
Eva Qorri: Një vit shkollor që iku....
Frikërat dhe pasiguritë e vitit shkollor që kaluam ishin të shumta. Eva Qorri, mësuese, sjell refleksionet e saj, duke ngritur disa pikëpyetje, mbi mënyrën se si mësimi do të zhvillohet vitin e ardhshëm. A do të vazhdojmë të ndiejmë pasiguri?
Iku dhe ky vit shkollor!
Gongu ra!
Startoi plot eufori, gëzim 16 Shtatori 2019-të. Me synime dhe objektiva për t'i përmbushur. Me sfida që na prisnin në rrugën e dijes. Vogëlushët e kopshtit dhe të klasës së parë ishin plot emocion dhe padurim për eksperiencën e re shkollore. Në sytë e qeshur të tyre, dukej padurimi për të eksploruar rrugën e gjatë të dijes.
Filloi viti i ri shkollor më 16 Shtator 2019. Në çdo klasë ndihej "Mirë se ardhja e fëmijëve". Shkollën e kishte marrë malli për zërat zhurmues të fëmijëve. Sigurisht edhe ne mësuesve, për përqafimet e tyre. Sa dashuri dhurojnë fëmijët! Po ky vit shkollor do të shkruhet në histori, si një vitë i mbrapshtë, sepse i tillë u nis.
21 Shtator 2019, ditë e Shtunë, ora 16:05, toka tronditet... Bashkë më të edhe çdo qelizë e trupit tonë. Ndjemë frikë, panik. Tërmeti, godet vendin tonë pas 30 vitesh qetësi. Ankth, stres, pasiguri. E mblodhëm veten për momentin, duke i dhënë forcë me shprehjen: Nesër është një ditë e re! Por frika ishte aty me ne.
26 Nëntor 2019, dy muaj e 5 (pesë) ditë pas 21 Shtatorit, ora 03:54, mëngjes, qetësi varri, çdo gjë në heshtje, gjumë. Toka tronditet për 1 minut nga një tërmet, që jetën tonë e ktheu përmbys. U shkatërruan qytete, shtëpi, shkolla. Shumë njerëz humbën jetën, njerëzit e dashur, shtëpinë. Trishtimi dhe pasiguria e ditës së re, ishte në sytë e çdo njeriu. Shkollat mbyllen, disa prej tyre të dëmtuara. Ndër to edhe shkolla jonë.
Toka nuk gjen qetësi, as ne.
9 Dhjetor 2019, rikthehemi në bankat e shkollës, por jo në shkollën tonë. Për dy javë, fëmijëve u bëjmë mësim praktik për tërmetin dhe se si duhet të mbroheshin nga ai. Personalisht, (besoj jo e vetmja) kam qenë me qetësues, për një kohë të gjatë, e tmerruar, frikësuar, pagjumësi e theksuar.
Iku dhe tërmeti!
Mezi prisnim Vitin e Ri 2020. Menduam se do të ishte një vit i mbarë. Por jo, na shpiket COVID-19, i përhapur në Wuhan/Kinë, që në dhjetor 2019. Mijëra të infektuar dhe të vdekur.
8 Mars 2020, vendi ynë infektohet nga pandemia globale. 9 Mars 2020, shkollat mbyllen sërish. I gjithë procesi mësimor zhvillohet on-line. Totalisht të patrajnuar mbi mënyrën e mësimdhënies on-line.
Sfidë me veten!
Ia dolëm! Po si?
Jemi koshient, që jo të gjithë fëmijët kishin mundësinë të kryenin mësimin on-line. Mësimet kaluan edhe në ekranin e televizionit TVSH, WhatsApp, Viber, Skype, Zoom, Schoolme...
Vetëm këto dëgjoheshin në bisedat e çdo prindi, fëmijëve, mësuesve. Edhe mediat on-line, nuk na kursyen me lavdërimet e tyre denigruese, përçmuese për figurën e mësuesit. U lodhëm, u stresuam, punuam fort, që të përçonim te fëmijët përgatitjen mësimore në mënyrën më perfekte të mundshme. Ia dolëm! Po, po, e them me zë të lartë: "Ne sfiduam veten".
Shkolla mbaroi për këtë vit, më 29 Maj 2020-të. Me një program mësimor të reduktuar me dy javë, të cilat do të zhvillohen në vitin e ri shkollor. Java e fundit e qershorit, iu dedikua ndarjes së dëftesave.
Gongu ra!
Pyetjet që qarkullojnë në mendjet tona janë:
- Po viti i ri shkollor, si do të jetë?
- COVID-19, do të bëhet COVID-20?
- Do të rritet edhe ai bashkë me ne, duke na përndjekur sërish?
Pasiguria vazhdon ...
Nga Eva Qorri, mësuese filloreje, shkolla “Murat Toptani”, Tiranë
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Model vlerësimi për Mësuesin Koordinator të Sigurimit të Cilësisë në arsim
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant