondurin, mësuesen e gjuhës shqipe në Greqi dhe mund t’i gjeni falas në youtube- Albas Media.

Nga Yllka Lezo 


Shtëpia Botuese Albas ka njoftuar projektin e saj më të fundit dedikuar fëmijëve shqiptarë në Diasporë. Një cikël videosh mësimore për mësimin e gjuhës shqipe. Këto video janë realizuar në bashkëpunim me Aurela Kondurin, mësuese e gjuhës shqipe në Greqi, e cila ka një përvojë prej 12 vitesh në mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqiptare për fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.


Cikli i ri i videove i cili gjendet falas në kanalin e youtube të Albas Media bazohet në tekstin e parë të unifikuar për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, “Gjuha shqipe dhe Kultura Shqiptare”, një projekt i miratuar nga ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës dhe i hartuar nga shtëpitë botuese Albas dhe Dukagjini.


Videot mësimore të cilat i përkasin e nivelit të parë do të prezantojnë fëmijët me shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe dhe do t’i ndihmojnë ata të përvetësojnë konceptet bazë të gramatikës, duke bërë mësimin më të lehtë dhe më të këndshëm.


Në videon prezantuese të projektit mësuesja Aurela Konduri thekson rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe jo vetëm si një pjesë e identitetit kombëtar, por edhe si një akt përkushtimi dhe dashurie. Ajo vuri në dukje se për fëmijët që mësojnë gjuhën shqipe si gjuhë të dytë, është e rëndësishme që mësimi të jetë sa më i afërt me nevojat e tyre dhe i përshtatur për realitetin dygjuhësor në të cilin jetojnë.


“Përdorimi i metodave që mbështesin dygjuhësinë është kyç për mësimin efektiv të gjuhës shqipe,” tha Konduri. Ajo shtoi se tekstet e unifikuara “Gjuha shqipe dhe Kultura Shqiptare” ofrojnë një bazë të fortë për këtë qasje, duke ndihmuar mësuesit që të ndërtojnë mbi njohuritë që fëmijët marrin në shkollat e vendeve ku jetojnë.


Ky projekt inovativ synon të sjellë mësimin e gjuhës shqipe më afër fëmijëve, mësuesve dhe prindërve në diasporë, duke përdorur mjete moderne dhe metoda të provuara. Sipas Kondurit, videot janë një burim i vlefshëm jo vetëm për mësuesit që mund t’i përdorin gjatë orëve të mësimit, por edhe për prindërit, të cilët mund të ndihmojnë në procesin e mësimit në shtëpi.


Seria e re e videove premton të sjellë një qasje të freskët dhe të aksesueshme falas për mësimin e gjuhës shqipe, çka do të ndihmojë në ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar të fëmijëve shqiptarë në diasporë.


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

627 Lexime
3 muaj më parë