Reflektim

Fëmija ka nevojë veç për një far, prindër dhe mësues, bëhuni ju, së bashku, fari i tij!

“Fëmija ka nevojë veç për një far. Prindër dhe mësues, bëhuni ju, së bashku, fari i tij!”, sjellim një shkrim reflektues nga mësuesja nga Elbasani, Marsela Neni.

Kritika që ndërton VERSUS kritika që shkatërron


Para se të ulesha për të shkruar këto rreshta, lashë të rridhte një kohë e gjatë e domosdoshme nga ngjarja e cila e nxiti këtë shkrim. Është e nevojshme që, edhe kur vërtet mendojmë se kemi të drejtë apo kur besojmë se na është bërë një padrejtësi, t’i lëmë ujërat të rrjedhin e turbullirën të fashitet, në mënyrë që të shohim më qartë dhe më thellë.


Po ju rrëfej shkurt një histori jete (të lexuar) nga e cila kam marrë një mësim me vlerë që më ka motivuar jo rrallë në situata të vështira në punë dhe në jetë.


Rendi Paush (Randy Pausch) ka qenë një profesor karizmatik në universitetin Carnegie Mellon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në gushtin e vitit 2007, në moshën 47-vjeçare, diagnostikohet me kancer në pankreas dhe doktorët i japin edhe 3-6 muaj jetë me shëndet të mirë. Rreth një muaj pas diagnostikimit ai mbajti një leksion të fundit të cilin e titulloi: “Leksioni i fundit: Arritja reale e ëndrrave tuaja të fëmijërisë“, ku ndër shumë ide, njëra të mbetet vërtet në mendje. Ai thoshte:“Ju nuk mund t‘i kontrolloni letrat që ju bien për të luajtur, por vetëm mund të kontrolloni se si e luani dorën“.


Kështu duhet të ndodhë edhe me ne mësuesit. Shumica nga ne nuk mund t’i kontrollojë dot rrethanat e kushtet në të cilat ndodhemi (domethënë “letrat që na kanë rënë”: nxënësit që do të mësojmë, komunitetin e prindërve, shkollën e kushtet e shkollës, mjediset, mjetet didaktike, situatën pandemike, mësimin online apo fizik etj… etj.), por ne mund të kontrollojmë (dhe besoj e kemi detyrim moral të kontrollojmë) se si e ʺluajmë dorën”.


Po kështu duhet të funksionojë edhe për nxënësin, veçanërisht atë maturantin e këtij viti i cili ka kaluar tri vite shkollore që nuk kanë qenë aspak të lehta për të e prindërit e tij. Situata pandemike me orë mësimi të reduktuara, me një program të ngjeshur, me pamundësi didaktike për të zhvilluar një mësim cilësor online dhe në përgjithësi një situatë pasigurie e paqartësie për çdo të ndodhë nesër, e nxit ta mendojë veten si "copëz e një brezi të djegur" a me shumë "shkëputje" në zinxhirin arsimor.


Nuk është aq e lehtë ta mendojë ndryshe. Duhet parë realiteti në sy e duhet mirëkuptuar nxënësi. Megjithatë mësuesi ka për detyrë ta orientojë nxënësin në rrugën e urtësisë duke përdorur kritikën që ndërton jo atë që zhvlerëson e shkatërron. Të përshkojë bashkë me të një udhëtim në thellësi të vetes në mënyrë që nxënësi të kuptojë që tashmë është shumë më i fortë se më parë, në mos edhe më i pajisur me dije që veç jeta t’i jep, të cilat kjo kohë na i fali me bollëk. Veç duke e parë kohën në dritë të syrit, ne e krijojmë atë dhe nuk lejojmë që ajo të na përkufizojë ne. 


Për këtë duhen numëruar mësimet apo më mirë t’i quajmë bekimet, vlerat, atë element të kompetencave që ne s’i mësues e kemi të vështirë t’i zhvillojmë apo t’i vlerësojmë te nxënësit tanë: mësime, si: jeta është më e shtrenjtë se gjithçka, se shëndeti i mirë është parësor, se familja është gjithçka kam pavarësisht gjithçkaje, se pa ajër s’jetohet dhe ne duhet të kujdesemi për të, për tokën, për natyrën, se mbi të gjitha duhet të kujdesemi për mendjen tonë, trupin, ushqyerjen e shëndetshme, gjumin... se kur arrita t’ia dalë mbanë një lufte me një armik të padukshëm, mund t’ia dalë mbanë ...mund t’ia dalë mbanë... nëse përpiqem, nëse kam vullnet, nëse s’dorëzohem, pavarësisht se...mund t’ia dalë mbanë.


Të gjithë jemi lojtarë në lojën e JETËS, në lojën më argëtuese, më të bukur, më të rrezikshme, më të befasishme, më me pengesa, shpesh më të padrejtë. Lojtarë në të vetmen lojë që nuk ka triumfues. Nxënësit, edhe ai 18-vjeçari, kanë brenda vetes më të bukurën e tyre-fëmijën, rrjedhimisht dashurinë e pasionin për lojën. Mësojini të luajë për kënaqësi jo për hir të lojës, jo për hir të fitores. Duhet t’u mësojmë të shohin dritën edhe kur është krejt terr. As prindërit e as mësuesit nuk mund ta bëjnë ʺudhëtimin" e tyre, ata janë vetë kapitenë të “anijes" së tyre. 


Fëmija ka nevojë veç për një far. 

Prindër dhe mësues, bëhuni ju, së bashku, fari i tij!




Nga Marsela Neni (mësuese, Elbasan)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,452 Lexime
2 vjet më parë