Bisedë me Avni Halimin, krijues e publicist: Të shkruash kundër harresës



Një bisedë me Avni Halimin për kulturën, kujtesën, identitetin shqiptar dhe përgjegjësinë e intelektualit. Përmes librit “Zëra në kohën e harresës”, ai ndalet te roli i fjalës, sfidat e kulturës dhe nevoja për të mos i lënë mendimet e njerëzve të humbasin në harresë.

“Fjala nuk e ndryshon gjithmonë botën, por e pengon atë të kalojë pa dëshmi. Shkruaj sepse ende më shqetësojnë njerëzit, koha dhe fati i kulturës sonë. Për sa kohë ekziston ky shqetësim, shkrimi mbetet nevojë”.



Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku


Avni Halimi është një nga ata krijues që nuk e kanë ndarë letërsinë nga jeta, as krijimtarinë nga përgjegjësia ndaj kohës në të cilën jetojnë. Poet, prozator, dramaturg, publicist dhe gazetar, ai e ka ndërtuar veprimtarinë e vet në disa fusha, por me një shqetësim që i përshkon të gjitha: njeriu, kujtesa, identiteti, kultura dhe përplasja e individit me realitetin shoqëror.


I lindur më 1965 në Preshevë, i formuar në Shkup dhe në Universitetin e Prishtinës, ku studioi Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, Halimi që në vitet studentore u përfshi në gazetarinë kulturore. Në gazetën studentore Bota e re punoi si gazetar dhe redaktor i rubrikës së kulturës, një përvojë që do të ndikonte në formimin e tij dhe në raportin e mëvonshëm me fjalën publike. Rrugëtimin në gazetari e vazhdoi në projektin HEJZA.


“Rojtar i natës” (1989), libri i tij i parë me poezi, shënon fillimin e një rrugëtimi letrar që do të vazhdonte me “Vjeshtë në teatër” (1994), “Balsami i pritjes” (2004) dhe “Albumi i kujtesës” (2006). Në prozë, përveç romanit “Duke pritur pranverën” (2002), botoi librin me tregime “Kohë ujqërish” (2008). Por drama do të bëhej një ndër hapësirat më të rëndësishme të krijimtarisë së tij. “Kjo është lufta ime”, “Labirinthet e kujtesës”, “Pus”, “Magbethi nga Jahja Pasha”, “Rrugës për në Eldorado” dhe “Rrëfimet e një mbreti” (monodrama), dëshmojnë për një autor që nuk e sheh teatrin vetëm si formë letrare, por si mundësi për ta vënë njeriun përballë vetvetes, historisë, pushtetit dhe absurdit të jetës.


Veprat e tij dramatike kanë kaluar edhe përtej hapësirës shqiptare. “Kjo është lufta ime” u prezantua në festivalin ndërkombëtar në Paris, ndërsa “Labirinthet e kujtesës” u vlerësua në festivalin nrërkombëtar “Vojdan Cernodrinski” në Prilep me çmimin për tekstin më të mirë të festivalit. Dramat e tij janë botuar në bullgarisht, maqedonisht dhe anglisht, ndërsa “Rrugës për në Eldorado” është vënë në skenë në Zürich, në Kosovë dhe në disa qendra teatrore të Maqedonisë së Veriut.


Në vitet e fundit, Halimi, krahas krijimtarisë është fokusuar edhe në publicistikën kulturore, ku shqetësimet për identitetin, politikat kulturore, institucionet, gjuhën dhe kujtesën historike marrin një trajtim të drejtpërdrejtë. “Identiteti kulturor, politikat kulturore, kultura institucionale” (2023) dhe “Kur flet “historia” serbe” (2026) janë pjesë e këtij angazhimi. Edhe gazetaria, edhe publicistika, edhe letërsia, tek ai duket se burojnë nga e njëjta nevojë: të mos e lërë kohën të kalojë pa u pyetur.


Në këtë vazhdimësi krijimtarie, libri “Zëra në kohën e harresës” – Intervista me ndërgjegjen kulturore vjen si një përmasë tjetër e këtij rrugëtimi. 

Këtë herë, Halimi nuk është vetëm ai që shkruan, rrëfen, interpreton apo polemizon, por edhe ai që u jep hapësirë të tjerëve të flasin. Intervistat e mbledhura nga puna e tij në HEJZA janë biseda me njerëz të kulturës, por edhe përpjekje për të ruajtur mendimin, përvojën dhe dëshminë e tyre nga harresa.


Ndoshta pikërisht këtu krijimtaria e tij gjen një tjetër kuptim: fjala nuk është vetëm mënyra për të shprehur atë që mendon, por edhe për të mos lejuar që mendimi i të tjerëve të humbasë.


Titulli i librit tuaj, "Zëra në kohën e harresës“, mbart një shqetësim të fortë për fatin e kujtesës dhe të kulturës shqiptare. Pse zgjodhët pikërisht këtë titull? Çfarë po harrojmë si shoqëri dhe cilët janë zërat që nuk duhet të humbasin?


Titulli nuk lindi si një formulim letrar, por si një shqetësim që e bart prej kohësh. Që në fillimet e mia në gazetari, në rubrikën e kulturës së gazetës studentore „Bota e Re“, merresha me çështje që lidheshin me pozitën, zhvillimin dhe fatin e kulturës shqiptare. Ishte një kohë e rëndë, kur intelektualët shqiptarë, me Rugovën e Qosjen, Aganin e Demaçin në krye, përpiqeshin ta mbanin gjallë dhe ta shtynin përpara mendimin e proceset kulturore, ndërsa përballë kishin aparatin okupator serb, i cili synonte ta ngulfaste çdo shprehje të identitetit dhe kulturës shqiptare. Në atë kohë, zëri kulturor ishte edhe akt qëndrese.


Sot nuk kemi atë shtypje të drejtpërdrejtë, nuk kemi një polici okupatore që na ndalon të krijojmë, të botojmë, të flasim e të veprojmë. Por, paradoksalisht, duket se na mungon një forcë tjetër, po aq e rëndësishme: forca intelektuale për t’i shtyrë proceset kulturore përpara. Nuk e di nëse nuk dimë, nëse nuk kemi fuqi, apo nëse jemi mësuar të presim që dikush tjetër të bëjë atë që na takon neve. Kultura nuk mund të ecë vetëm me institucionet, as me deklarata, as me aktivitete që përfundojnë sapo mbyllet salla. Ajo ka nevojë për njerëz që mendojnë, që kundërshtojnë, që krijojnë, që ndërtojnë vazhdimësi dhe që nuk pajtohen me gjendjen ekzistuese.


Prandaj, titulli "Zëra në kohën e harresës“ është edhe një lloj alarmi, por jo alarm për të kaluarën. Është alarm për të tashmen. Me „zëra“ kam parasysh njerëzit që kanë diçka për të dëshmuar, për të thënë, për të ndarë me të tjerët. Janë krijues, studiues, intelektualë, artistë dhe njerëz që përmes punës e përvojës së tyre e pasurojnë botën tonë kulturore. Duke i mbledhur disa nga intervistat e botuara në HEJZA, dëshiroja që ato të mos mbeteshin vetëm pjesë e një cikli botimesh periodike, por të fitonin një jetë tjetër, më të qëndrueshme, të bëheshin pjesë e kujtesës sonë kulturore.


Nuk besoj se harresa është gjithmonë pasojë e kohës. Jo rallë na del edhe si pasojë e indiferencës sonë, e mungesës së kujdesit për kulturën, për njerëzit dhe për atë që ata lënë pas. Nëse këta zëra arrijnë ta zgjojnë sadopak lexuesin, ta bëjnë të ndalet, të mendojë dhe të rikthehet te ndonjë vlerë që e ka lënë pas dore, atëherë libri e ka përmbushur një pjesë të misionit të vet.



Libri përmbledh intervista me personalitete të rëndësishme të letërsisë, gjuhësisë, kritikës, teatrit dhe arteve. Si lindi ideja për t’i mbledhur këto biseda në një botim të vetëm dhe mbi çfarë kriteresh u bë përzgjedhja e tyre?


Ideja për ta bërë këtë përmbledhje lindi nga bindja se intervistat, pasi botohen, nuk duhet ta përfundojnë jetën e tyre në arkivin e një gazete. Revista elektronike per letërsi, art dhe kulturë, HEJZA, gjatë viteve, ka zhvilluar biseda me personalitete të fushave të ndryshme të kulturës, letërsisë, gjuhës, teatrit, kritikës dhe arteve, dhe shumë prej tyre, për nga përmbajtja, shkonin përtej një interviste të zakonshme publicistike. Ato ruanin përvoja, pikëpamje, dëshmi, qëndrime dhe ide që meritonin të rilexoheshin edhe pas një kohe. Mendova se do të ishte mirë t’i nxirrnim nga përkohëshmëria e publikimit periodik dhe t’i vendosnim në një hapësirë ku lexuesi mund t’u rikthehej.


Ky botim mori formë konkrete edhe falë interesimit të drejtueses së palodhshme të ALBAS-it, zonjës Rita Petro, së cilës i jam mirënjohës për vëmendjen dhe përkrahjen ndaj këtij projekti. Përmbledhja iu dorëzua botuesit më herët dhe, që nga ajo kohë, ideja u bë një projekt i realizueshëm, i cili tashmë ka marrë formën e librit. 


