Bisedë me Ballsor Hoxhën për librin e fundit me tregime "Zog vishnje në dimër", botuar nga ALBAS
Ballsor Hoxha vjen me përmbledhjen me tregime “Zog vishnje në dimër”, botim i shtëpisë botuese “Albas”. Në këtë intervistë, shkrimtari rrëfen për librin, ku humori i zi dhe ironia ndërthuren me vdekjen, dashurinë, emigrimin dhe realitetin shoqëror.
Pas një cikli krijues që shtrihet në tetë vjet, shkrimtari Ballsor Hoxha vjen me përmbledhjen me tregime “Zog vishnje në dimër”, botuar nga shtëpia botuese “Albas”. Një libër ku humori i zi, ironia dhe absurdi ndërthuren me temat e vdekjes, dashurisë, kujtesës, emigrimit dhe marrëdhënieve njerëzore, duke sjellë një vështrim të mprehtë për shoqërinë dhe realitetin shqiptar.
Në këtë intervistë, Hoxha flet për procesin e krijimit të librit, për personazhet dhe situatat që e përbëjnë atë, për raportin mes humorit dhe dhimbjes, si dhe për ndarjet, ngjashmëritë dhe komplekset që vazhdojnë të shoqërojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Biseda ndalet te letërsia si mënyrë për të ballafaquar të vërteta të pakëndshme, për të vënë në pikëpyetje bindje të zakonshme dhe për të parë, përmes ironisë, edhe atë që shpesh zgjedhim të mos e shohim.
Bisedoi: Xhoina Salaj
Xhoina: I dashur Ballsor, pasi lexon përmbledhjen me tregime “Zog vishnje në dimër”, në fund të kap syri “Prishtinë, 2017-2025”. Tetë vjet janë kohë e gjatë dhe në këtë cikël ndryshon edhe vetë shkrimtari. Disa tregime ndiqen nga ironia dhe lojërat, disa të tjera janë shumë të errëta. Si e kuptove se këto tregime bëjnë një libër dhe jo një grumbull shkrimesh? A ka tregime që sot do t’i shkruaje ndryshe?
Ballsori: E vërtetë, njeriu ndryshon brenda tetë vjetëve. Mendoj se kam ndryshuar shumë, sidomos pas leximit të W. G. Sebald-it dhe romaneve të Samuel Beckett-it. Në këtë përmbledhje, ndoshta ka një periudhë të gjatë ndërmjet tregimeve të shkruara para vitit 2021 dhe pas. Të them të drejtën, këto tregime mund edhe të ishin ndarë në ato para dhe pas vitit 2021, por flinin aq bukur me njëri-tjetrin, sa thashë: “Këto bashkë e bëjnë një libër”. Për mua ishin një vëzhgim tejet i hollë e i detajuar i jetës sonë, në jetën individuale të personazheve të mia dhe trajtimeve të kolektiveve tona. Kishin edhe tregimet urat e tyre që lidhnin tërë historinë tonë gjatë, para dhe pas kësaj periudhe. Mendoj se këto tregime e bëjnë një rezonancë të shpirtit të kohës në të cilin kemi jetuar në këtë periudhë jete.
Një libër nuk bëhet vetëm nga ngjashmëria e tregimeve. Ndonjëherë një tregim ia ndryshon dritën tjetrit. Aty më dukej se ironia dhe errësira kishin nevojë për njëra-tjetrën: të ndara do të thoshin më pak për jetën nga e cila kanë dalë.
Pastaj, ti më pyet edhe a ka tregime që do t’i kisha ndryshuar, dhe të them se ka; çudia është se e shumta e tyre janë të kësaj periudhe, pra pas 2021 e deri sot. Për ta shpjeguar këtë, po kthehem në vitin 2018. Shkruaja krejtësisht i bindur në letërsinë time, por edhe në “sistemin e botimit dhe ekspozimit të letërsisë”; e kam fjalën për shtëpitë botuese. Kur i dërgova disa nga këto tregime dhe të tjera për botim në një shtëpi botuese, mora një përgjigje krejt cinike, të ftohtë dhe çatall nga botuesi: “Nuk më pëlqejnë”. Kjo jo vetëm që më nguci nervin tim krijues, dhe vetëbesimin, dhe dëshpërimin, por edhe vetë atë që e quajta “sistemin letrar”, pra ku dhe kush po na boton!
Dhe m’u desh mjaft kohë që të këndellem nga ajo rënie, jo nga fjalët e tij, por ngaqë e kisha parë këtë sistem të zhveshur.Mirëpo, më duhet të them, se kjo ndryshoi kur filluam bashkëpunimin me “Albas”, që ka një trajtim krejt ndryshe ndaj autorëve, për ç’gjë jam tejet falënderues!
