PEDAGOGJIA

Besjana Rexhepi: Etika dhe përkushtimi i mësimdhënësit pro mësimdhënies efektive dhe bashkëpunimit me prindër

Mësimdhënësi flet dhe vepron ndaj nxënësve me respekt dhe dinjitet dhe merret me ta me kujdes; mësimdhënësi respekton natyrën konfidenciale të informacioneve në lidhje me nxënësit, mësimdhënësi respekton kërkesat e marrëveshjeve kolektive; mësimdhënësi nuk është paragjykues ndaj veprimeve të punës.

       Përderisa çdo mësimdhënës përmes formave të ndryshme të ligjërimit, aplikimit të metodave dhe teknologjive të ndryshme mësimore, synon që të sjell para nxënësve një mësimdhënie efektive, padyshim se kjo kërkon përkushtim të lartë nga ai. Një mësimdhënie efektive nuk lidhet thjeshtë me informimin e nxënësve. Kjo do të ishte gjëja më e thjeshtë. Dihet se mësuesi merr shumë vendime gjatë ditës mësimore, duke u nisur që nga vendosja e bankave, e mjeteve mësimore, nga përcaktimi i objektivave dhe i metodave të shpjegimit, kontrolli i detyrave dhe i njohurive, motivimi i nxënësve etj. (Haliti. Sh, 2007, Në kërkim të Pedagogjisë reformuese, fq. 30, Gjilan). Josef Lowman (1996) përshkruan dy dimensione të të mësuarit efektiv si; 

  • Nxitja intelektuale (njohuritë, entuziazmi, pikëpamjet interesante, qartësia, organizimi, frymëzimi);
  • Interesi ndërpersonal (motivacioni, kujdesi, inkurajimi, sfida dhe ndihma). 


      Për këtë arsye përkushtim të madh mësimdhënësi ka për përgatitjen e orës mësimore, në mënyrë që të jetë në rrjedha të asaj se çfarë ka për të zhvilluar në procesin mësimor. Rrjedhimisht gjatë ushtrimit të detyrës së tij si mësimdhënës, natyrisht se mësimdhënësit iu obligohet që të ketë edhe përkushtim të madh në raport me prindërit e nxënësve. Ai duhet të jetë vigjilent rreth asaj se si duhet të sillet me ta fillimisht, të iu ofroj informata rreth zhvillimit intelektual dhe interesimit të fëmijës së tyre për mësime, por edhe disiplinës e sjelljes që mban në shkollë poashtu. Që të gjitha mbledhjet mujore që ai i mban me klasën, detyrohet që secilin prind ta njoftoj paraprakisht rreth ditës së mbajtjes së saj dhe gjatë ecurisë së mbledhjeve të marrë propozime e ide nga prindërit për ndonjë ndryshim eventual në procesin mësimor, apo edhe ndonjë rregull klase ose shkollore. Të gjitha këto mësimdhënësi i mban në evidencën e tij të punës të cilën e punon me një përkushtim të lartë, duke u përpjekur që bashkëpunimin me prindërit e nxënësve të tij ta ketë sa më në nivel të kënaqëshëm. 


     Fokusi kryesor në këtë lloj përkushtimi te mësimdhënësit nis në fushën e shëndetit të fëmijës/nxënësit që bën të kuptojmë se mësimdhënësi ka përgjegjësi të madhe edhe në rastin e shëndetit të nxënësve të tij, si fizik ashtu edhe atë psikik. Skema e zhvillimit profesional të punonjësve mësimorë, përbën tashmë një realitet jo vetëm ligjor, por edhe një përvojë të ndërtuar, si në nivelin e shkollës, ashtu edhe në nivelin e sistemit arsimor, e cila synon të siguroj zhvillimin e qëndrueshëm profesional të drejtuesve dhe mësuesve të institucioneve shkollore. Megjithatë, edhe në këtë strukturë dhe mundësi të zhvillimit profesional, mendojmë që bashkëpunimi i shkollës/mësuesve me prindërit nuk ka gjetur hapësirën e nevojshme për trajtimin e plotë të këtij bashkëpunimi dhe në mënyrë të veçantë në angazhimin e tyre.(Sallaku. D, 2015, Përfshirja e Prindërve në Realizimin e kurrikulës shkollore, fq. 20, Tiranë)


     Që të gjitha këto sfida bëjnë që mësimdhënësi të ketë përgjegjësi të mëdha dhe se misioni i tij të jetë jo i lehtë për ta ushtruar detyrën, misionin e tij si mësimdhënës, gjë që vlerësohet të jetë një përkushtim i madh ndaj punës së tij, por që gjithnjë motivohet nga sukseset e nxënësve të tij kur sheh që ata i arrijnë në jetën e tyre. Sa më shumë që të ketë zhvillim profesional mësimdhënësi, aq edhe më të mëdha janë sukseset e tij, në karrierën e tij profesionale, të cilat vërtetohen nga rezultatet e nxënësve, përkatësisht njohuritë që ata mund t’i kenë përfituar dhe kur në të ardhmën të dijnë t’i zbatojnë në praktikë.


     Varësisht nga niveli i angazhimit, përkatësisht i mosangazhimit të arsimtarit në realizimin e detyrave të parashtruara, veçmas në rrafshin ideologjik janë përcaktuar edhe tipa të ndryshëm arsimtarësh, varësisht prej tipareve që kanë poseduar, shkallës së angazhimit, nivelit të përkushtimit shpirtëror e të sakrificës, kryesisht veçohen këta tipa mësimdhënësish;

  1. Mësimdhënës ideologjikisht të përcaktuar;
  2. Ideologjikisht të paraspeshuar
  3. Ideologjikisht të painteresuar
  4. Pragmatist- konstruktivist.

      Përveç kësaj mësimdhënësit duhet t’i përmbahen edhe parimeve të shumta etike prej së cilave varet funksionimi normal i procesit edukativo- arsimor. Nga këto parime ndërtohet edhe kodi etik i cili thekson këto kritere; mësimdhënësi flet dhe vepron ndaj nxënësve me respekt dhe dinjitet dhe merret me ta me kujdes; mësimdhënësi respekton natyrën konfidenciale të informacioneve në lidhje me nxënësit, mësimdhënësi respekton kërkesat e marrëveshjeve kolektive; mësimdhënësi nuk është paragjykues ndaj veprimeve të punës. ( Zylfiu Nijazi, 2011, Teoria e Mësimit dhe Proceset Didaktike të Mësimdhënies, Prishtinë, fq.22). Që të gjitha këto kritere e karakterizojnë një mësimdhënie cilësore, prej së cilës varet dhe kushtëzohet një mësimdhënie efektive në procesin mësimor, por edhe prej së cilës arrihen suksese të mëdha në procesin edukativo-arsimor, normalisht në të gjitha rastet kur mësimdhënësi i respekton dhe iu përmbahet rregullave të punës së tij që bën me nxënësit, në organizimin e aktiviteteve të ndryshme që bën me ta, në aktualitetin e përditshëm me  kolegët e tij të punës. Prandaj jo rastësisht thuhet; “ Janë shumë ata që mund të japin mësim, por janë pak ata që mund të quhen tamam MËSIMDHËNËS”.


Shkruar nga:

Besjana Rexhepi, phd.Can, Kosovë



Publikim N. Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,508 Lexime
3 vjet më parë