Bisedë me Agron Tufën, për përkthimin e librit “Jevgenij Onjegin” nga Pushkini, botuar nga ALBAS

Në këtë intervistë për Portali Shkollor, përkthyesi Agron Tufa rrëfen sfidën shumëvjeçare të përkthimit të “Jevgenij Onjegin” të Pushkinit. Një bisedë mbi gjuhën, gegërishten, artin e përkthimit dhe qëndresën e fjalës përballë pushtetit.

Pas përkthimit të ciklit me poezi “Re me pantallona” të Majakovskit, shkrimtari, poeti, studiuesi dhe përkthyesi Agron Tufa rikthehet në katalogun e shtëpisë botuese “Albas” me përkthimin e veprës “Jevgenij Onjegin” të Aleksandër Pushkinit, romanit në vargje që e ka ndjekur gjithë jetën.


Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, Tufa flet për sfidat e përkthimit, për metodën e tij, për vendin e Pushkinit në kulturën shqiptare dhe për arsyet pse ky roman mbetet i gjallë edhe sot, duke u ofruar lexuesve të rinj, nxënësve e mësuesve një ftesë për ta zbuluar. 


Tufa e ka përkthyer veprën nga origjinali, duke ruajtur skemën e strofës, ritmin dhe rimën. Libri shoqërohet me parathënie, pasthënie, shënime e shtojca që e ndihmojnë lexuesin t’i afrohet veprës.



Bisedoi: Xhoina Salaj

 

Xhoina: Profesor Tufa, jam shumë e gëzuar që po bisedojmë sërish! Para pak kohësh, zhvilluam bisedën për gazetën “ExLibris”, ku qëmtuam romanin tuaj të fundit, “Bija e Minotaurit”, labirintet që na trashëgohen, përkthimet e veprës së plotë të Dostojevskit dhe jetën në emigrim. Atëherë, mes labirinteve të ngatërruara, nuk e patëm mundësinë të qëndronim gjatë te një libër që ju ka ndjekur gjithë jetën. Tani ai libër është në duart tona: Jevgenij Onjegin i Pushkinit, botuar nga shtëpia botuese “Albas”. 


Këtë herë ju ftoj në bisedë vetëm si përkthyes, për “Portalin Shkollor”, për lexuesit që do ta shfletojnë këtë libër për herë të parë, për nxënësit, mësuesit, e dashamirës të letërsisë. Ju falënderoj përzemërsisht për këtë kënaqësi të dytë! 


Dua ta nis me një paradoks që e kam hasur që në faqet e para. Në parathënie citoni vargjet e Ana Ahmatovës për Onjeginin: “Mali ajror i Onjeginit / Si një re qëndronte mbi mua”. Është një figurë e çuditshme, sepse bashkon një mal, që është diçka e rëndë dhe e ngurtë, me ajrin, që është i lehtë dhe i padukshëm. Edhe ju e quani veprën njëkohësisht monumentale dhe të ajrosur. Në pasthënie shkruani gjithashtu se për rusët Onjegini është libri i fëmijërisë, që e dinë përmendësh pa e kujtuar saktë se kur e kanë mësuar, ndërsa për lexuesin shqiptar është pothuajse i panjohur, “si pothuajse gjithçka që lidhet me Pushkinin”. Pra, te ne, ky libër ka mbetur një mal i largët, ndërsa te rusët është vetë ajri që frymojnë. Si e shpjegoni këtë mungesë të Pushkinit në kulturën tonë?


 

Agroni: Është nga kënaqësitë e rralla kuvendimi me njerëz të përkushtuar si ju, Xhoina. Me shijen e mirë që më la biseda jonë e parë, e prita me gëzim dhe kërshëri këtë kuvendim të radhës.


Po hyj drejt e në thelbin e pyetjes suaj mbi “mungesën” e Pushkinit si përmasë kulturore në kulturën tonë.


Kjo mungesë nuk vjen nga ndonjë mosvlerësim i qëllimshëm, por nga rrugët historike e kulturore nëpër të cilat ka kaluar letërsia jonë. Ndonëse disa autorë të mëdhenj rusë, veçanërisht në prozë, janë lexuar dhe përkthyer mjaft, poezia narrative e Pushkinit dhe, në veçanti, romani i tij në vargje, kanë hyrë te ne më ngadalë, me vonesa e ndërprerje, shpesh përmes përkthimesh të veçuara. Kjo ndihet sidomos te Jevgenij Onjegini, ku kalimi i veprës në shqip kërkon një investim të jashtëzakonshëm metrik, gjuhësor dhe kulturor.


Për më tepër, Jevgenij Onjegini është një vepër e lidhur ngushtësisht me “ajrin” e brendshëm të gjuhës dhe të kulturës ruse: me nuancat e jetës mondane, me ironinë e hollë, me aluzionet letrare dhe, mbi të gjitha, me muzikën e vargut. Këto janë shtresa që nuk mund të përcillen vetëm duke përkthyer kuptimin e fjalëve; ato kërkojnë të rikrijohen në gjuhën pritëse, pa ia cenuar vargut atë lehtësi të ajrosur që bashkëjeton me peshën e tij monumentale. Kur një vepër e tillë nuk hyn plotësisht në qarkullimin e gjallë të kulturës, ajo mbetet një kontinent i largët.


Pushkini, natyrisht, nuk është krejt i panjohur për lexuesin shqiptar: janë përkthyer e lexuar poezi, proza dhe pjesë të tjera të krijimtarisë së tij. Por na ka munguar pikërisht njohja e tij në atë përmasë ku ai bëhet themelues i një ndjeshmërie të tërë letrare - përmes Jevgenij Onjeginit, në një përkthim të plotë e të drejtpërdrejtë nga origjinali. Prandaj, ajo që për rusët është ajër që e thithin pa e vënë re, për lexuesin shqiptar ka mbetur një mal i largët, që vetëm tani po afrohet dhe po bëhet i kapshëm.



Xhoina: Në pasthënie rrëfeni se frika nga ky përkthim ju ka ndjekur që nga studimet në Institutin “Gorki”, 1994-2001, ku e krahasuat për herë të parë origjinalin me versionin e Lasgush Poradecit. Pastaj ka ardhur një shtysë nga Rita Petro, në Panairin e Gjenevës, marsin e vitit 2025. Çfarë është ajo që e bën një përkthyes të ngurrojë kaq shumë përballë një libri që e do me gjithë zemër? Dhe ç’ndryshoi pikërisht atë natë në Gjenevë?


Agroni: Kur e do vërtet një libër, ngurrimi nuk vjen nga mungesa e dëshirës, por nga vetëdija për peshën e tij. Jevgenij Onjegini është një vepër ku vargu, rima, ritmi, ironia, hollësitë e kohës dhe muzika e brendshme e gjuhës ruse ndërthuren në një ekuilibër tejet të brishtë. Që në vitet e studimit në Institutin “Gorki”, kur e krahasova drejtpërdrejt origjinalin me përkthimin e Lasgush Poradecit, kuptova se ky nuk ishte një përkthim që mund të merrej përsipër me nxitim apo me vetëbesim të lehtë. Kërkonte kohë, pjekuri, disiplinë të rreptë dhe, mbi të gjitha, një shqipe të zhdërvjellët, të aftë të përballonte njëherësh kërkesat e rimës e të ritmit, pa humbur natyrshmërinë dhe frymëmarrjen e vargut.


Ndërsa ajo natë në Gjenevë, në mars të vitit 2025, me shtysën e Rita Petros, u bë çasti kur ngurrimi u kthye në vendim. Ndonjëherë një vepër piqet brenda teje për vite të tëra, por duhet një fjalë e thënë në kohën e duhur, një nxitje nga jashtë, që të kapërcesh hezitimin e brendshëm. Atë natë e kuptova se, nëse do të prisja edhe më gjatë një “çast ideal”, rrezikoja të mos e nisja kurrë. Nuk ishte se frika u zhduk; thjesht vendosa të mos e lija më të më pengonte. E vetmja mënyrë për t’u përballur me malin ishte të hidhja hapin e parë.



Xhoina: Lasgushin e përmendni me respekt, gjeni lasgushiane prej magjistari, por gjithashtu thoni se mospërputhjet kuptimore me origjinalin rriten nga vargu në varg. Duke qenë se ai nuk ishte veç përkthyes, por edhe poet i madh, a po e krahasojmë një rikrijim poetik me një përkthim filologjik, pra, dy zhanre të ndryshme? Apo mendoni se një Onjegin me aq largësi nga teksti nuk mund të quhet më Onjegin? Përse ishte kaq e rëndësishme që të ndryshonte edhe titulli, nga Eugjen Onjegini në Jevgenij Onjegin?


Agroni: Lasgushi mbetet një nga majat e poezisë shqipe, një poet me vesh të jashtëzakonshëm muzikor dhe me fuqi të rrallë rikrijimi në gjuhën tonë. Kur lexon strofat e tij të Pushkinit, shpesh ndesh një poezi të bukur shqipe, të përshkuar nga fryma dhe magjia e tij poetike. Por, po t’i vësh pranë origjinalit rus, vëren se liria e rikrijimit, sado e frytshme artistikisht, në disa raste e zhvendos pikën e rëndesës së tekstit, ndryshon nuanca ose lë jashtë hollësi që te Pushkini kanë funksionin e tyre të caktuar.


Nuk do ta paraqitja këtë si një ndarje të prerë mes dy zhanreve, sikur rikrijimi poetik dhe përkthimi besnik të ishin dy rrugë që nuk takohen. Çdo përkthim i mirë i poezisë kërkon krijimtari; përndryshe, vargu humbet frymëmarrjen dhe shndërrohet në një përcjellje të thatë të kuptimit. Por përkthyesi duhet të dijë edhe ku ta ndalë dorën e vet krijuese. Për mua, sfida ishte të gjeja atë ekuilibër të vështirë: të ruaja vargun, ritmin, rimën dhe muzikën poetike, pa cenuar kuptimin, nuancat dhe hollësitë e tekstit të Pushkinit. Pra, jo të shkruaja një Onjegin timin mbi shtratin e Pushkinit, por të përpiqesha t’i jepja Pushkinit një zë sa më të plotë në shqip. Kjo nuk e zhvlerëson aspak arritjen e Lasgushit; thjesht shpreh një tjetër koncept dhe një tjetër përgjegjësi përballë origjinalit.


Sa për titullin, kalimi nga Eugjen Onjegini te Jevgenij Onjegin lidhet me dëshirën për të ruajtur më besnikërisht formën ruse të emrit. Nuk është çështje korrigjimi të një titulli të mëparshëm, as ndonjë pretendim se njëra formë është e vetmja e mundshme. Është një zgjedhje e vetëdijshme e përkthyesit, në përputhje me parimin e përgjithshëm të këtij botimi: t’i afrohet sa më shumë origjinalit, duke ruajtur njëkohësisht natyrshmërinë e shqipes. Edhe emri i personazhit është pjesë e identitetit të veprës dhe, në këtë rast, vendosa të mos e përshtatja, por ta ruaja në formën e tij ruse.



Xhoina: Ju thoni se keni përkthyer “me vesh”: e keni përsëritur strofën rusisht me zë, derisa disa fjali kanë filluar të bëhen shqip, dhe vetëm pastaj e keni hedhur në letër. Kjo është metodë gojore, ndërsa lexuesi e merr Onjeginin “me sy”. A mendoni se një përkthim i bërë me vesh duhet lexuar me zë të lartë për t’u kuptuar? Dhe a ka pasur strofa që nuk u bënë kurrë me vesh dhe u desh t’i zgjidhnit ndryshe?


Agroni: Përkthimi “me vesh” nuk është ndonjë metodë e ngrirë teorike, por një mënyrë e natyrshme për të kapur lëvizjen e vargut, tonin, ironinë dhe frymën e gjuhës së Pushkinit, përpara se të ndërhyjë puna e imët e tavolinës. Lexuesi, natyrisht, e merr librin “me sy”, por vargu i rregullt dhe me rimë mbart brenda vetes një muzikë që nuk humbet as kur lexohet në heshtje: syri ia ndien pulsin, ia kap ritmin, ia ndjek lëvizjen. Leximi me zë të lartë nuk është kusht për ta kuptuar përkthimin, por është një mënyrë e mirë për ta përjetuar plotësisht dhe, mbi të gjitha, për të provuar nëse vargu rrjedh natyrshëm, nëse nuk ngec në rrokje, nëse rima nuk duket e sforcuar dhe nëse ruan atë lehtësi që i jep jetë romanit në vargje.


Natyrisht, jo çdo strofë vinte e gatshme nga veshi. Kjo ndodhte sidomos në ato strofa ku Pushkini grumbullon informacion kulturor e letrar, përmend personalitete të artit, ndërthur aluzione mitologjike apo folklorike. Në raste të tilla, nuk mjaftonte ta përsërisja strofën me zë për të gjetur rrjedhën e saj në shqip. Duhej më parë të zbërtheja referencat, të kuptoja funksionin e aluzioneve dhe peshën që ato kishin në kontekstin e strofës. Pastaj vinte puna e përkthimit: matja e vargut, provat e përsëritura, zhvendosja e fjalëve dhe rishikimi i durueshëm në letër. Pra, veshi ishte pika e nisjes dhe gjykatësi i fundit, por jo i vetmi mjeshtër në këtë punë.



Xhoina: Në intervistën tonë të parë, për Dostojevskin, ju ngritët një flamur kundër lëmimit: sintaksë që nuk rrjedh, por shkumon, regjistër i pistë, përsëritje që janë ethe dhe jo gabim. Ndërsa në parathënien e Onjeginit flitet për lehtësi ajrore, tingëllim më të butë e organik, për shmangien e rimës kur ajo e ngurtëson vargun. Çfarë ndryshon në metodën tuaj kur kaloni nga njëri autor tek tjetri? Dhe çfarë nuk negocioni kurrë, pavarësisht nga autori që përktheni?


Agroni: Metoda ndryshon sepse ndryshon vetë temperamenti i veprës. Dostojevski është dramë e brendshme, ethe, përplasje zërash, sintaksë e thyer ose e mbingarkuar, përsëritje që burojnë nga tronditja shpirtërore. Aty “lëmimi” i tepruar do ta vriste tensionin, sepse edhe çrregullimi i ligjërimit mund të jetë pasqyrë e drejtpërdrejtë e gjendjes së personazhit. Jevgenij Onjegini, përkundrazi, është roman në vargje, ku kemi një lëvizje të lirshme të vargut brenda një strukture metrike e strofike tejet të disiplinuar; aty mbizotërojnë eleganca, ironia e hollë, ritmi dhe ajri i poezisë. Çdo ngurtësim metrik apo rimë e sforcuar rrezikon të cenojë atë lehtësi që Pushkini e krijon me një natyrshmëri të jashtëzakonshme. Prandaj, te Dostojevski mbroj ethen thuajse epileptike të tekstit, kurse te Pushkini mbroj ajrin dhe lëvizjen e vargut.


