Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe ALBAS përurojnë tekstet "Historia e Shqiptarëve" – një hap i ri për arsimin shqip në Mal të Zi
Në Ulqin u përuruan dy tekste plotësuese “Historia e Shqiptarëve” për arsimin fillor dhe të mesëm, në bashkëpunim mes Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Shtëpisë Botuese Albas. Një hap i rëndësishëm për forcimin e identitetit dhe arsimit shqip në Mal të Zi.
Në Ulqin u hodh një hap i rëndësishëm për arsimin në gjuhën shqipe. Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Librarisë “Ulqini”, u përuruan dy tekste plotësuese shkollore me titullin “Historia e Shqiptarëve”, një për shkollën fillore dhe një për shkollën e mesme, të cilat përmbajnë njësi mësimore nga historia kombëtare.
Këto botime janë fryt i bashkëpunimit mes Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe Shtëpisë Botuese Albas, duke synuar të plotësojnë një boshllëk të ndjeshëm në programet mësimore ekzistuese.
Gjatë promovimit u theksua se projekti vjen si përgjigje ndaj mungesës së informacionit mbi historinë kombëtare në kurrikulat aktuale. Siç u shprehën organizatorët, “Në Ulqin u hodh një hap i madh për arsimin shqip në Mal të Zi!”, duke e cilësuar këtë nismë si një moment të rëndësishëm për shkollën shqipe në këtë vend.
Në fjalën e tij, kryetari i KKSh-së, Faik Nika, theksoi rolin themelor të arsimit në ruajtjen e identitetit kombëtar:
“Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi e konsideron arsimin në gjuhën shqipe si shtyllën kryesore të ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve.”
Faik Nika, kryetari i KKSh-së
Ai nënvizoi se që nga themelimi, KKSh i ka kushtuar vëmendje të veçantë arsimit në gjuhën amtare, ndërsa pas një analize disa vjeçare të plan-programeve të lëndëve që lidhen me identitetin kombëtar, si historia, gjeografia, arti muzikor dhe figurativ, është arritur në përfundimin se informacioni për trashëgiminë dhe vlerat kombëtare është “i pakët dhe sipërfaqësor”.
Duke shfrytëzuar kuadrin ligjor në Mal të Zi, i cili u jep mësimdhënësve mundësinë që 20% të programit ta zhvillojnë në mënyrë fakultative, KKSh ka ndërmarrë nismën për hartimin e këtyre teksteve plotësuese.
“Duke shfrytëzuar kuadrin ligjor në Mal të Zi i cili ju mundëson mësimdhënësve kuotën e 20% që ta zhvillojnë në mënyrë fakultative mësimin, ne kemi konsideruar si të udhës ofrimin e njësive mësimore plotësuese brenda një libri për historinë e popullit shqiptar.”
Sipas tij, ky është vetëm fillimi i një procesi më të gjerë:
“Ky botim do të ndihmojë nxënësit tanë të mësojnë historinë që u takon, duke rritur vetëdijen për prejardhjen dhe trashëgiminë tonë.”
Ai pranoi gjithashtu se nisma mund të ketë mangësi, por theksoi se grupi punues ka synuar objektivitetin dhe përzgjedhjen e temave më të rëndësishme për të kaluarën kombëtare, duke mirëpritur sugjerime për ribotimet e ardhshme.
Një punë e përbashkët akademike dhe pedagogjike
Grupi punues, i përbërë nga historianë dhe pedagogë si Mark Junçaj, Sabit Kurti dhe Jetmira Sellaj, ka hartuar dy vëllime që përfshijnë periudha vendimtare nga antikiteti deri te zhvillimet e shekullit XX, përfshirë proceset e vështira të legalitetit dhe qëndresës ndër vite.
Në fjalën e tij, kryetari Nika falënderoi anëtarët e grupeve punuese, mes tyre Dr. Nexhat Avdiu, Mark Junçaj, Sabit Kurti, Jetmira Sella, Endrit Cuca, Tomë Lucaj, Nik Ukgjini dhe Ismet Kallaba, si dhe bashkëpunëtorët institucionalë që kontribuuan në realizimin e këtij projekti.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe Shtëpia Botuese Albas, për mirëkuptimin dhe përkrahjen që në krye të herës për këtë nismë me rëndësi për shqiptarët në Mal të Zi.
“Misioni ynë vazhdon”
Pas takimit, presidentja e Shtëpia Botuese Albas, Rita Petro, ndau një mesazh domethënës:
“Misioni ynë vazhdon, i dashur Lato! Pusho i qetë. Jemi shumë të lumtur që tani nxënësit shqiptarë në Malin e Zi do të punojnë me tekstet që mbajnë logon ALBAS.”
Rita Petro, presidente e Shtëpisë Botuese Albas
Ajo theksoi se bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar nuk është rastësor, por pjesë e një politike të hershme të ALBAS-it për të punuar me grupe të përbashkëta në hartimin e teksteve me rëndësi kombëtare si gjuha shqipe, gjeografia, historia dhe letërsia.
Në fjalën e saj, Petro përshëndeti kryetarin Faik Nika, koordinatorin e punës Dom Nika, bashkautorët dhe redaktoren përgjegjëse Artemisa Bushi, duke vënë në dukje përkushtimin profesional që shoqëroi gjithë procesin. Ajo nënvizoi se synimi është sjellja e botimeve cilësore dhe gjithëpërfshirëse për nxënësit shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Preshevë, në Mal të Zi dhe në diasporë.
Përurimi i teksteve “Historia e Shqiptarëve” në Ulqin shënon jo vetëm një arritje botuese, por një investim afatgjatë në ndërgjegjen historike të brezave të rinj. Në një kohë kur ruajtja e identitetit kërkon përkushtim dhe vizion, ky projekt paraqitet si një gur themeli në forcimin e arsimit shqip në Mal të Zi.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Leximi dhe fëmijët, libra jashtëshkollorë për çdo grupmoshë
“Presheva flet”, Panairi i parë i Librit në Preshevë, një kapitull i ri ku Albas-i është bashkorganizatore në 25-vjetorin e saj