ANALIZË

Erlis Çela: Edukimi online në erën e Covid -19; diferencimi digjital dhe sfidat e mësimit në distancë

Pedagogu Erlis Çela ka bërë një analizë të detajuar për mësimdhënien online apo e thënë ndryshe, për eksperiencën e re në arsimin shqiptar gjatë pandemisë COVID-19. Në këtë analizë theksohen problematikat që u hasën dhe sfidat që duhen zgjidhur në të ardhmen në këtë drejtim.

Izolimi për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Coronavirus, krahas panikut dhe krizës ekonomike në mbarë globin, ka nxitur një diskutim mjaft të rëndësishëm mbi edukimin në distancë. Ndonëse hipotezat e përqendruara në idenë se bota nuk do jetë më e njëjta pas krizës së pandemisë, do marrin një kohë të gjatë për t’u studiuar, për momentin është e qartë se arsimi, në të gjitha nivelet, ka ndryshuar në mënyrë dramatike.


Përdorimi i teknologjisë në edukim, është një realitet i prekshëm prej dekadash në mbarë botën. Megjithatë pandemia e shkaktuar nga coronavirus e ktheu atë në një domosdoshmëri për çdo nxënës, student, mësues, madje edhe për prindërit. Të mbërthyer nga frika dhe shpesh nga paniku që shkaktoi virusi i panjohur, pothuajse të gjitha shtetet në Europë dhe mbarë botën, vendosën të mbyllin shkollat dhe universitetet, duke e zhvendosur procesin e mësimdhënies në hapësirën online. Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 i detyroi qeveritë të mbyllin institucionet arsimore duke bërë që në gjithë globin, mbi 1.2 miliardë nxënës të qëndrojnë larg shkollës. Sipas të dhënave të UNESCO që prej datës 25 Mars 2020, më shumë se 150 vende mbyllën institucionet arsimore dhe për rrjedhojë afro 80% e studentëve dhe nxënësve u pamundësuan për të ndjekur procesin arsimor në auditorë.


Efekti i pandemisë mbi arsimin me siguri është i ndryshëm në vende të ndryshme të globit, varësisht një sërë faktorësh që dallojnë vendet nga njëra- tjetra sa i përket zhvillimit, ekonomik, përparimit të teknologjisë dhe elementëve të tjerë që ndërlidhen me to. Situata e pandemisë kapi të papërgatitur shumicën e qeverive, institucioneve arsimore dhe stafeve akademike.


Ndoshta mësimi i parë që bota akademike dhe institucionet që menaxhojnë arsimin, duhet të nxjerrin nga kjo eksperiencë, është përgatitja e strategjive dhe skenarëve për edukimin në distancë. Këto strategji do të na jepnin mundësi që në situata të ngjashme të mund të bënim një kalim më të lehtë nga auditori fizik në klasat online, pa shkaktuar trauma të mëdha tek nxënësit, prindërit apo stafet akademike. Megjithatë përpara se të kalohet në përgatitjen e strategjive për të ardhmen, hapi më i rëndësishëm është analizimi i efekteve që pandemia pati mbi të gjithë palët e përfshira në procesin edukativ. Ka shumë rëndësi që kjo analizë të bëhet e detajuar për të gjitha nivelet e arsimit, duke përfshirë atë para universitar dhe arsimin universitar, si dhe për të gjitha palët e përfshira në këtë proces.


Nëse kthehemi në fillim të muajit mars, do të vëmë re se vendimet e marra për mbylljen e institucioneve arsimore ishin rezultat i panikut apo dhe mosnjohjes së virusit. Qeveritë dhe institucionet e arsimit në mbarë botën, nuk kishin të dhëna të mjaftueshme shkencore mbi efektin e mbylljes se shkollave në përhapjen e virusit. Pavarësisht sfondit të vendimmarrjes për mbylljen e shkollave dhe të dhënave shkencore që mbështesin këtë vendim, nxënësit, studentët, dhe stafet akademike u përballën me sfidën e zhvendosjes nga auditorët fizike drejt mësimdhënies në distancë. Ky kalim i menjëhershëm u shoqërua me problematika të shumta për të gjitha palët, duke bërë që shpesh të vihet në diskutim efektshmëria e mësimdhënies në distancë.