Ajo që nuk e ndërmjetësoj kurrë, pavarësisht nga autori, është besnikëria ndaj natyrës së veprës dhe respekti për shqipen e gjallë. Nuk e zbukuroj autorin aty ku ai është i ashpër, i trazuar apo i vrazhdë, por as nuk e varfëroj aty ku është i kthjellët, i ndritshëm apo ironik. Nuk e ngatërroj besnikërinë me përkthimin mekanik fjalë për fjalë, por as lirinë krijuese me të drejtën për ta ndryshuar autorin. Për mua, përkthimi duhet të ruajë zërin e origjinalit dhe njëkohësisht të marrë frymë në shqip. Kjo është e pandërmjetësueshme.



Xhoina: Parathënia e thotë hapur se në disa raste e keni lënë rimën e puthur për t’i dhënë vend asonancës, dhe nuk e quani kompromis, por përpjekje për të ruajtur muzikën e mendimit. Pasthënia, nga ana tjetër, thotë se skema e strofës duhej riprodhuar patjetër. Nabokovi, të cilin e citoni vetë, do të thoshte se çdo largim metrik është humbje. A mund të na sillni një shembull të një strofe ku keni qenë i detyruar të hiqni dorë nga rima e plotë për të ruajtur muzikën dhe kuptimin e vargut?


Agroni: Skema e strofës mbetet shtylla e ndërtimit: pa të, romani në vargje humbet një pjesë thelbësore të arkitekturës së vet. Por ruajtja e skemës nuk do të thotë se çdo rimë duhet të realizohet medoemos me përputhje të plotë tingullore. Edhe vetë Pushkini ka një mori asonancash. Nabokovi, me qëndrimin e tij rigoroz, na kujton se çdo largim nga origjinali ka një çmim. Megjithatë, përkthyesi ndeshet edhe me realitetin e gjuhës pritëse: ka raste kur një rimë e plotë do ta detyronte të fuste një fjalë mbushëse, të ndryshonte rendin natyror të ligjërimit ose të sakrifikonte një nuancë të rëndësishme të origjinalit. Në ato raste, asonanca nuk është dorëzim, por një përpjekje për të ruajtur muzikën e mendimit dhe frymën e vargut.


Një shembull është kjo strofë e kreut të parë, ku Pushkini ndërton një lëvizje të fuqishme drejt hapësirës dhe lirisë. Në origjinal, vargu i dytë dhe i katërt përmbyllen me një rimë të plotë, ndërsa në shqip, në çiftin “vjen – shenjë”, kam zgjedhur asonancën:


L

A do vijë ora e lirisë?

Po i thërras: po vjen, po vjen!

Në anëdet, pres një puhizë,

Veloreve – u bëj me shenjë.

Nën petk stuhish, valë e rrëmetit,

Në udhëkryq paanë të detit

Kur do marr turr pra drejt lirisë?

T’mërzitshmin breg po e braktis

Prej klimës që s’më ka mëshirë

Dhe mes kreshtave të mesditës,

Nën qiellin tim të Afrikës

Të fshaj për Rusinë e nxirë;

Ku hoqa keq, ku dashurova,

Ku zemrën time e vorrova.


Nuk desha të detyroja gjuhën shqipe të sakrifikonte kuptimin dhe natyrshmërinë vetëm për të arritur një përputhje të plotë tingullore. Për mua, në këtë rast, muzika e vargut ruhet më mirë përmes një zgjidhjeje të natyrshme sesa përmes një rime të sforcuar.



Xhoina: Pjesa që më ngacmoi më shumë është ajo e gjuhës. Ju thoni se shqipja e njësuar ka dy të meta për vargun klasik: mungesën e paskajores dhe përcjelloren e gjatë. Rusishtja nga “idti” bën “idja”, ndërsa ne nga “shkoj” e bëjmë “duke shkuar”, domethënë gjysma e vargut ikën që në fjalën e parë. Ju thoni se pa gegnizmat, Onjegini mund të përkthehet i plotë veçse në prozë. Një zgjidhje e tillë duket që në epigrafin e parë: “Me jetue ngutet, me ndie nxiton”, ku shënimi juaj thotë se origjinali ka dy paskajore të zhveshura. Si e shihni këtë zgjedhje: si domosdoshmëri teknike të vargut, apo edhe si një mënyrë për t’i rikthyer poezisë klasike një pjesë të shqipes që standardi ia ka zbehur? Dhe, duke menduar për nxënësit e studentët, si mendoni se do ta marrin gegërishten e Pushkinit: si zë të natyrshëm të tij apo si ngjyresë të përkthyesit?


Agroni: Për mua, kjo është edhe një domosdoshmëri teknike e vargut, edhe një mënyrë për t’i rikthyer poezisë një pasuri të gjallë të shqipes, të cilën standardi, në disa prej mundësive të veta shprehëse, ia ka zbehur. Paskajorja gege – ajo që unë e quaj “koka e sintaksës” – ka një ekonomi të jashtëzakonshme: të lidh shpejt e drejtpërdrejt me kuptimet abstrakte, pa e rënduar fjalinë me zgjatime e perifraza. Kur e sheh te epigrafi – Me jetue ngutet, me ndie nxiton – kuptimi godet menjëherë, me atë shpejtësi dhe lakoni që i japin vargut frymë e forcë. Pa paskajoren dhe pa mundësitë shprehëse të gegërishtes, vargu klasik në shqip shpesh rrezikon të zvarritet ose të mbytet në perifraza. Pra, çështja nuk është vetëm të fitosh disa rrokje, por të ruash një mënyrë të të menduarit dhe të të shprehurit.