Përzgjedhja nuk u bë mbi bazën e një renditje vlerash apo të një hierarkie emrash. Më interesonte që në libër të përfaqësoheshin fusha, përvoja dhe këndvështrime të ndryshme, por mbi të gjitha intervista që kishin substancë, që hapnin diskutime, që nxirrnin në pah një mendim, një përvojë krijuese apo një qëndrim ndaj kulturës dhe kohës në të cilën jetojmë. Nuk më interesonte vetëm çfarë kishte bërë i intervistuari, por edhe çfarë kishte për të thënë, si e shihte botën e vet dhe çfarë mund t’i ofronte lexuesit përmes një bisede.


Natyrisht, siç thamë më sipër, ky vëllim nuk i përfshin të gjitha intervistat e botuara në HEJZA. Dhjetëra biseda të tjera, po aq interesante dhe me njerëz që kanë shumëçka për të dëshmuar, kanë mbetur jashtë këtij botimi. Kjo nuk do të thotë se janë më pak të rëndësishme. Kufijtë e një libri, nganjëherë, janë edhe kufij të projektit, jo të vlerës së materialit. Madje, kjo më bën të mendoj se „Zëra në kohën e harresës“ mund të mos jetë një projekt i mbyllur, por një rrugë që mund të vazhdojë edhe me vëllime të tjera, nëse krijohen kushtet dhe mundësitë.



Gjatë leximit të intervistave vihet re se, megjithëse bashkëbiseduesit vijnë nga fusha të ndryshme, shumë prej tyre ndajnë shqetësime të përbashkëta për identitetin kulturor, gjuhën shqipe, mungesën e kritikës dhe raportin e shoqërisë me artin. Cili është mendimi apo shqetësimi që ju është përsëritur më shumë gjatë këtyre bisedave?


Secili prej bashkëbiseduesve kulturën e sheh nga nga përvoja, profesioni dhe këndvështrimi i vet. Megjithatë, në shumë prej këtyre bisedave më është përsëritur, në forma të ndryshme, një ndjenjë e pakënaqësisë me mënyrën se si shoqëria jonë e trajton kulturën. Sikur kultura të jetë diçka që na duhet për raste të caktuara, për ceremoni, për përvjetorë, për fotografi institucionale, por jo një nevojë e përditshme, jo një forcë që ndikon në mënyrën si mendojmë, si sillemi dhe si e ndërtojmë jetën shoqërore.


Më ka shqetësuar veçanërisht fakti se shumë njerëz të kulturës kanë çfarë të thonë, kanë vepra, përvoja e ide, por jo gjithmonë gjejnë hapësirën dhe vëmendjen që meritojnë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën e kritikës, e cila është një problem më vete, por për mungesën e një komunikimi të mirëfilltë kulturor. Ne botojmë librat, i organizojmë aktivitetet, i zhvillojmë manifestimet, por nuk arrijmë ta ndërtojmë atë vazhdimësi që do ta bënte kulturën pjesë të jetës sonë, e jo vetëm pjesë të kalendarit.


Mendoj se shqetësimi më i përbashkët që del nga këto intervista është pikërisht kjo: kultura ka nevojë për më shumë se krijues. Ajo ka nevojë për shoqëri që e lexon, e diskuton, e kritikon, e mbron dhe e çon përpara. Një vepër nuk e përmbush tërësisht misionin e saj vetëm pse është krijuar, ajo duhet të takohet me lexuesin, me publikun, me mendimin kritik, të bëhet pjesë e jetës dhe të ndikojë në të.


Ndoshta, në fund të fundit, shumë nga këto biseda më kanë kthyer te një pyetje që e kam shtruar edhe në shkrimet e mia: a e konsiderojmë kulturën vërtet si nevojë, apo ende si diçka që mund të bëjmë pa të? Sepse, nëse kultura nuk bëhet nevojë shoqërore, ajo mbetet gjithmonë në mëshirën e vullnetit të individëve, të projekteve të rastit dhe të institucioneve që jo rrallë e kanë më të lehtë ta administrojnë sesa ta zhvillojnë.



Në ciklin “Gjuha si atdhe”, ju vendosni në qendër gjuhën, etikën dhe përgjegjësinë e intelektualit. Duke pasur parasysh edhe zhvillimet në arsimin shqiptar, sa mendoni se po arrijmë t’ua përcjellim brezave të rinj dashurinë për gjuhën, letërsinë dhe trashëgiminë tone kulturore? Çfarë përgjegjësie kanë shkolla dhe mësuesit në këtë drejtim?