Në rastin e Shqipërisë, mësimdhënia në distancë përbënte një risi të plotë, edhe për faktin se kuadri i brendshëm legjislativ nuk parashikon forma të tilla të mësimdhënies. Ndryshe nga shumë vende të tjera, ku edukimi në distancë është një alternativë e mundshme për nxënësit dhe studentët, në Shqipëri nuk është e mundur ligjërisht të ndjekësh një program studimi online, apo të frekuentosh arsimin parauniversitar në distancë. Përveç disa rasteve sporadike që lidhen me edukimin e fëmijëve që vijnë nga familje të ngujuara, arsimimi në distancë nuk ka pasur një bazë ligjore. Kjo zbrazëti ligjore ka penalizuar edhe shumë qytetarë që kanë ndjekur programe të ngjashme në universitet e huaja, duke mos u njohur diplomat dhe ekuivalentuar kreditet e marra. Kuadri ligjor përbën njërën prej problematikave që duhet të adresohet në të ardhmen. Frika nga pamundësia për të kontrolluar cilësinë dhe funksionimin e sistemit, nuk duhet të na pengojë për të ecur në një hap me vendet e tjera të zhvilluara për të krijuar alternativën e edukimit në distancë.


Ndërkohë që problematika tjetër ka të bëjë me infrastrukturën teknologjike në institucionet e arsimit parauniversitar dhe atij të lartë. Infrastruktura teknologjike nuk lidhet vetëm me përhapjen e linjave të internetit dhe pajisjen e shkollave me laboratorë kompjuterikë. Kur flasim për infrastrukturën teknologjike, duhet të mbajmë parasysh edhe aksesin e qytetarëve në rrjetet e internetit dhe përdorimin i pajisjeve që mundësojnë përfitimin e shërbimeve nga ky rrjet. Në këtë pikë na vjen në ndihmë një tregues i rëndësishëm siç është shkalla e penetrimit të internetit në popullsinë shqiptare.

 

Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në vitin 2018 norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse ishte 50% për familje. Kjo e dhënë tregon se, gjysma e familjeve në Shqipëri nuk ka akses në rrjetin e internetit broadband. Në raportin e vitit 2018 AKEP pranon se normat e penetrimit janë shumë më të ulëta se ne vendet e BE-së dhe të rajonit. Shkalla e penetrimit të internetit broadband tregon edhe një herë se një pjesë e mirë e nxënësve dhe studentëve e kanë thuajse të pamundur edukimin në distancë. Pavarësisht se mungesa e shërbimit të internetit nga rrjetet fikse, mund të kompensohet deri diku përmes rrjeteve celulare, këto të fundit nuk mund të sigurojnë cilësi lidhje optimale për të mundësuar zhvillimin normal të mësimdhënies dhe mësimnxënies në distancë. Ndërkohë që  edhe treguesi i penetrimit për popullsi i përdoruesve aktivë të aksesit broadband nga rrjetet 3G/4G, sipas Institutit të Statistikave nuk i kalon 63%.


Problematika tjetër e edukimit në distancë lidhet me shkallën e njohurive dhe aftësive për përdorimin e teknologjisë nga stafet akademike dhe trupa pedagogjike që shërben në arsimin parauniversitar. E thënë me fjalë të tjera, shumë mësues dhe lektorë në universitet nuk kanë formimin e nevojshëm për përdorimin e teknologjisë në mësimdhënien ne distancë. Gjatë  situatës së pandemisë, mësimdhënia në distancë që u aplikua në një pjesë të konsiderueshme të arsimit parauniversitar publik, kufizohej vetëm me dërgimin e detyrave nga ana e mësuesve tek nxënësit, përmes aplikacioneve të mesazheve të shkurtra si “Ëhatsapp”, “Viber”, apo dhe “Facebook messenger”, etj. Në rastin më të mirë mësuesit mund të regjistronin video të shkurtra ku përmblidhnin temën dhe më pas ia dërgonin ato nxënësve. Në këto kushte, nuk mund të flitet për ndërveprim mes mësuesit dhe nxënësit apo për forma të tjera inovative të angazhimi në edukimin në distancë.