Sa u përket nxënësve dhe studentëve, frika se “nuk e kuptojnë gegërishten” më duket më tepër një spekulim sesa një shqetësim i mbështetur në fakte. Programi shkollor i njeh ata me një traditë rreth katërqindvjeçare të letërsisë sonë të shkruar në gegërisht, nga Buzuku e këtej. Për më tepër, nxënësit tanë mësojnë gjuhë të ndryshme të hapësirës europiane; atëherë, përse të paragjykojmë aftësinë e tyre për të kuptuar një formë letrare të gjuhës së tyre? Gegërishtja letrare nuk është ndonjë mur i pakapërcyeshëm për ta. Përkundrazi, njohja me të mund t’ua pasurojë veshin dhe ndjeshmërinë gjuhësore, duke u bërë të dukshme mundësi shprehëse që shqipja i ka pasur dhe i ka ende.


Sa për mënyrën se si do ta përjetojnë gegërishten në Jevgenij Onjegin, shpresoj ta ndiejnë si zërin e natyrshëm të vargut shqip, përmes të cilit flet Pushkini. Nuk e shoh gegërishten si një ngjyresë të jashtme që përkthyesi ia shton autorit, por si një mjet të brendshëm të gjuhës sonë, që në këtë rast i përgjigjet veçanërisht mirë natyrës së veprës. Sigurisht, çdo përkthim mbart edhe gjurmën e përkthyesit; por synimi im nuk ishte t’i jepja Pushkinit një ngjyrë timen, por të gjeja në shqip një zë që t’i përshtatej sa më mirë poezisë së tij.



Xhoina: Përtej sfidës gjuhësore dhe metrike, çfarë e bën Jevgenij Onjegin një vepër që i reziston kohës? Pushkini e shkroi në një epokë të caktuar, me personazhe, zakone, kode shoqërore dhe një realitet rus që sot mund të duken të largëta. Çfarë e bën këtë roman ende të afërt me lexuesin bashkëkohor?


Agroni: Edhe pse Jevgenij Onjegini përmban botën e vet historike, zakonet e kohës dhe peizazhin rus të shekullit XIX, ajo që e mban të gjallë dhe të afërt me lexuesin e sotëm është psikologjia e hollë e njeriut dhe pavdekësia e pyetjeve që vepra shtron. Nën petkun e ballove, të dueleve dhe të jetës mondane rrahin ndjenja që nuk plaken kurrë: lodhja nga rutina, pamundësia për të dashuruar në kohën e duhur, keqkuptimet mes njerëzve, malli për atë që ka ikur dhe përballja e ftohtë me vetveten kur piqesh. Ndërsa realiteti shoqëror i veprës mund të na duket i largët, dilemat e personazheve mbeten çuditërisht të afërta.


Por besoj se këtu duhet parë edhe një dukuri më e gjerë kulturore. Kryeveprat e mëdha nuk “vonohen” kurrë për bashkëkohësinë. Homeri, tragjikët grekë, Dantja, Servantesi, Gëtja apo Shekspiri nuk janë monumente të së kaluarës që ne i vizitojmë për t’u njohur me një botë të shuar; ata vazhdojnë të na flasin, sepse çdo epokë zbulon tek ata kuptime dhe ndjeshmëri të reja. Përmes përkthimit dhe leximit të ri, origjinali fiton një jetë tjetër: hyn në një gjuhë e në një kulturë të re, merr pjesë në një diskurs të ri dhe ndriçohet nga pyetjet e kohës që e përvetëson. Kjo nuk do të thotë se ndryshon vepra, por se zbulohen mundësi të reja të saj.


Edhe lexuesi i sotëm mund ta njohë veten te Onjegini i lodhur e i shpërndarë, te Tatjana e ndershme dhe e pjekur, te Lenski i zjarrtë. Jo sepse këta personazhe i përkasin botës sonë, por sepse, përmes tyre, Pushkini ka depërtuar në diçka që i kapërcen kufijtë e epokës: në natyrën njerëzore. Kjo është, për mua, një nga shenjat më të sigurta të madhështisë së një vepre letrare.



Xhoina: Në Kreun III, para letrës së njohur të Tatjanës, Pushkini ndalet dhe bën një shaka me lexuesin: do të më duhet ta përkthej letrën e Tanjës, sepse ajo nuk e zotëronte mirë rusishten dhe shkruante frëngjisht. Pra, Pushkini na e jep letrën sikur ta kishte përkthyer vetë nga një gjuhë tjetër, dhe ju e përktheni sërish në shqip, domethënë përktheni një tekst që shtiret se është përkthim. Pastaj vjen letra, që nis me “Ç’do deshët më? – ja, po ju shkruaj”. Tatjana fillon me “ju”, të përmbajtur, dhe në mes të letrës kalon befas në “ti”, kur ndjenja e kap. Si e ruani këtë lojë të dyfishtë, ironinë e autorit dhe sinqeritetin e vajzës?