Xhoina: Libri hapet me një skenë që ka diçka të pazakontë: ligjëruesi është në kafene dhe dëgjon një çift të flasë për dashurinë, ndërsa në mendje i flet nëna e vdekur. Në fund, ai telefonon numrin e saj dhe një zë i thotë se personi “nuk ka qasje në jetë”. Pastaj nëna e pyet: kur vdes njeriu? Ky tregim gërsheton humorin e zi dhe dhembjen që lënë pas njerëzit e zemrës, kur ndahen nga jeta. A është humori për ty mënyra e vetme për t’iu qasur vdekjes?
Ballsori: Ky lexim i tregimit është shumë i bukur, mirëpo ka edhe disa lexime të tjera të mundshme, fundja, nuk është shumë e qartë nëse nëna e ligjëruesit ka vdekur, apo është halucinacion.Jo, nuk besoj që humori është e vetmja mënyrë, por është një nga qasjet më të lehta për njeriun. Është një ndër mënyrat më të mira të hapësh dashurinë, me humor, e cila vjen më pastaj edhe me zinë dhe me pikëllimin. Kur e përmendim vdekjen, ne gjithmonë zgjojmë te vetja ambiguitetin e të qenit duke vdekurçdo ditë apo mënyrën tjetër, se do të vdesim një ditë. Dhe këtu, njeriu bëhet shumë i rrëshqitshëm me veten e tij. E për mua,arsyeja është ankthi ndaj saj, për shkak të pavërejtshmërisë së saj, të cilën e bëjmë çdo ditë duke u absorbuar në jetë. Një ditë, po si Gregor Samsës te Kafka, do të na i pastrojnë mbetjet tona dhe do të jetojnë pa ne. Unë them, nëse kjo ndodh, më mirë ta marrim si një të qeshur të pastër për t’iu afruar gjërave të rënda siç janë zia dhe pikëllimi për humbjen e njeriut.
Xhoina: Tek tregimi “Marrëdhënia njerëzore është si sadomazokizëm”, Betimja nga Kosova dhe Agimi nga Shqipëria tregojnë një shaka për një gjest seksual, i cili humb në dy të folme gati të njëjta, por shpejt biseda shkon te theksi, te ndarjet mes shqiptarëve, te letërsia dhe te Kadareja. Duket sikur humori e hap derën për diçka më të rëndë. A është ndarja mes Kosovës dhe Shqipërisë, në gjuhë dhe në mendësi, ende një plagë e hapur për ty, apo është diçka me të cilën thjesht mund të bëhet shaka?
Ballsori: Të them të drejtën, nuk e di nëse ka më plagë, apo nëse atë e ka marrë harresa, e ka fshirë e kaluara dhe, aq më shumë, e ka shëruar po kjo kohë, apo ndoshta ka vënë koren e saj mbi plagën. Ne nuk mund ta dimë, do të dihet në gjeneratat e tjera.Sigurisht, ka inate, ka hidhërime, Kadarenë as nuk e kanë nderuar si duhej në Kosovë kur vdiq, etj. Por unë nuk merrem me këtë. Unë dua të shpalos pikërisht atë gjakun e mpiksur të varrës, jo më të dallimit ndërmjet nesh, por të pamundësisë së të jetuarit njëlloj, si një. Por, tani që ma hape gojën, Xhoina, si është të jetosh njëlloj? Si një? Nuk e kam idenë. As të jetuarit në një shtet nuk do ta ndryshonte këtë. Mendoj se arti im do të hapë, jo të fusë nën qilim komplekset mes neve, por t’i ballafaqojë ato. Por si për vdekjen, edhe për gjërat e tjera të rënda, pse të mos iu qasemi këtyre me humor?!
Xhoina: Në tregimin “Rreth i papërsosur ish amaneti i poetit”, djali 9-vjeçar, Gëzimi, e pyet babanë çka është serbi. Babai provon t’i flasë për aporinë, por djali e ndërpret, thotë se nuk ekziston poeti, ka vetëm videolojëra. Pastaj babai shkruan një tregim për vetëvrasjen e një poeti dhe në fund shton se njeriu ka shumë armiq, se vetja e tij është një prej tyre. Çfarë ndihet kur provon t’i shpjegosh një fëmije gjëra që vetë nuk i ke zgjidhur? Dhe për kë e shkruan këtë tregim: për Gëzimin apo për veten?