Kjo është një çështje që më shqetëson shumë, sidomos për faktin se vij nga një hapësirë shqiptare (Shkupi) ku gjuha shqipe, në vend që të kultivohet si vlera jonë më e qenësishme kulturore, juridikisht diskriminohet, refuzohet, përçmohet, nuk mësohet si duhet dhe, fatkeqësisht, nuk studiohet sa duhet as nga vetë pjesëtarët e komunitetit që e kanë gjuhë të tyre. Këtu kemi një paradoks të hidhur: flasim për gjuhën si simbol identiteti, ndërsa në praktikë nuk bëjmë sa duhet për ta njohur, për ta zotëruar dhe për ta pasuruar atë. Madje, me gjuhën shqipe më shumë bëhet politikë sesa kulturë. Ajo përdoret për të krijuar parulla, për të mobilizuar elektorate, për të prodhuar deklarata patriotike, por shumë më pak për të nxitur leximin, dijen, kulturimin dhe mendimin.


Më shqetëson fakti se brezat e rinj, në shumë raste, dinë më shumë për politikanët e ditës, për figurat që shfaqen vazhdimisht nëpër studio televizive e rrjete sociale, sesa për Konicën e Fishtën, Nolin e Hasan Prishtinën. Unë këtu nuk po i fajësoj të rinjtë tanë. Përkundrazi, duhet të pyesim veten se çfarë u ofrojmë atyre, çfarë u mësojmë, çfarë modelesh u paraqesim dhe çfarë kulture ua bëjmë të qasshme. Nëse një i ri njeh përmendësh emrat e politikanëve, por nuk ka lexuar asgjë nga Jeronim de Rada, apo nga veprat e autorëve tanë të mëdhenj, kjo nuk është vetëm çështje e interesimit të tij. Është edhe dështim i mjedisit arsimor e kulturor që e rrethon.


Shkolla dhe mësuesi kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme, por nuk do të ishte e drejtë t’ua ngarkonim vetëm atyre tërë barrën. Mësuesi duhet ta bëjë gjuhën të dashur për nxënësin, t’ia zbulojë bukurinë e letërsisë, ta nxisë leximin, t’i mësojë të mendojë e të shprehet, jo vetëm të memorizojë rregulla për të marrë një notë. Por shkolla nuk mund të bëjë mrekulli nëse jashtë saj gjuha nuk respektohet, libri nuk lexohet, institucionet nuk krijojnë mjedis kulturor dhe politika e trajton gjuhën kryesisht si pronë të retorikës së vet.


Dashuria për gjuhën nuk përcillet me urdhër, me ligj, me flamuj apo me deklarata. Ajo kultivohet. Fëmija duhet ta ndiejë se gjuha e tij është një pasuri, se nëpërmjet saj mund të bëhet më i ditur, më i lirë, më i aftë të komunikojë e të kuptojë botën. Duhet t’ia krijojmë mundësinë që të lexojë letërsi të mirë, të njihet me trashëgiminë kulturore, të takohet me autorët, të dëgjojë njerëz që flasin bukur dhe me përgjegjësi. Kemi rreth 500 mij nxënës shqiptarë nëpër shkolla në viset tona etnike, ndërsa tirazhi i një libri, qofte edhe për fëmijë nuk kalon 500 copë!


Nëse duam që brezat e rinj ta duan gjuhën shqipe, duhet të ndalemi së përdoruri atë vetëm për të dëshmuar se kush jemi dhe të fillojmë ta përdorim për të dëshmuar se çfarë dimë, çfarë krijojmë dhe çfarë jemi në gjendje të bëhemi. Sepse gjuhën nuk e rrezikon vetëm ai që e sulmon nga jashtë. E rrezikon edhe ai që e ka të vetën, por nuk e mëson, nuk e lexon, nuk e pasuron dhe nuk e përdor me dinjitet. Mjerisht, me gjasë kështu ka qenë edhe më herët! Prandaj shpërthen mallkimi fishtian: “Pra, mallkue njai bir Shqyptari… qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja /  flet e t’veten e lèn mbas dore”!



Në intervistat tuaja shfaqet shpesh ideja se intelektuali nuk duhet të heshtë përballë problemeve të shoqërisë. A mendoni se sot intelektuali shqiptar e ka humbur disi rolin e tij në debatin publik? Çfarë e ka zbehur zërin e tij?