Agroni: Këtu preket një nga shtresat më të holla të romanit, të cilën e kanë ndriçuar mjaft mirë edhe studiues të mëdhenj të Pushkinit, si Jurij Llotmani. Nga njëra anë, kemi lojën e narratorit që na paraqet letrën e Tatjanës sikur po e përkthen nga frëngjishtja, sepse vajzat e familjeve fisnike ruse të asaj kohe shkruanin e shprehnin shpesh ndjenjat e tyre në frëngjisht. Kështu krijohet një lojë e bukur: unë, si përkthyes, përkthej në shqip një tekst që narratori na thotë se e ka përkthyer vetë nga frëngjishtja. Por kjo është edhe një konventë artistike e Pushkinit; nuk mund të pohojmë me siguri se pas letrës ruse ka ekzistuar një origjinal i plotë në frëngjisht.


Nga ana tjetër, letra nuk lind në një hapësirë letrare të zbrazët. Ajo mban jehonën e letërsisë sentimentale e romantike franceze. Llotmani vëren afri me Eloizën e re të Rusosë, ndërsa studiuesi Leonid Serzhan ka propozuar si një nga modelet e mundshme një elegji të poetes franceze Marceline Desbordes-Valmore, botuar më 1819. Këto paralele janë të rëndësishme, por nuk duhen marrë si dëshmi se Pushkini ka përkthyer apo kopjuar një tekst të caktuar. Tatjana është rritur me romane dhe me modele letrare përmes të cilave e përfytyron dashurinë; megjithatë, kur i shkruan Onjeginit, ndjenja e saj është krejt e vërtetë dhe personale.


Bukuria e Pushkinit qëndron pikërisht te ndërthurja e ironisë së lehtë të narratorit me dhembshurinë e tij të thellë për Tatjanën. Ai buzëqesh me naivitetin e saj libror, me mënyrën si ajo e përfytyron dashurinë përmes romaneve, por nuk e përqesh ndjenjën e saj. Përkundrazi, e mbron sinqeritetin dhe guximin e saj, sepse në shoqërinë e kohës hapi që ndërmerr Tatjana ishte një shkelje e rëndë e konvencioneve të mirësjelljes.


Sa i përket kalimit nga “ju” në “ti”, ky është një nga çastet më të bukura të letrës. Tatjana nis me një formë të përmbajtur, që ruan distancën dhe pasigurinë e saj, por, ndërsa rrëfimi emocional merr hov, kjo distancë shembet. Kalimi ka edhe paralele me letrën e Sen-Prësë (Saint-Preux) te Eloiza e re e Rusosë, megjithëse efekti i tij nuk është krejt i njëjtë në frëngjisht dhe në rusisht. Në shqip, vendosa ta ruaj këtë kthesë, sepse ajo nuk është një hollësi gramatikore: është vetë lëvizja e ndjenjës, çasti kur Tatjana nuk arrin më ta mbajë dashurinë brenda kufijve të përmbajtjes dhe të formalitetit.



Xhoina: Sa i përket strukturës së librit, ju na jepni tri shtojca: fragmentet e Udhëtimit të Onjeginit, Kreun X me sfondin dekabrist dhe strofat e lëna jashtë tekstit. Në botimet e mëparshme në shqip i kanë futur këto pjesë brenda tekstit kanonik, ndërsa ju i keni ndarë. Çfarë dëmi i sjell tekstit kanonik një përzierje e tillë? Dhe, nga ana tjetër, a nuk e rrezikon kjo ndarje që lexuesi i zakonshëm t’i anashkalojë dhomat e pasme të romanit?


Agroni: Përzierja e këtyre materialeve brenda tekstit kanonik i sjell romanit një dëm të drejtpërdrejtë arkitektonik: cenon strukturën, ritmin dhe mbylljen që Pushkini i dha veprës në versionin e saj përfundimtar. Jevgenij Onjegini u botua në tetë krerë të përfunduar, dhe ky është trupi i romanit që njohim si tekst kanonik. Udhëtimet e Onjeginit, megjithëse kanë qenë pjesë e projektit krijues të Pushkinit, u lanë jashtë botimit përfundimtar. Po kështu, fragmentet e Kapitullit X, me sfondin e tyre historik e dekabrist, dhe strofat e papërfshira nuk janë pjesë e tekstit kanonik të botuar.


Në botimin e mëparshëm shqip, Udhëtimet e Onjeginit ishin përfshirë si një kapitull i nëntë brenda romanit, ndërsa dy grupet e tjera të materialeve nuk janë paraqitur fare. Në botimin tim kam zgjedhur t’i vendos të tria në shtojca të veçanta, të shoqëruara me shënime dhe sqarime filologjike. Kështu, secila pjesë merr statusin dhe vendin e vet: romani ruan arkitekturën që ka në botimin përfundimtar të autorit, ndërsa shtojcat apokrife na hapin dritare drejt procesit krijues, historisë dhe varianteve të veprës.