Ballsori: Këtu je shumë e mprehtë. Më prek në plagën si prind. Unë nuk i shoh serbët dhe shoqërinë e tyre si armiq. Megjithëse kanë bërë të gjitha të zezat që mund të bëjë një shoqëri ndaj nesh. Por, po të them, e kam nisur tregimin pikërisht për shkak të këtij problemi: djali im mendon se çdo gjë serbe është armike, sigurisht, i rrëmbyer nga mentaliteti i masave nga shoqëria jonë kosovare. Ndërsa unë sapo e thashë mendimin tim. Këto janë një apori, qoftë mes djalit tim dhe meje. Gjë që shpresoj se do të ndryshojë në të ardhmen. Dhe pikërisht kjo e tregon të vërtetën time si autor në këtë tregim: hyra për t’i treguar se çka është serb, armik etj, dhe nuk besoj se dola prej asaj aporie më i ditur, por shumë më i lënduar.
Xhoina: Shtutgarti kthehet pothuajse çdo herë që libri rrok diasporën, por me fytyra të ndryshme. Në tregimin “Under My Sensi” është “Amerika”, ku një djalë vdes nga heroina. Në tregimin “Lajm nga Shtutgarti”, një funeral shndërrohet në bisedë për parcela, aksione dhe vdekja bëhet e parëndësishme para lajmit nga Gjermania. Ndërsa në tregimin “Një çmenduri kolektive” është televizioni i shtetit të Shqipërisë komuniste, që fëmijët e shihnin me një lloj magjie. Pse Shtutgarti? Çfarë përfaqëson ky qytet për ty? Apo gjithçka mbetet rrëfim për mitin e emigrimit?
Ballsori: Për mua, qyteti i Shtutgartit, edhe pse nuk kam qenë asnjëherë, parafytyron një qytet bajat gjerman! Hahahaha! Porpër njeriun e zakonshëm kosovar, është vetë Amerika. Sikur në Shqipëri të flisnim për Barin, Milanon, apo ndonjë qytet tjetër të Italisë. Dhe për mua, të zgjedhurit e këtij qyteti në disa tregime, është pikërisht ironia me dashurinë kolektive ndaj këtij qyteti.
Xhoina: Tek tregimi “Nën radarin homoseksual” kemi një skenë që lëkundet mes komikes dhe frikësimit: djem me shami në fytyrë futen në një kafene në Prishtinë me shufra bejsbolli duke pyetur për “pedera”. Në fund, një turist spanjoll pyet në rrugë për homoseksualë dhe i përgjigjen se për shqiptarët kjo gjë është diçka absurde. Ndërmjet, ligjëruesi flet për një “radar” që e ndien te vetja. Si e harmonizove tonin e këtij tregimi, ku dhuna dhe absurdi qëndrojnë kaq afër? Dhe kur e shkrove, ishte më shumë frikë, zemërim apo ndjenjë faji ndaj qasjes që shoqëria jonë ka me këtë fenomen?
Ballsori: E shumta e këtij tregimi, në një mënyrë a në një tjetër, ka ndodhur një natë në Prishtinë, ndërsa kishte disa organizime publike të këtij komuniteti. Por mendoj se ka të bëjë edhe me njëlloj zemërimi që ndiej për dhunën që pësojnë homoseksualët. Kam miq prej tyre, andaj huazova shumë nga bisedat me ta dhe më doli tregimi. Kur më pyet çfarë ndjenje ishte, them me shumë përgjegjësi se ishte vetë faji që ndieja për atë që qyteti ynë ua bën po të njëjtëve.
Xhoina: Tek tregimi “Filmi më i mirë në botë”, ligjëruesi është Fidani, ndërsa emri i tij është një emër që “e kishte mbjellë vetë komunizmi”. Një grup fëmijësh kanë parë një film me Bruce Lee dhe pastaj lëndohen duke e imituar. Por aty, tek emri, ka diçka më shumë: një ndjesi se një emër mund të mbajë një ideologji dhe një fat. A ka emra që të kanë ndjekur në jetë ose në krijimtari? Dhe pse Fidani është një nga personazhet që kthehet më shpesh nëpër tregime?
Ballsori: Fidani për mua është si njëlloj Ballsori. Me të vërtetë, emri im është unik dhe shqiptar. Kjo më ka shtyrë të mendoj për emrat që nga vegjëlia. Dhe ka disa emra që më shqetësojnë, sidomos kur ua jep fëmijëve, por me sa di unë, ju në Shqipëri jeni edhe më keq! Hahahahahh! Dhe pikërisht, ky emër, Fidani, bërë edhe film në fëmijërinë time me këtë emër si titull, në këtë tregim shfaq tërë tragjedinë e të barturit të një ideologjie, qoftë patriotike apo politike.
