RECENSION "AVENTURAT MAGJIKE"

Blerta Perolli-Shehu: Recenzioni i librave mbi Aventurat Magjike të fëmijëve ishte më shumë kënaqësi, sesa detyrë.

"Pashë një përmbledhje shumë të strukturuar pedagogjike të aktiviteteve më të rëndësishme, të gjitha të ndërthurura me lojë dhe argëtim, ndaj edhe ndjeva kënaqësi kur mora këta libra në dorë..."

"Mua më mbetet të përgëzoj sinqerisht autoret për mundin dhe punën cilësore dhe sigurisht, gjigantin “Albas” që nuk na zhgënjen kurrë. Falemnderit që më keni bërë pjesë të kësaj pune. Uroj që fëmijët ta shijojnë dhe të arrihet efekti i pritur në zhvillim dhe të nxënë"- Blerta Perolli-Shehu


Më 8 qershor 2019, në Panairin e Librit në Prishtinë, u promovua seria e librave “Pushimet magjike”, për nxënësit nga klasa e parë në të pestën, me autore Alida Thaçin, Arbërie Nagavcin dhe Krenare Lleshin. 


Recensentja e kësaj serie, Blerta Perolli-Shehu, e cila është profesoreshë në Fakultetin e Edukimit, i ka cilësuar librat shumë relaksues e argëtues për fëmijët. Në recensimin e saj, ajo ka cekur se aktivitetet e përfshira në këta libra zhvillojnë aspektin fizik e motorik, aspektin social e emocional, mendimin imagjinativ, kritik e kreativ të nxënësve. 


Më poshtë mund të lexoni recensimin e plotë të profesoreshës Blerta Perolli-Shehu:

Recenzioni i librave mbi Aventurat Magjike të fëmijëve ishte më shumë kënaqësi, sesa detyrë. Si psikologe fëmijësh dhe mësimdhënëse në Fakultetin e Edukimit, gjithnjë kam qenë idhtare e lojës dhe aktiviteteve argëtuese, dhe kritikuese e ashpër e stërngarkimit të fëmijëve qoftë në shkollë apo jashtë saj. Ndaj edhe kam avokuar gjithnjë fuqishëm se zhvillimi më i mirë dhe më i plotë i fëmijës bëhet përmes lojës.


Ndaj edhe ndjeva kënaqësi kur mora këta libra në dorë… Meqë pashë se nuk ishin edhe pesë libra të rinj shkollorë që u shtohen bibliotekave tona, por janë pesë libra që nxisin pikërisht atë që është e nevojshme, si për zhvillimin e fëmijëve, ashtu edhe për të nxënit e tyre. 


Duke filluar nga aspektet zhvillimore, në libra pashë shpërndarje të aktiviteteve që zhvillojnë fëmijën në aspekt fizik e motorik (si ora e gjimnastikës, aktivitetet e punëdores), të tilla që nxisin zhvillimin emocional e social (njohjen e vetes e tjetrit, bashkëveprimin), e deri tek ato që zhvillojnë aspektet mendore, si mendimin imagjinativ,  kritik e kreativ.


Pashë një përmbledhje shumë të strukturuar pedagogjike të aktiviteteve më të rëndësishme, të gjitha të ndërthurura me lojë dhe argëtim. 


Në tërësi të bazuara në kurrikulë dhe integrim të fushave kurrikulare, librat përqendrohen në zhvillimin e të gjitha kompetencave te fëmijët përmes lojës së drejtuar dhe asaj të lirë. Nuk kam hasë në as edhe një aktivitet të vetëm që në një formë apo tjetër mund të shkaktojë stres te fëmijët, stres që u ngjason ngarkesave e detyrave shkollore. Përkundrazi, kur kalon nëpër magjinë e këtyre librave, fëmijës i ngacmohet kurreshtja, kreativiteti e imagjinata. 


Asnjë nga aktivitetet nuk është thjesht teknik… brenda secilit aktivitet ndërthuren së paku dy fusha kurrikulare, që jo vetëm nxisin njohjen dhe të kuptuarit, por e fuqizojnë edhe analizën, hulumtimin, mendimin kritik, e mbi të gjitha fantazinë e fëmijës. 


Për të spikatur vetëm disa nga aktivitetet që i dallojnë këto libra, përpos aktiviteteve që i fuqizojnë dhe i rrënjëzojnë të gjitha ato që fëmija i mëson gjatë vitit shkollor, librat na sjellin aktivitete që ndërtojnë edukim, mirësjellje e qytetari aktive. Hasim aktivitete që i shtyjnë fëmijët të hulumtojnë e të debatojnë për çështje specifike, si: mbrojtja e mjedisit, universi, mirëqenia e tjetrit, shpikjet revolucionare apo përdorimi i teknologjisë; duke zhvilluar kështu jo vetëm fjalorin e fantazinë, por edhe shkathtësitë e komunikimit, hulumtimit të informacionit e debatimit. 


Pastaj janë aktivitetet që nxisin zhvillimin e shkathtësive të perceptimit e vëzhgimit – shëtitja në natyrë, mbjellja e farës që kërkon përcjellje sistematike gjatë gjithë verës, gjë që jo vetëm zhvillon shkathtësitë observuese, reflektive e analitike të fëmijës, por edhe nxit kurreshtjen e vullnetin për t’u marrë me aktivitete të tjera të ngjashme. 


Eksplorimi i vetes, njohja e dëshirave e nevojave vetanake dhe të të tjerëve, vetëdijësimi për unin personal gjendet në të gjitha librat duke fuqizuar kështu kompetencat personale e sociale të fëmijëve. Krijimtaria qoftë e teksteve të shkurtra, punimeve shkencore e artistike, shkon përtej zhvillimit psiko-motor drejt atij kreativ. Qershia mbi tortë janë të gjitha ato aktivitete që nxisin angazhimin e prindërve dhe bashkëpunimin me prindër për një zhvillim dhe të nxënë përmbajtësor. 


Së fundmi, pa lënë anash gjuhën e përdorur përgjatë librave, ngjyrat, format e ilustrimit tejet tërheqëse dhe edukative, ora e gjimnastikës dhe të mësuarit e gjuhës angleze, aq bukur të inkorporuara përgjatë librave, janë një vlerë e shtuar në këtë pasuri që po u ofrohet fëmijëve. 


Mua më mbetet të përgëzoj sinqerisht autoret për mundin dhe punën cilësore dhe sigurisht, gjigantin “Albas” që nuk na zhgënjen kurrë. Falemnderit që më keni bërë pjesë të kësaj pune. Uroj që fëmijët ta shijojnë dhe të arrihet efekti i pritur në zhvillim dhe të nxënë. 



(Portali Shkollor)

3,056 Lexime
4 vjet më parë