Sa për frikën se mos lexuesi i zakonshëm i anashkalon këto materiale, unë besoj të kundërtën: ndarja e qartë i jep secilës pjesë dinjitetin dhe funksionin e vet. Së pari, lexuesi e përjeton romanin në formën e tij të përfunduar, ashtu siç e la Pushkini për botim; pastaj, nëse dëshiron të hyjë më thellë në botën e tij, ka mundësinë të zbulojë edhe këto shtojca: udhëtimet e personazhit, sfondin historik të kapitullit të dhjetë dhe strofat që autori nuk i përfshiu në tekstin përfundimtar. Kështu, “dhomat e pasme” nuk mbeten të mbyllura, por vizitohen pa e shembur shtëpinë kryesore.



Xhoina: Pasthënia është gati një roman policor. Pushkini në vjeshtën e vitit 1830, në Boldino, shënon në një fletë të Stuhisë së dëborës: “19 tetor, djegur kapitulli X”. Njëherazi, strofat e numëruara që mungojnë nuk i quani rezultat të censurës, por kohë të munguar, sepse “nesër është po njësoj si dje”. Dhe ndërkohë vetë Pushkini i drejtohet një “lexuesi të ardhshëm”. Pra, një poet që djeg një kapitull nën peshën e dy censurave, e që shkruan për një lexues të mëvonshëm. Ju keni jetuar edhe vetë përballë arkivave, dosjeve, heshtjes. Si e lexon sot një njeri që ka ikur nga Shqipëria për shkak të fjalës së tij, Pushkinin e dy pushteteve, Carit dhe Poetit?


Agroni: Kjo pyetje më prek personalisht, sepse përballja e Pushkinit me pushtetin dhe me censurën nuk është për mua vetëm një çështje e historisë letrare. Gjatë viteve kur drejtoja Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), puna ime për nxjerrjen në dritë të krimeve të diktaturës dhe të së vërtetës së arkivave më vuri përballë kërcënimeve të vazhdueshme me vdekje familjarisht. Në nëntor të vitit 2019 u detyrova të largohesha nga Shqipëria. Prandaj, kur lexoj për Pushkinin, për marrëdhënien e tij me carin Nikolla I, për mbikëqyrjen e Benkendorf-it, për kapitullin që digjet dhe për miqtë e tij dekabristë të dënuar e të syrgjynosur, nuk shoh vetëm një dramë të largët të shekullit XIX. Shoh edhe një problem që e kam njohur nga afër: përpjekjen e pushtetit për të kontrolluar jo vetëm fjalën e së tashmes, por edhe kujtesën e së shkuarës.


Përvoja ime me arkivat dhe dosjet më ka bërë të kuptoj se heshtja nuk është gjithmonë mungesë dokumentesh. Ndonjëherë është rezultat i një pune të qëllimshme për të fshehur, fshirë ose shtrembëruar të vërtetën. Prandaj më ka tërhequr aq shumë misteri i Kapitullit X: jo vetëm ajo që dimë për të, por sidomos ajo që nuk dimë, ajo që është zhdukur dhe që mund të rindërtohet vetëm pjesërisht përmes dëshmive, shënimeve dhe gjurmëve të mbetura. Shënimi i Pushkinit, “19 tetor, djegur kapitulli X”, ka një peshë të jashtëzakonshme. Nuk mund të pohojmë me siguri të plotë se cilat ishin arsyet e këtij veprimi, por konteksti i censurës dhe i mbikëqyrjes perandorake na lejon të kuptojmë dramën e një poeti që përpiqej të ruante të drejtën për të thënë atë që pushteti nuk dëshironte të dëgjonte.


Këtu shfaqet konflikti që kam dashur të theksoj në pasthënie: ai mes dy pushteteve, Carit dhe Poetit. Natyrisht, nuk bëhet fjalë për dy pushtete me të njëjtën forcë materiale. Njëri ka policinë, burgjet, censurën dhe mundësinë për të ndëshkuar; tjetri ka fjalën, ndërgjegjen dhe aftësinë për t’i folur së ardhmes. Por pikërisht këtu qëndron paradoksi: pushteti politik mund ta ndalojë një tekst, mund ta detyrojë autorin ta djegë, mund ta dënojë apo ta syrgjynosë njeriun, por nuk mund ta përcaktojë përgjithmonë kuptimin e veprës dhe as ta zgjedhë lexuesin e saj të ardhshëm.


Për mua, ky “lexues i ardhshëm” është një nga idetë më prekëse të gjithë kësaj historie. Ai është njeriu që vjen pas, që hap arkivat, rilexon dokumentet, kërkon gjurmët e fshira dhe nuk pranon që heshtja e imponuar të bëhet e vërtetë historike. Ndoshta pikërisht për këtë arsye Pushkini vazhdon të na flasë: sepse e kuptoi se jeta e fjalës nuk mbaron në çastin kur ajo ndalohet, as kur dorëshkrimi digjet. Një pushtet mund ta mbyllë gojën e poetit, por nuk mund ta mbyllë përgjithmonë dialogun e tij me të ardhmen. Cari përjetësisht e ka të humbur betejën me Poetin, thjesht për shkak të karakterit të ngulitur që kanë këto dy pushtete: Tiranitë janë nomade, Poeti është i Përjetshëm. Efemerja nuk e mposht dot të Përjetshmen.