Nuk mendoj se intelektualët shqiptarë kanë humbur zërin, as se u mungon guximi intelektual për t’u marrë me problemet e shoqërisë. Ata janë aty. Dija, përvoja, shqetësimi dhe gatishmëria për të folur nuk kanë munguar. Madje, në shumë raste, intelektualët kanë më shumë çfarë të thonë sesa hapësirë ku mund ta thonë. Jasnë të gatshëm për debate para çfarëdo auditorium! Problemi, sipas meje, qëndron te mënyra se si është transformuar hapësira publike, veçanërisht ajo mediale. Sot, mediat sikur kanë më shumë interes për mendimin që prodhon konflikt sesa për mendimin që prodhon dije. Hapësira televizive dhe mediale gjithnjë e më shumë u jep përparësi përplasjeve, polemikave, zhurmës, garës se kush do ta akuzojë më fort tjetrin, kush do të duket më atraktiv, kush do ta dominojë debatin. Nuk është e rëndësishme gjithmonë se çfarë po thua, por si po e thua, sa zhurmë krijon dhe sa audiencë arrin të mbledhësh. Në këtë logjikë, një intelektual që analizon, që argumenton, që përpiqet të shpjegojë një dukuri dhe të ofrojë një këndvështrim më të thellë, mjerisht nuk është aq interesant për mediat sa dikush që bërtet, akuzon apo e shndërron debatin në spektakël.


Kjo është fatkeqësi, sepse shoqëria nuk ka nevojë vetëm të informohet se kush me kë është përplasur, kush kë ka gënjyer dhe kush doli fitues i një debati televiziv. Ajo ka nevojë të kuptojë pse ndodhin gjërat, çfarë pasojash kanë, ku po shkojmë dhe si mund të dalim nga gjendjet që na mbajnë peng. Këto janë çështje që kërkojnë mendim, dije, përvojë dhe përgjegjësi, jo vetëm protagonizëm medial.


Nuk do ta përjashtoja as përgjegjësinë e vetë intelektualëve. Edhe ata duhet të gjejnë forma të reja komunikimi, të mos presin gjithmonë ftesën nga një studio televizive, të krijojnë hapësirat e tyre, të shkruajnë, të debatojnë, të organizohen dhe të mos tërhiqen nga publiku, apo, të fragmentarizohen e të klanizohen pa kurrfarë nevoje. 


Më shqetëson fakti se po krijohet një publik që ushqehet më shumë me spektaklin e konfliktit sesa me përmbajtjen e mendimit. Intelektualit nuk i është shuar zëri. Por, nëse vazhdojmë t’i mbyllim hapësirat ku ai mund të dëgjohet dhe t’i hapim gjithnjë e më shumë ato ku zhurma bëhet kriter i vëmendjes, rrezikojmë të mos e dëgjojmë më, edhe kur ai ka gjëra jetike për të na thënë.



Një nga temat që përshkon librin është raporti mes traditës dhe modernitetit. Si mund ta ruajmë identitetin tonë kulturor në një kohë kur brezat e rinj ndikohen gjithnjë e më shumë nga kultura globale dhe komunikimi digjital, pa e kthyer traditën në nostalgji?


Nantyrisht identiteti kulturor nuk mund të ruhet duke u mbyllur ndaj botës, as duke u kapur pas së kaluarës sikur gjithçka që kemi trashëguar të jetë e paprekshme. Tradita nuk është një barrikadë kundër modernitetit. Ajo është një pikë mbështetjeje, një burim prej të cilit mund të marrim vlera, përvoja, dije dhe vetëdije, për të vazhduar më tutje. Kultura nuk është muze i përhershëm i vetvetes. Nëse e kthejmë traditën në një objekt që vetëm e ekspozojmë, e lavdërojmë dhe e ruajmë nga çdo ndryshim, atëherë rrezikojmë ta shndërrojmë në kujtesë pa të ardhme.


Brezi i ri jeton në një botë tjetër nga ajo në të cilën jemi rritur ne. Komunikimi digjital, qasja e pakufizuar në informacion, ndikimet kulturore globale, mënyrat e reja të të shprehurit dhe të krijuarit janë pjesë e jetës së tyre. Nuk mund t’u kërkojmë të jetojnë me mendësinë tonë, por mund dhe duhet t’u ndihmojmë që, në këtë hapje ndaj botës, të mos humbasin aftësinë për ta njohur dhe vlerësuar kulturën nga e cila vijnë. Identiteti nuk ndërtohet duke refuzuar të tjerët, por duke e njohur veten. Sa më mirë ta njohësh gjuhën, letërsinë, historinë dhe kulturën tënde, aq më i përgatitur je të komunikosh me kulturat e tjera pa u ndier inferior dhe pa pasur nevojë të kopjosh dikë.


