LLOJET E MËSUESIT

Çdo të thotë të jesh një mësues model?

Mësuesit e vërtetë janë mësuesit frymëzues, ata të cilët i kemi si pikë referimi. Por lind pyetja "Sot, a ekziston një i tillë?"

Model do të thotë që të tjerët të udhëhiqen nga shembulli yt.....

Model do të thotë të mbetesh në kujtesën e ish nxënësit tënd...

Model do të thotë të të referohen për atë që ti modelove në formimin e dikujt...


E në fakt, cili është sot mësuesi i vërtetë model? Cili është ai që udhëheq me shembull? Ai që të tjerët i referohen? Në fakt këtë kocept do të doja ta trajtoja në dy këndvështrime:

1. Mësuesi model si frymëzues e pikë referimi;

2. Mësuesi i zgjedhur si modeli i duhur për mësimdhenien dhe edukimin e fëmijës sonë.


Mësuesi model si referim

Dikur e kishim të lehtë të zgjidhnim e t'i referoheshim mësuesit tonë model. I referoheshim atij si bartës i kulturës së gjërë, edukatës brilante dhe përgatitjes së lartë shkencore që zoteronte. Pritnim nga ai jo vetëm të merrnim kulturë e edukatë, por edhe modelimin e tij që për ne që e zgjidhnim ishte perfekt!


Po sot, a ekziston i tilli?

Është e vështirë ta gjesh, jo se mesuesit nuk japin më nga vetja për të qenë të tillë, jo se ato nuk dinë të jenë model, por sot hapësira arsimore në të cilën duhet të vozitë një mesues eshte aq e zgjeruar, sa zor se modelimin e vërtet të një mësuesi model e lexon tek një i vetëm. Do të theksoja fort, se çdo mësues e mësimdhenes në realitetin e sotëm të zgjeruar të mësuesisë, është model sipas mënyrës së tij;

Ka mësues që janë model me sjelljen e tyre;

Ka mësues që janë model me karakterin e tyre;

Ka mësues model në plotësim të dokumentacionit;

Ka edhe mësues që modelin e percjell falë zotërimit korrekt të lëndës.

Pra mësues model ka e madje janë të shumtë, aq sa janë edhe të ndryshëm. Por, e vështirë sot të gjesh një model të vetëm që të mbajë në vete gjithë modelimin mësuesor.


Mendoj se një shumatore modelesh krijon te çdo njeri modelin e vërtet të mësuesit model. Ndoshta kjo është arsyeja që kur përpiqemi të gjejmë emrin nuk ndajmë dot nga njëri tjetri sa e sa emra modelesh mësuesore. Përsa i takon modelit të mësuesit që do zgjidhnim për edukimin e fëmijës sonë mendoj se problemi zgjidhet mes tri modelesh mësuesish që pedagogjia i njeh mirë.


MËSUESI PRIND, MËSUESI KORREKT, MËSUESI I RREPTË, MËSUESI PRIND.


Mësuesi prind

Është e vërtetë se sot kemi mësues që përpiqen të jenë mëse të dashur e të afërt me nxënësit e tyre. Kjo e diktuar nga disa arsye. Shumë prindër sot nuk gjejnë kohë të prindërojnë, madje as fizikisht nuk munden të jenë pranë fëmijës së tyre, e në këtë rast këtë rol ua ngarkojnë mësuesit. Mësuesi është në vendin e vet për të bërë kompetentin. Jo më kot ekziston një thënie e mençur: "Mësuesi, prind i dytë", se vendi i parë, i takon vetë prindit. Duke u sjellë si prind mësuesi e zbeh rolin e tij si mësues dhe vështirëson formimin e sjelljeve të duhura tek nxënësi.


Mësuesi i rreptë

Dikur ishte modeli më i lakmuar për prindin, sepse me rreptësinë e tij të tepruar, ndihmonte prindërit në mirëedukimin e fëmijëve të tyre.


Sot mendoj nuk është i duhuri për referim. Sot ky model është i dalë mode. Dhe ka arsye për këtë. Fëmijët e sotëm nuk janë më të dikurshmit. Ata zotërojnë shumë informacion nga burime të shumta dhe nuk u mjafton ai që u jep mësuesi i tyre i rreptë.


Janë më të lirë në zhvillimin e tyre, e madje edhe sjellja prindërore ndaj tyre ka ndryshuar tashmë. Jane më të përkëdhelur e më qejfeplotësuar. E thënë në gjuhë popullore "marrin më shumë vesh nga jeta" dhe shume koncepte nuk i dëgjojnë për së pari nga goja e msuesit të rreptë.


Mësohen herët që në familje të dëgjohen e respektohen më shumë, duke theksuar këtu se janë më të zhdërvjellët. Me të gjitha sa permenda nuk ka më aspak shance të pranohet nga nxënësit e sotëm mësuesi i rreptë. Si mësuesi ashtu edhe prindërimi i rreptë sot nuk është efikas. 


Mësuesi korrekt

Ky mendoj se është i duhuri dhe i pranuari, më i përshtatshmi dhe më i sakti për të qenë modeli i sotëm. Korrektesa kurrë nuk të lë në baltë, kurrë nuk ke keq nga ajo. Sa më korrekt, aq me i pëlqyer, e madje dhe më i suksesshëm. Mësuesi duhet të karakterizohet nga një sërë korrektesash në gjithsejin e paraqitjes së tij para nxënësve.

Korrekt në mësimdhënie;

Korrekt në përdorim fjalori;

Korrekt në zbatim metodologjie;

Korrekt në edukim;

Korrekt me modelin e sjelljes me nxënësin;

Korrekt me marrëdhënien që ndërton me nxënës e kolegë;

Po ashtu korrekt edhe në komunikimin me prindërit e nxënësve.


Pra, modeli i një "mësuesi model" sot me duket i shpërndarë nga pak te çdo mësues, i cili përpiqet fort të sfidojë vështirësitë e profesionit, por edhe vështirësitë e kohës, që edukimin e brezit të sotëm e percjell jo vetëm si sfidë të shkollës, por edhe ndikimit e edukimit në familjen e sotme.


E po ashtu shembulli i vërtetë i mësuesit model më duket sa i shpërndarë në shumë modele, po aq i përqëndruar tek një model i vetëm te "mësuesi korrekt", i cili brenda vetes mban vetëm përpjekjen për të dhënë nga vetja vetëm më të mirën për nxënësit përballë tij dhe për shoqërinë.



(Albana Tare; Portali Shkollor)

21/10/2019

5,813 Lexime
4 vjet më parë