Xhoina: Libri ka mbi 100 shënime tuaja në fund të faqes dhe, përveç tyre, shënimet shpjeguese të vetë Pushkinit. Pra, dy zëra komentues, ku njëri është i autorit që tallet me lexuesin (si kur thotë për Danten: “autori ynë modest ka përkthyer vetëm gjysmën e parë të këtij vargu të famshëm”). Ç’ndodh kur përkthyesi vendos shënim pranë një shënimi të poetit? A ka pasur raste kur nuk jeni pajtuar me Pushkinin? 


Agroni: Kur pranë shënimeve të vetë Pushkinit – ku ai shpesh luan, bën humor të hollë apo hedh ndonjë shaka me lexuesin, si në rastin e atij vargu të Dantes, për të cilin thotë se “autori ynë modest ka përkthyer vetëm gjysmën e parë” – vendoset edhe shënimi i përkthyesit, gjëja më e rëndësishme është të ruhet masa dhe hierarkia. Pushkini nuk ka nevojë t’i shpjegohet ironia, as t’i “përkthehet” shakaja: zëri i tij duhet të mbetet i paprekur në lirinë dhe lojën e vet. Shënimi im nuk hyn për t’i zënë vendin autorit dhe as për të bërë zbukurime të tepërta, por për të ndriçuar një referencë kulturore, një emër, një hollësi historike apo një çështje tekstuale që e ndihmon lexuesin shqiptar të kuptojë më plotësisht atë që ndodh në varg.


Sa i përket pyetjes nëse ka pasur raste kur nuk jam pajtuar me Pushkinin, përgjigjja është po. Ka pasur çaste kur vlerësimi im si lexues apo si përkthyes nuk është përputhur plotësisht me ndonjë shaka, aluzion apo gjykim të tij të çastit. Por mospajtimi me një poet të madh nuk është mungesë respekti; përkundrazi, mund të jetë shenjë e një leximi të gjallë dhe të ndershëm. Kur lind një çështje e tillë, nuk i imponohem tekstit dhe nuk e vendos veten mbi autorin. Nëse ka diçka që duhet sqaruar, e shënoj me qetësi dhe saktësi, duke ia lënë Pushkinit fjalën e parë dhe të fundit në artin e tij.



Xhoina: Sa i përket strofës së fundit, ajo ku Pushkini thotë se është ndarë nga Onjegini i tij, dhe ju e përkthyet në shqip vetëm pak kohë më parë: çfarë ndieni, kur “ndaheni” nga një libër që ju ka robëruar ditë e natë? Dhe, për lexuesit që do ta lexojnë këtë vepër për herë të parë: cilën strofë do t’ua ktheni si detyrë, për ta mësuar përmendësh, siç e dinë rusët? E pse pikërisht atë?


Agroni: Kur ndahesh nga një libër që të ka robëruar ditë e natë për vite e muaj të tërë, ndjesia është e përzier: ka një lloj çlirimi të qetë, sepse vepra më në fund ka marrë formën e saj të plotë, por ka edhe një boshllëk të lehtë, si kur shuhet një zjarr që të ka ngrohur gjatë në net të gjata. Përkthimi i një vepre të tillë nuk është thjesht punë tavoline; ai hyn në ritmin e ditës, në frymëmarrje, madje edhe në ëndrra. Kur arrin te strofa e fundit dhe e sheh tekstin të mbyllur, e ndien se ke lënë pas një bashkëjetesë të gjatë e të rëndësishme. Por, siç ndodh me librat e vërtetë, ndarja është vetëm formale: jehona e tyre mbetet brenda teje.


Sa për strofën që do t’ua jepja lexuesve të rinj si “detyrë” për ta mësuar përmendësh, zgjedhja nuk është e lehtë, sepse Jevgenij Onjegini është plot me strofa që ngjitin në kujtesë. Megjithatë, do të zgjidhja strofën e parë të romanit, atë hyrje të famshme ku Pushkini e vendos që në vargun e parë lexuesin në qendër të lojës së tij ironike. Pse pikërisht atë? Sepse ajo është çelësi i portës: në të gjenden që në embrion ritmi, muzika, ironia dhe fryma e gjithë romanit. Do të doja që lexuesi ta mësonte përmendësh jo vetëm për ta ditur, por për ta pasur me vete si një ftesë për të hyrë në botën e Pushkinit. Dhe, pasi ta ketë mësuar, jam i sigurt se do të kërkojë vetë strofën tjetër, e pastaj tjetrën, pa pritur urdhër nga askush. Ja strofa:


I

“Im ungj, një burrë pik’ e nderit,

Kur u sëmur, jo për shaka,

Na vuri ta nderojmë njëherit –

Sajesë më të mirë s’ka.

Huq’ i tij – shkencë për të tjerët,

Por, ah o Zot, ç’mërzi e vrerët

T’i rrish te koka dit’ e natë,

Pa u larguar asnjë hap!

Po ç’djallëzi e poshtëruar

Gjysmë të gjallin t’argëtosh,

Nënkresat t’ia rregullosh,

Tek sjell ilaçet i trishtuar,

Të fshash e të mendosh me zjarr:

Po dreqi kur do të të marrë!”



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

86 Lexime
3 orë më parë