Xhoina: Në tregimin “Ag, është vetëm ag…”, ligjëruesi, një poet, pas publikimit të një poezie që e quan kulmin e tij, e sheh në rrjetet sociale të përqeshet, sidomos për titullin. Aty ka dhe një djalosh, Donin, për të cilin e ka shkruar poezinë, dhe frikën se përçmimi do ta prekë edhe atë. Sa ka nga ti te ky poet që mbetet vetëm përballë përqeshjes? Dhe çfarë të bën të vazhdosh të shkruash, kur dikush e përgojon diçka që për ty ia ka vlejtur shumë?
Ballsori: Ka shumë nga unë në këtë personazh, sidomos nga vitet para vitit 1999, para se Kosova të fitonte lirinë. Për mua, ky tregim ka tri shkallë: e para është kjo lloj shpirtngushtësie e njeriut tonë. E dyta është skena me Donin, personazhin për të cilin është shkruar tregimi, dhe e treta është kanalizimi në Rrugën B të famshme të Prishtinës, që ka dalë në sipërfaqe dhe na bashkon të gjithëve në atë që as nuk mund ta paramendojmë. Kjo do të thotë një “mutsihane” të cilën e bëjmë për çdo ditë, me të cilën mbulojmë vetë mrekullitë tona si ky djalë.
Xhoina: Tek tregimi “Një fake news humanitar”, një lajm nga Shtutgarti thotë se një penis është ndërtuar për gjithë botën, një grua në Stamboll e rrëmben dhe pastaj për gjithë botën merr ferra uratën. Është një tregim shumë i guximshëm! A ke “frikë” se ndoshta do të ketë “pasoja” në perceptimin e lexuesve? Apo vetë provokimi kaq i fortë është çelësi i gjithë tregimit?
Ballsori: Je shumë e saktë, Xhoina, është vetë provokimi. Është edhe njëlloj omnipotence zemërimi ndaj botës, duke e kastruar te vetëm – një penis. Hahahaha!
Xhoina: Tek tregimi “Bashkë, bashkë me Bolanon” ligjëruesi është në ballkon, në orën dy e gjysmë të natës pas halloween-it me Gëzimin, dhe mendon për Bolanon që mbledh mbeturina në Barcelonë. Në epigraf, të nënshkruar B. H., thuhet se protesta e fundit nuk është vetëvrasja, por të jetosh. A është ky një besim që e ke edhe jashtë shkrimit? Dhe pse e sjell në të njëjtën natë me gëzimin e fëmijëve?
Ballsori: Ndërsa “ligjëruesi” rri në ballkon, ai në të vërtetë është duke e hamendësuar vetëvrasjen. Ai nuk është i sigurt, cilën do ta bëjë, jetën apo vetëvrasjen, dhe këtu kapet te Bolanoja dhe e analizon. Nata që është zgjedhur, është një nga netët që na përcjellin ndonjëherë në jetë dhe nuk ka se si t’u ikim, e që pikërisht lidhet me Gëzimin, deshëm apo nuk deshëm, si prindër apo edhe si vrojtues.
Xhoina: Libri përfundon me tregimin për Robin, që braktis Lindën pas një nate të vështirë, dhe për një këngëtare të quajtur Zogu, që Linda e sheh dhjetë vjet më vonë në sheshin e Prishtinës. Në fund të tregimit, edhe pse shumë gjëra janë prishur, e vogla Vala vizaton zogj vishnje. A është e gjithë kjo mishërimi i shpresës? Apo ndoshta diçka më e ndërlikuar sesa shpresa?
Ballsori: Po, është shumë më e ndërlikuar sesa shpresa. Ka një kompleks të tërë që është ndërtuar në mendjen e asaj vajze nga ato kohëra. Ne nuk jemi të vetëdijshëm çka po konsumojmë dhe as çka po bartim te fëmijët tanë. Dhe këtu është një tërheqje vëmendjeje. Por edhe përmes kthimit te nyja mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në Shqipëri, “zogu” ka disa konotacione, madje edhe seksuale. Në Kosovë, ndodhi në një nga netët e pasluftës, kur e tërë salla, e vetëdijshme se po brohoriste pikërisht për këtë lloj “zogu”, u ngrit në këmbë dhe, sikur para Enver Hoxhës, po i bindej!
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Bisedë me Agron Tufën, për përkthimin e librit “Jevgenij Onjegin” nga Pushkini, botuar nga ALBAS
Planet mësimore, ditarët dhe materialet ndihmëse të teksteve shkollore të Albas Shqipëri
Intervistë me Ardian Cergën për romanin e ri "Let It Be...": "Ëndrra ishte pikërisht liria"