Diferencimi teknologjik dhe hendeku i përdorimit


Edukimi në distancë apo mësimi online, siç u mësuam ta quajmë formën e marrjes së leksioneve gjatë periudhës së izolimit për shkak të coronavirusit, kërkon një shkallë të caktuar edukimi dixhital të nxënësve, studentëve, por edhe të prindërve. Nga fenomenet që u vu re gjatë kësaj situate, ishte diferencimi i nxënësve dhe studentëve që vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, në mundësitë për të përfituar nga mësimdhënia në distancë. Koncepti i edukimit dixhital (digital literacy), është thelbësor për të parandaluar diferencimin dhe diskriminimin që mund të ndodhet mes atyre që kanë dhe nuk kanë mundësi aksesi në rrjet. Diferencimi dixhital është një koncept mjaft i diskutuar në literaturën e mediave të reja që bazohen në rrjet. Studiues të shumtë e kanë shtjelluar konceptin duke e vënë theksin në pabarazinë që ekziston mes shtresave të ndryshme të shoqërisë përsa i përket aksesit në rrjet dhe përfitimeve që rrjedhin nga ky akses.


Studiuesja Eugenia Siapera e lidh diferencimin dixhital me “nivelin në të cilin njerëzit kanë mundësi të përdorin internetin në mënyrë efektive”. Ajo i referohet studiuesve të tjerë të cilët e ndajnë diferencimin dixhital në “aftësi që lidhen me mediumin ( medium-oriented skills) dhe aftësi që lidhen me përmbajtjen ( content oriented skills)”. Kur flasim për aftësi që lidhen me mediumin, kemi parasysh aftësitë operacionale teknike bazë që dikush duhet të ketë, për të përdorur internetin. Përshembull aftësia për të zbritur dhe instaluar një broëser, apo aftësia për hapur një llogari në një platformë edukimi online, etj. Ndërsa aftësive që lidhen me përmbajtjen kanë të bëjnë me njohuritë analitike dhe kritike që duhet të kenë përdoruesit, në mënyrë që të përzgjedhin informacionet e duhura dhe të përfitojnë prej tyre.


Nga ana tjetër studiues si Van Deursen dhe Van Dijk porpozojnë termin “Hendeku i përdorimit” për të përkufizuar mungesën e krijuar nga përdorimet e ndryshme të internetit. Ashtu si hendeku i edukimit që tregon sesi njerëzit më të edukuar përfitojnë më shumë nga përdorimi i mediave masive, ashtu edhe hendeku i përdorimit e ve theksin tek fakti sesi njerëzit më të edukuar përfitojnë më shumë nga përdorimi i internetit dhe marrin më shumë dije prej tij.


Nga këndvështrimi teorik konceptet mund të detajohen edhe më shumë, megjithatë nëse e kthejmë diskutimin në kontekstin vendas, nuk mund të lemë pa përmendur shkallën e të ardhurave si një element që ndikon në diferencimin dixhital. Nëse nisemi nga vlerësimet që  bëjnë institucionet vendase dhe të huaja mbi nivelin e të ardhurave dhe shkallën e varfërisë në vend, mund të dalim lehtësisht në përfundimin se një pjesë e mirë e familjeve shqiptare privohen nga shërbimet që ofron teknologjia. Për rrjedhojë dhe fëmijët që vijnë nga këto familje nuk mund të përfitojnë nga përdorimi i teknologjisë në kuadër të edukimit në distancë.


Edukimi mbi median dixhitale dhe informacionin është thelbësor për të adresuar fenomene si diferencimi dixhital dhe hendeku i përdorimit. Megjithatë përpara se të mendojmë për strategjitë e edukimit të qytetarëve mbi median dixhitale dhe teknologjitë e informacionit, na duhet një vlerësim i situatës dhe studim i nevojave në këtë drejtim. Është e nevojshme që institucionet përgjegjëse për hartimin e politikave të arsimit të studiojnë shkallën e njohurive teknologjike të mësimdhënësve, pse jo dhe të shoqërisë në përgjithësi. Kjo do na jepte mundësi të kuptonin situatën, të zbulonin nevojat dhe më pas të hartimin zgjidhjet për të përmirësuar nivelin e edukimit dxhital. Është e kuptueshme që eksperienca e papritur e edukimit në distancë të imponuar nga situata e pandemisë ka lënë pasoja në sistemin arsimor në vendin tonë dhe në mbarë botën. Megjithatë ajo që e shton dozën e shqetësimit, nuk janë pasojat që la pandemia për vitin e akademik që po lemë pas, por pasiguria për të ardhmen dhe mungesa e vullnetit për të nxjerrë mësime nga kjo situatë. Ndaj përpjekjet duhet të drejtohen në gjetjen e zgjidhjeve për të zvogëluar sado pak ndjenjën e pasigurisë për të ardhmen e arsimit.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,930 Lexime
1 vit më parë