Problemi ynë, ndonjëherë, është se traditën e trajtojmë më shumë si krenari deklarative sesa si dije. Flasim për trashëgiminë, por nuk e studiojmë sa duhet. E përmendim të kaluarën, por nuk e interpretojmë! I nderojmë figurat tona, por nuk i lexojmë veprat e tyre. Trashëgimia kulturore nuk mund të mbijetojë vetëm përmes ceremonive dhe përvjetorëve. Ajo duhet të jetë e pranishme në arsim, në krijimtari, në botime, në teatër, në art, në komunikimin publik dhe në jetën e përditshme.


Unë jam për ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë, për studimin dhe interpretimin e saj, por jo për kthimin e kulturës në dekor, qoftë dekor kombëtar, qoftë dekor turistik. Kultura duhet të prodhojë edhe të renë. Duhet t’u japim hapësirë krijuesve të sotëm që të mos ndihen të detyruar ta përsërisin të kaluarën, por të krijojnë vepra që nesër do të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë.


Identiteti kulturor nuk ruhet duke e ndalur kohën. Ai ruhet duke ecur me kohën, pa harruar se nga kemi nisur. Për mua, kjo është mënyra më e shëndetshme për ta mbajtur traditën gjallë: jo ta adhurojmë nga larg, por ta njohim, ta vëmë në dialog me të tashmen dhe të krijojmë mbi të.



Ju vetë keni një rrugëtim të gjatë si gazetar, poet, tregimtar dhe dramaturg. Sa ka ndikuar përvoja juaj si krijues në mënyrën se si i keni ndërtuar këto intervista? A ka pasur ndonjë bisedë që ju ka bërë të rishikoni një bindje tuajën apo të shihni ndryshe një çështje kulturore?


Përvoja ime si krijues e publicist, ka ndikuar shumë në mënyrën se si i kam ndërtuar intervistat. Ndoshta, pikërisht për shkak se edhe vetë merrem me krijimtari, nuk më ka interesuar ta trajtoj bashkëbiseduesin vetëm si një emër, si bartës të një titulli profesional apo si dikë që duhet të më japë përgjigje të shkurtra për t’i plotësuar një faqe gazete. Më ka interesuar të hyj në botën e tij, në mënyrën si mendon, si e sheh artin, çfarë e shqetëson, çfarë e ka formuar dhe çfarë ka mbetur nga përvoja e tij krijuese.


Një përvojë që ka ndikuar shumë në këtë drejtim është një ndër intervistat e mia të para që, në vitin 1988, pata zhvilluar me Teki Dervishin, një nga figurat më të mëdha të letrave tona, për gazetën studentore „Bota e Re“. Ajo bisedë kishte dalë mjaft eseistike, më shumë se një intervistë e zakonshme gazetareske. Mbase pikërisht aty, pa e kuptuar në atë kohë, filloi të formësohej një bindje që më ka përcjellë gjatë gjithë punës sime: kur interviston një njeri të kulturës, duhet ta kulturosh edhe vetë intervistën.


Nuk është e vështirë të zhvillosh një intervistë të lehtë me një shkrimtar, artist, aktor apo studiues. Mund ta pyesësh çfarë ha, çfarë vesh, ku del, si e kalon kohën, çfarë i pëlqen, si e organizon jetën, çfarë po përgatit aktualisht. Nuk kam asgjë kundër intervistave të tilla të lehta, sepse edhe ato kanë vendin e tyre, sidomos në hapësirat mediale që merren me argëtim dhe zbavitje. Por, kur një medium ia kushton hapësirën kulturës, kur intervista është pjesë e një faqe apo emisioni kulturor, mendoj se duhet ta respektojë në maksimum këtë hapësirë. Nuk mund ta trajtojmë kulturën si argëtim të lehtë vetëm pse është më e lehtë të prodhohet një përmbajtje e tillë.


Për mua, intervista me një personalitet të kulturës është një formë komunikimi që kërkon përgatitje, njohje të veprës, ndjeshmëri dhe, mbi të gjitha, respekt për atë që ke përballë. Përpiqem që pyetjet të mos e çojnë bashkëbiseduesin drejt përgjigjeve të pritshme, por t’i krijojnë mundësinë të shpalosë diçka që ndoshta nuk e ka thënë më parë, të shprehë një mendim që e ka mbajtur gjatë, të zbulojë një përvojë apo të shtrojë një shqetësim që meriton të dëgjohet.


