Anila Kadija: Duaje gjuhën tënde!
Ku jemi sot me gjuhën shqipe ndër breza? Diaspora mundohet të marrë në dorë, me iniciativa personale, mbështetjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Një kontingjent i madh mësuesish punojnë me dëshirën më të madhe për ta mbrojtur dhe përhapur brez pas brezi. Por nuk mjafton!
Nuk është e nevojshme t’i mundoni fëmijët të mësojnë çdo gjë.
Nuk ka njerëz të aftë në çdo fushë.
Përzgjedhja vjen natyrshëm nga nevoja personale dhe iniciativa duhet të vijë nga vet fëmija. Fuqia e dijes është liria që ke në dispozicion për të qenë njeri i lirë jo një njeri i komanduar.
Nis shtatori dhe çdo kush, sidomos brezi im, kujton ditën e parë të këtij muaji me po atë entuziazëm që e përjetonim kur ishim në bankat e shkollës.
1 Shtatori, kur zilja na ftonte në shkollë!
Uniforma, jaka e qëndisur, këpucët apo çanta e re. Ishte një imazh disipline.
Librat e mbështjellë me letër të bardhë dhe shumë detaje që sot duken ndoshta të ekzagjeruara, por aspak nuk janë të konsideruara ekzagjerime në kolegjet më të mira angleze.
Uniforma, këpucët, çanta ekzistojnë në mënyrën më rigoroze edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Entuziazmi i vitit shkollor niste fillimisht me abetaren.
Ato shkronjat magjike, aq të larmishme, të gjuhës së mrekullueshme shqipe, prej të cilave jo vetëm nisnim të shkruanim dhe të flisnim bukur gjuhën tonë por edhe të kishim mundësinë më të mirë të shqiptonim bukur gjuhët e huaja.
Kurrë nuk tham “ tenk you” por “ thank you”..e pra th-ja si edhe dopjet e tjera stërvitën nyjtimin e saktë të të folurit me theks siç duhet jo vetëm në vendin tonë por edhe nëpër botë.
Ku jemi sot me gjuhën shqipe ndër breza?
Në Shqipëri me mahninë e sëmurë të përdorimit me çdo kusht të fjalëve të huaja po shkatërrohet e folura korrekte. Sot e quajnë “elokuencë” ( fjalë edhe kjo në italisht, eloquenza në shqip është larmi gjuhësore) po ngatërron ose po fshin edhe fjalët që ekzistojnë në shqip.
Nuk tregon cilësi dhe nivel të lartë një gjuhë e përdorur me plot huazime në kushtet e gjuhës sonë e cila ka një fjalor të mirëfilltë e të pasur.
Një mësues i mirë krijon mundësinë e të shprehurit në mënyrën më të saktë kur edhe vet shprehet gjuhësisht gjerësisht. E theksoj, nuk është detyrë vetëm e mësuesit që jep lëndën e gjuhës shqip por edhe e të gjithë mësuesve të lëndëve të tjera që të flasin me shqipe të pastër dhe me nivel gjuhësor. Nga arsimtarët vjen shembulli i parë pastaj nga mediat, programet, bashkëbisedimet shoqërore.
Ne kishim bibliotekat e lagjeve. Në Londër librat dhurohen në Charity shop ( Dyqane bamirësie) apo edhe pranë shtëpive ku kutitë prej druri plot libra të ftojnë bujare të kërkosh gjuhën e pastër nëpërmjet literaturës së shkruar, të kritikuar, të njohur si e mirëfilltë dhe jo nëpërmjet virtualitetit apo zhanrit tendencë moderne e bastardimit gjuhësor.
Gjuha korrekte është ura më e sigurtë ku një fëmijë shpreh së pari mendimin dhe përpunon me kohë edhe bindjet duke krijuar më vonë një profil madhor të formuar.
Diaspora mundohet të marrë në dorë, me iniciativa personale, mbështetjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe.
Një kontigjent i madh mësuesish punojnë me dëshirën më të madhe për ta mbrojtur dhe përhapur brez pas brezi. Por nuk mjafton!
Gjuha mbrohet së pari nga shteti përkatës.
Ndoshta jemi një armatë idealiste!
Ndoshta nuk kemi aq fuqi sa t’i shtojmë nxënësit dhe shkollat në proporcion me vlerën dhe nevojën që ka gjuha edhe përtej kufirit.
Pa dyshim edhe këtë vit, pavarësisht nga dita e nisjes së mësimit, ne do të jemi si çdo herë pranë nxënësve duke vazhduar misionin sublim për gjuhës shqipe kudo nëpër botë.
Ftojmë çdo prind që të trokasë, pa drojë, në portën e një shkolle shqipe kudo qoftë dhe ajo do t’i hapet si krahët e një shqiponje me dashuri mësuesish.
Nga Anila Kadija,
profesioniste e gjuhës shqipe.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Sfidat e zhvillimit profesional në shkollat dygjuhëshe” nga Xhilda Shkrepa
"Për Aftësinë e Kufizuar dhe rolin e mësuesit ndihmës në shkolla" nga Fiqiri Çifliku
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant