PROMOVIM

Gazmend Kapllani promovon librin, "I keqi i vetes" përtej letërsisë së emigracionit

Promovimi i librit "I Keqi i vetes" mblodhi njerëz të letrave, artit, kulturës, lexues, të cilët biseduan rreth romanit "të dhimbjes njerëzore", ku gjen Uliksin pa Itakë tashmë, të mbetur si tek Kundera mes botësh.

Autori i librit "I keqi i vetes", mjaft i shitur në Panairin e 21 të librit, Gazmend Kapllani ka ardhur nga Bostoni në Tiranë vetëm për të takuar lexuesin shqiptar. "Libri nuk ekziston pa botuesen, unë nuk ekzistoj pa lexuesin". Kështu u shpreh Kapllani, në krah të të cilit qëndronin botueja Rita Petro dhe shkrimtari Visar Zhiti.


"Kur e mora në duar dorëshkrimin, pas disa vitesh në Greqi në kursin e filozofisë, e përjetova si lexuese. Një libër i bukur të lë mbresa për 48 orë. Kur e përjeton tranzicionin  përmes një libri është dyfish mbreslënëse. Është një lloj xhelozie e bukur kur gjen në një libër ato që ke menduar vetë, por jo aq bukur. Mënyrat e rrëfimit, për dy vëllezër që i përjetojnë ndryshe të njejtat situata. Titulli është alegori. Njeriu është i keqi i vetes apo mendojnë kështu për të. Ai është i miri i vetes, se ka zgjedhur mes mënyrës së rë të jetesës dhe nostalgjisë", u shpreh Rita Petro.


Botuesja e "Albas" foli edhe për veprimtarinë e Kapllanit. "Ditar i shkurtër kufijsh" është përkthyer në 10 gjuhë. Është fitues i çmimit "Letra nga fronti". "Më quajnë Europa" dhe "Faqja e fundit" janë shkruar në greqisht dhe botuar në frengjisht. Kapllani ka qenë pedagog në Greqi dhe tani është në Boston", shtoi Petro.

Autori i "I Keqi i vetes" zgjodhi të lexojë një pjesë nga libri për të ftuarit. Më pas, vetë ai tregoi se studimet i kreu për Bio-Kimi se kështu dont partia. "Meqë isha i persekutuar më dhanë këtë. Nuk mësova asgjë përveç procesit të mejozës e metizës dhe copëzimi i sepjes. Ndaj përktheja poezi të ndaluara të Zhak Prevert", tha Gazmend Kapllani ndër të tjera gjatë promovimit.


Kapllani, i cili ka botuar në greqisht e frengjisht, tha se shqipen nuk e ka braktisur. Nërsa shkrimtari Visar Zhiti, u shpreh se për librat e bukur është vështirë të flasësh. "Kapllani do lexuesin real dhe për të takuar lexuesin e tij ka kalua oqeanin. Për librat e bukur nuk flet dot. Libri i bukur vetëm lexohet. E kam lexuar pa u botuar. Rashë në grackën e rileximit, se sa herë e lexon gjen gjëra të reja. Bëhen bashkë tragjedia shqiptare e ballkanike. Arrin lartësitë që priste letërsia letërsia shqipe e postdiktaturës. Masakra mbi çamët është rrëfyer në mënyrë të përkryer në libër. Një lopë që digjet. Gjatë masakrës shpërthen si një fishekzjarre. Kompleksi i Edipit, e kthen vdekja në atdhe e një varrim pa funeral. Lotë të panjohur të atij që s'qan dot për të atin, por shkrehet në lot për një vajzë që se ka parë kurrë. Është një elegji e bukur shqiptare. Jemi ne që  bëjmë keq vetese. Gjuhë e kultivuar e elegante. Janë të përziera përvojat e poetit dhe të gazetarit. Mendimet arrijnë deri në filozofi", komentoi Visar Zhiti.



Në promovimin e librit të Kapllanit mori pjesë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Jo si ministre, por si lexuese dhe fanse e letërsisë së Kallanit. "E kam lexuar në frengjisht. Dhe jam befasuar. Në librin e parë e gjeta autorin dhe doja ta lexoja në shqip. E kam blerë për të dhuruar, për kolegët ministra e politikanë. Është libër që tregon se po lind letërsia e emigracionit. E shkruar jashtë e që duket sikur është shkruar këtu", Lexoj atë që di, kërkoj atë që dua dhe zbuloj atë që gjej. Lexova një letërsi prej Kundere, ma solli fort atë si Uliksi. Është letërsi emigracioni si karakteristikë e letërsisë së emergjencës. Mënyra se si ne kemi jetuar jetë paralele përmes letërsisë një botë që njihnim. Më pas zbulova shkrimtarin Kapllanin. Sa shqiptare dhe universale”, tha Mirela Kumbaro.




Rreth librit

Për të libri ka muzikë zëulët të trishtë si melodi. Ai tha se është roman i ngjeshur me ngjarje e kohë me personazhe të thukët. "Është romani i dhembjes njerëzore". Ngjarja është vendosur në qytetin e trilluar, Ters. Herë më duket si Lushnje, pastaj si nga Shkodra, Korça e Tirana. Ka personazhe kokëshkretë. Familje normale, babai komunist që bëhet mysliman. Djali i madh i lidhur me nënën që do të vrasë veten. Dy vëllezër alterego. Jo Abeli e Kaini jo vëllezër biblikë, por që e vrasin njëri-tjetrin përditë. Zhiti tha se mbase grekërit duke u sjellë keq me shqiptarët ndëshkonin të ikurit.

Ngjan me një Uliksi pa Itakë, Karli, njëri nga dy vëllezërit e romanit më të ri të Gazmend Kapllanit “I keqi i vetes”. Ai kthehet në atdhe për të përcjellë në banesën e fundit babanë e tij, një ish- komunist që vitet e fundit të jetës është bërë mysliman i devotshëm. Nëna ka kohë që ikur, në një mënyrë të beftë, duke e vendosur vetë kur ikën, duke zgjedhur të ikë e t’u kthejë shpinën të gjithëve.

Kur Karli kthehet në Ters, pak gjë ka ndryshuar. Qyteti është i trishtë, i humbur, i zhytur në mallkimin e vet dhe në fatin e vet. Mes rrëfimeve të njërit vëlla, dhe monologëve të tjetrit, si altergo të njeri-tjetrit gjen dy Shqipëri, dy botë, dy ëndrra. Ndesh dyzimin mes ikjes dhe asaj që merr me vete, asaj që humb e asaj që lë pas- mundësive të pafundme të ardhmërive të pajetuara. Gjen Uliksin pa Itakë tashmë, të mbetur si tek Kundera mes botësh.






(Portali Shkollor)

2,524 Lexime
5 vjet më parë