Nuk mund të them se çdo intervistë më ka bërë ta ndryshoj një bindje timen. Por, shumë prej tyre më kanë bërë të shoh më qartë, të thelloj një mendim, të kuptoj se një çështje që e kam konsideruar të njohur ka edhe dimensione të tjera. Kjo është, në fund të fundit, edhe arsyeja pse i zhvilloj këto biseda: jo vetëm që të marrë përgjigje nga bashkëbiseduesi, por edhe unë të mësoj prej tij. Nëse intervista nuk të lë asnjë gjurmë, nëse nuk të shtyn të mendosh më tej, atëherë mbase nuk ke hyrë sa duhet në të.



Keni lindur në Preshevë, jeni formuar në Shkup dhe Prishtinë dhe keni ndërtuar një veprimtari që shtrihet në hapësirën e gjerë shqiptare. Si e ka formësuar kjo përvojë personale dhe kulturore pikëpamjen tuaj për letërsinë dhe identitetin shqiptar përtej kufijve shtetërorë?


Të lindësh në Preshevë, të formohesh në Shkup e Prishtinë dhe pastaj veprimtarinë tënde ta shtrish në hapësirën më të gjerë shqiptare, do të thotë të mos e përjetosh kulturën shqiptare si një realitet të kufizuar brenda një territori të caktuar. Unë nuk i kam përjetuar këto hapësira si botë të ndara, por, besoj si gjithë shqiptarët, si pjesë të një tërësie kulturore, me specifikat, përvojat, historitë dhe zhvillimet e veta. Kjo më ka ndikuar edhe në mënyrën se si e shoh letërsinë, krijimtarinë dhe identitetin shqiptar.


Letërsia, për mua, nuk ka kufij shtetërorë. Një vepër letrare nuk bëhet më e rëndësishme apo më pak e rëndësishme varësisht se ku është krijuar, ku është botuar apo cilit shtet i përket autori. Ajo i përket gjuhës, përvojës njerëzore dhe kulturës që e krijon. Prandaj, më duket e padrejtë dhe kulturore e varfër çdo përpjekje që krijuesit shqiptarë t’i ndajmë në kategori territoriale, sikur të ishin pjesë të kulturave të ndryshme, e jo të një hapësire të përbashkët kulturore.


Kam qenë gjithmonë i mendimit se shqiptarët kanë nevojë për më shumë komunikim kulturor mes tyre. Jo për ta centralizuar kulturën, jo për ta vendosur dikë në qendër e të tjerët në periferi, por për ta bërë të mundur qarkullimin e veprave, ideve, krijuesve dhe përvojave. Një shkrimtar nga Shkupi duhet të lexohet në Prishtinë e Tiranë, ashtu si një krijues nga Tirana duhet të jetë i pranishëm në Shkup, Preshevë e kudo ku jetojnë shqiptarët. Kjo nuk duhet të ndodhë si favor, si marrëveshje institucionale apo si pjesë e ndonjë protokolli, por si një nevojë normale e jetës kulturore.


Ndonjëherë kemi përshtypjen se jemi bashkë vetëm kur na duhet të dëshmojmë se jemi bashkë. Në kulturë, ndërkaq, kjo dëshmi duhet të jetë e përditshme. Duhet të shihet në librat që lexojmë, në revistat që botojmë, në teatrot që ndjekim, në debatet që zhvillojmë, në njohjen e krijuesve dhe në mënyrën se si i trajtojmë vlerat tona kulturore. Bashkimi kulturor nuk është një parullë, por një praktikë komunikimi dhe njohjeje të ndërsjellë.


Përvoja ime në këto hapësira më ka bindur se kultura shqiptare është shumë më e gjerë sesa kufijtë që e ndajnë administrativisht. Ne nuk kemi nevojë ta bashkojmë gjuhën, sepse ajo është bashkë. Kemi nevojë të bashkojmë komunikimin, mundësitë, vëmendjen dhe përgjegjësinë tonë ndaj kulturës. Dhe kjo, sipas meje, është një nga detyrat më të rëndësishme që kemi si krijues, publicistë, botues dhe njerëz të kulturës.



Në këtë etapë të jetës, pas disa dekadash krijimtarie dhe angazhimi në gazetari e kulturë, çfarë ju motivon të vazhdoni të shkruani, të hulumtoni dhe të mbani gjallë debatin kulturor? A ka ndryshuar me kalimin e viteve mënyra se si e shihni misionin e shkrimtarit?


