Promovim me nxënës

“Hajdutja e buzëqeshjeve” mes nxënësve inteligjentë të “Niket Dardanit”

Me ftesë të shkollës “Niket Dardani” u organizua një takim me nxënësit e klasave të pesta, për prezantimin e librit që fitoi çmimin e parë të Fondit të Krijimtarisë për Fëmijë, “Hajdutja e buzëqeshjeve”. Autores Sevi lami Agolli iu drejtuan shumë pyetje për librin dhe krijimtarinë e saj për fëmijë.

Me ftesë të shkollës 9-vjeçare “Niket Dardani”, në mjediset e saj u organizua një takim me nxënësit e klasave të pesta, për prezantimin e librit që fitoi çmimin e parë të Fondit të Krijimtarisë për Fëmijë “Hajdutja e buzëqeshjeve”. Salla e madhe e mbushur plot me nxënës dëgjoi me kërshëri prezantimin e librit nga autorja, ndërsa më pas filloi një lumë i gjatë pyetjesh për të, librin dhe krijimtarinë e saj për fëmijë. 


Pyetjet ishin nga më të shumtat dhe më të ndryshmet, si:

- Kur keni filluar të shkruani për fëmijë?

- Çfarë ju shtyu të shkruani për fëmijë dhe jo për të rritur?

- Sa libra keni shkruaj deri tani si autore? 

- Sa kohë ju desh ta bëni librin “Hajdutja e buzëqeshjeve”

- Pse e keni titulluar kështu?


Pyetjet ishin të pafundme dhe mjaft me vend, edhe pse nuk i kishin lexuar ende librin, gjë që tregonte se kjo shkollë kishte nxënës mjaft inteligjentë dhe të zgjuar. Madje një djalë mes sallës bëri një pyetje mjaft të bukur për autoren, duke qenë se autorja kishte me vete edhe librin e saj të parë artistik për fëmijë “Gënjeshtra të bardha”:


- Pse keni zgjedhur t’i titulloni dy librat tuaj me një fjalë që tregojnë veprime jo të mira, si “Gënjeshtër” dhe “Hajdute”?


Pas përgëzimit për pyetjen mjaft të bukur, autorja u përgjigj se e kishte bërë qëllimisht këtë zgjedhje, dhe kishte zgjedhur pikërisht këto dy fjalë, për të treguar që këto veprime ndodhin me ose padashje, por ajo që është e rëndësishme dhe që përcillet në këta dy libra, është se: edhe nëse gabojmë, ne duhet të dimë t’i rregullojmë gabimet tona dhe të nxjerrim mësim dhe rregulla nga veprime të tilla!  

Përveç kësaj, ajo shpjegoi domethënien e këtyre dy fjalëve në secilin libër, ku në librin e parë fjala “gënjeshtër” ndiqej nga përcaktori “i bardhë” dhe si e tillë, ajo nuk ishte dashakeqe, por përkundrazi ndezi një fantazi aq të madhe te personazhi i librit... 

Kurse te tregimi i dytë, autorja shpjegoi se jeta ka gjithmonë disa “hajdute” që mund të na vjedhin buzëqeshjet, gëzimin ndër sy etj., por jemi ne, ata që me anë të disa veprimeve dhe rregullave të thjeshta, të mos lejojmë “hajdutë të ndryshëm” të na vjedhin buzëqeshjet tona.



Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,166 Lexime
1 vit më parë