Fiqiri Çifliku: Shkolla si kështjellë e sigurisë, hapi i parë për një mjedis arsimor të fortë dhe mbështetës

Në shkrimin e tij, Fiqiri Çifliku thekson se shkolla duhet të funksionojë si një kështjellë sigurie, ku vlerësimi i riskut dhe menaxhimi i emergjencave janë thelbësore për një mjedis arsimor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe mbështetës.

Në modulin e Menaxhimit të burimeve njerëzore, financave dhe materialeve që zhvillon Shkolla e Drejtorëve, po punojmë për të institucionalizuar një proces të thjeshtë dhe efektiv për menaxhimin e situatave emergjente. Hapi kryesor në këtë proces është vlerësimi i riskut, i cili ndihmon në identifikimin dhe adresimin e sfidave që mund të cenojnë realizimin e objektivave tona arsimore. I qëndroj mendimit dhe rekomandoj që institucionet përgjegjëse të hartojnë manuale të thjeshta për procesin e vlerësimit të riskut sipas niveleve. Nëse nuk e kupton drejtuesi, mendoni vetë si do shkojë zbatimi i planit. Përdorimi i një modeli të qartë dhe të kuptueshëm, si për shembull një matricë e thjeshtë që lidh probabilitetin e ndodhjes me ndikimin në institucion, do të siguronte përfshirjen e mësuesve, prindërve dhe nxënësve në identifikimin e rreziqeve reale. Vetëm nëse e kuptojmë atë që po shkruajmë, do të fokusohemi vërtetë në rreziqet që cenojnë sigurinë, cilësinë e mësimdhënies, burimet dhe mjedisin e punës. Çdo shkollë duhet të sigurojë që plani i emergjencave dhe vlerësimi i riskut të jenë dokumente dinamike që përshtaten me ndryshimet në institucion dhe të parashikojnë qasje për çdo rrezik të mundshëm.


Faktorët kryesorë të riskut në një institucion arsimor përfshijnë aspekte të ndryshme që mund të ndikojnë në sigurinë dhe funksionimin e tij. Institucionet arsimore përcaktojnë dhe përditësojnë listën e rreziqeve, por në asnjë rast nuk duhet të anashkalojnë listën e mëposhtme:


  • Siguria fizike që lidhet me sigurinë e ndërtesave, pajisjeve dhe infrastrukturës së shkollës dhe rreziqet që lidhen me fatkeqësitë natyrore, zjarret dhe situatat e tjera emergjente që mund të ndodhin vlerësohen si shumë të rëndësishme.
  • Mungesa e materialeve mësimore, pajisjeve teknologjike dhe burimeve të tjera të nevojshme do të ndikonin negativisht në cilësinë e procesit mësimor.
  • Rreziqet që lidhen me shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve dhe stafit, përfshirë këtu edhe çështjet e bullizmit dhe dhunës.
  • Rreziqet që lidhen me cilësinë e mësimdhënies dhe arritjet akademike të nxënësve. Rreziqet që lidhen me mjedisin e punës për mësuesit dhe stafin tjetër, përfshirë këtu edhe çështjet e ngarkesës së punës dhe stresit.
  • Rreziqet që lidhen me përputhshmërinë me ligjet dhe rregulloret e ndryshme që qeverisin institucionet arsimore.


Për të përmirësuar sigurinë fizike në një institucion arsimor, duhet të ndërmerren disa masa të rëndësishme që lidhen me kontrollin në hyrjen brenda mjediseve të shkollës, përmirësimin e infrastrukturës, trajnimin e stafit dhe nxënësve si masa parandaluese. Përgatitjen për përballimin e emergjencave duke hartuar planet e evakuimit, organizimin e ushtrimeve të rregullta për evakuim, si dhe bashkëpunimin me autoritetet lokale si policia, zjarrfikësit dhe shërbimet mjekësore për të siguruar një reagim të shpejtë në rast emergjence. Nuk duhet anashkaluar për asnjë moment sigurimi i mbështetjes psikologjike për nxënësit dhe stafin për të përballuar stresin dhe situatat e vështira.


Për të promovuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për komunitetin shkollor, është e rëndësishme të vendosen sisteme të monitorimit dhe sigurisë si kamerat e sigurisë dhe alarmet, të kufizohet hyrja në shkollë vetëm për personat e autorizuar dhe të regjistrohen vizitorët, të sigurohet ndriçimi i mirë në të gjitha zonat e shkollës, veçanërisht në hyrje-dalje dhe korridore, të krijohen rrugë emergjence që janë të qarta dhe të hapura, si dhe të organizohen trajnime për stafin dhe nxënësit për të identifikuar dhe menaxhuar situatat e rrezikshme, duke përfshirë trajnimin për ndihmën e parë dhe reagimin ndaj emergjencave. Këto masa jo vetëm që rrisin sigurinë fizike, por edhe krijojnë një mjedis ku të gjithë ndihen të mbrojtur dhe të mbështetur.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

447 Lexime
5 ditë më parë