Para së gjithash, dua t’ju falënderoj për këtë bisedë dhe për mënyrën si e keni ndërtuar intervistën. Më pëlqen kur gazetari nuk ndalet te të dhënat biografike apo te një përmbledhje e veprimtarisë, por përpiqet të hyjë në shqetësimet që e kanë mbajtur krijuesin në lëvizje gjatë gjithë rrugëtimit të tij. E ndiej se në këtë intervistë ka pasur një përpjekje të tillë për ta kuptuar jo vetëm atë që kam shkruar, por edhe arsyen pse kam shkruar. Nuk besoj se njeriu vazhdon të shkruajë vetëm sepse ka diçka për të thënë. Me kalimin e viteve, shkrimi bëhet edhe një mënyrë për të mos u pajtuar me atë që ndodh rreth teje, për të mos e pranuar heshtjen si zgjidhje dhe për të mos e lënë mendimin të pluhuroset. Mua më motivon ende e njëjta ndjenjë që më ka përcjellë nëpër shumë etapa të jetës: nevoja për të reaguar, për të pyetur, për të kuptuar dhe, kur është e nevojshme, për të kundërshtuar.


Nuk mund të them se misioni i shkrimtarit ka ndryshuar rrënjësisht. Ndoshta ka ndryshuar mënyra se si e kuptoj atë. Në fillimet e mia, më shumë besoja se shkrimi mund të ndërhynte drejtpërdrejt në jetën shoqërore, se fjala mund të ndryshonte gjëra, të hapte rrugë, të ndikonte në mendje dhe në qëndrime. Sot jam më i vetëdijshëm për kufijtë e saj, por kjo nuk më ka bërë më pak këmbëngulës. Përkundrazi, më ka bërë të kuptoj se fjala nuk e humb vlerën edhe kur nuk sjell ndryshim të menjëhershëm.


Më shqetëson fakti se shumë gjëra që i kemi diskutuar, kritikuar dhe paralajmëruar ndër vite, vazhdojnë të përsëriten. Ndonjëherë duket sikur shoqëria ecën përpara në teknologji, por mbetet prapa në mendim, në kulturë dhe në përgjegjësi. Kjo, në njëfarë mënyre, të mban të zgjuar dhe të shtyn të mos heqësh dorë.


Nuk shkruaj për të dëshmuar se jam ende këtu, as për ta mbajtur emrin tim në qarkullim. Shkruaj sepse ende më shqetësojnë gjërat, sepse ende shoh probleme që nuk duhen lënë pa u trajtuar, sepse ende besoj se kultura, mendimi dhe fjala kanë nevojë për njerëz që nuk dorëzohen lehtë. Për sa kohë që kam diçka për të thënë dhe diçka që më shqetëson, nuk e shoh shkrimin si një veprimtari që mund ta ndërpresësh me vendim. Ai është bërë pjesë e mënyrës sime të të jetuarit.



Nëse ky libër do të lexohej pas 20 apo 30 vitesh nga një brez i ri shqiptarësh, çfarë do të dëshironit të zbulonin ata në të? Çfarë do të donit të mbetej si dëshmi e kohës sonë?


Nëse ky libër do të lexohej pas njëzet apo tridhjetë vitesh, do të dëshiroja që lexuesit e asaj kohe të mos gjenin vetëm emra njerëzish të kulturës, mendime apo intervista, por edhe një pjesë të shpirtit të kohës në të cilën jetuam. Të kuptonin se çfarë na shqetësonte, për çfarë diskutonim, çfarë mbronim, ku kishim dilema dhe çfarë shpresash ushqenim.


Do të dëshiroja të zbulonin se, pavarësisht vështirësive, indiferencës, mungesës së hapësirave dhe shumë problemeve që na përcillnin, kishte njerëz që nuk e kishin braktisur kulturën, që mendonin, krijonin, hulumtonin, debatonin dhe përpiqeshin të mos e linin jetën kulturore të rrëshqiste në harresë. Ndoshta disa prej shqetësimeve tona do t’u duken të kapërcyera, disa të tjera do t’i gjejnë ende të pranishme. Kjo do të ishte edhe një mënyrë për ta matur kohën tonë.


Nuk do të doja që libri të lexohej si një monument i së kaluarës, por si një bisedë që vazhdon edhe pasi bashkëbiseduesit nuk janë më aty. Intervista, në fund të fundit, e ka këtë mundësi: ta ruajë njeriun jo vetëm përmes asaj që ka bërë, por edhe përmes asaj që ka menduar, besuar, kundërshtuar dhe ëndërruar.


Nëse pas disa dekadash dikush i hap këto faqe dhe gjen në to një arsye për të kërkuar më shumë, për të lexuar autorët tanë, për të njohur kulturën e vet, për të kuptuar më mirë kohën e prindërve apo gjyshërve të tij, atëherë do të jem i lumtur. Sepse nuk do të ketë mbetur vetëm një libër. Do të ketë mbetur një dëshmi se në kohën tonë kishte zëra që meritonin të dëgjoheshin dhe se ne, të paktën, u përpoqëm të mos i linim të humbnin.

19 Lexime
29 minuta më parë